LAJMI I FUNDIT:

Ligji dhe strategjia për Trepçën së shpejti në Kuvend

Ligji dhe strategjia për Trepçën së shpejti në Kuvend

Qeveria e Kosovës shumë shpejt do ta procedoj në Kuvendin e Kosovës, strategjinë dhe projektligjin për gjigantin metalurgjik Trepça. Në hartimin e ligjit dhe strategjisë janë duke punuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Kuvendi, përkatësisht Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.


Sipas tij, ekzekutivit po bënë çmos që ligji dhe strategjia për kombinatin Trepça të përfundojë para datës 1 nëntor.

“Në bazë të ligjit aktual për organizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe aseteve të tyre, kemi datën 1 nëntor dhe kjo është arsyeja që janë bërë këto veprime dhe është themeluar ky grup punues në mënyrë që ta ofroj një draft me të cilin ne do ta shpëtojmë Trepçën nga ky afat kohor. Në anën tjetër, do t’i hapim rrugë që të ketë një status të qëndrueshëm zhvillimor. Aty jemi duke punuar në dy drejtime, Trepça momentalisht është ndërmarrje shoqërore nën administrimin e AKP-së, ideja e ekspertëve që janë pjesë e grupit punues është se si ta gjejmë një rrugë më të mirë dhe më të shkurtër në mënyrë që këtë ndërmarrje ta shndërrojmë në një ndërmarrje stabile dhe në anën tjetër t’i hapim rrugë ose partneritetit publiko privat ose formave të tjera të investimeve. Mendoj që është i pashmangshëm pjesëmarrja e kapitalit privat në të”, tha Stavileci.

Ai ka folur edhe për kompetencat ligjore që do t’i ketë AKP, e cila parashihet të luaj rolin e administratorit të Trepçës.

“Mendojmë që AKP-ja do të vazhdoj të jetë në cilësinë e administratorit”, ka shtuar më tej Stavileci.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, ka bërë të ditur se grupi punues i komisionit në bashkëpunim me kryesin e Kuvendit, janë duke punuar në draft ligjin për Trepçën.

Ai ka shtuar se AKP ka porosit një studim të fizibilitetit, ku në bazë të të gjitha këtyre dhe diskutimeve që do të zhvillohen me gjithë akterët e interesuar, Trepça do të adresohet në mënyrë më të mirë.

Kurse, vendimet për Trepçën, sipas Mustafës, do të merren në mënyrë demokratike dhe të përgjegjshme në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, ende komisioni nuk e ka përcaktuar statusin e Trepçës, por premtoi se do të gjendet një status i cili do të merr model modern ekonomik, si në aspektin teknologjik, financiar, pronësor dhe në aspektin e interesit publik edhe interesin e investitorit.

Nga ana tjetër, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha për KosovaPress se ligji për Trepçën është vonuar.

Ajo që sipas tij, do të duhej Qeveria të bënte është inkuadrimi i sa më shumë ekspertëve shkencorë dhe të përfshihen palë të interesit, me qëllim që të nxjerrët një ligj i mirë.

Më e mira, sipas Gërxhaliut do të ishte që Qeveria të hynte si aksionare kryesore e ndërmarrjes së re që do të themelohet me ligjin për Trepçën.