LAJMI I FUNDIT:

Liri në doza të arsyeshme!

Shoqëria civile është çmendur. Po propozon me e bartë selinë e qeverisë në Dyz. Ose në Dubravë! Sipas shoqërisë civile, pasi qeveritarët janë kapur fort për karrige dhe nuk po duan të zbresin me asnjë kusht, e vetmja mënyrë ka mbetur ndërrimi i selisë. Ani në Dyz! Deri atje nuk arrin as autostrada e kombit, sepse kryeministri e ka devijuar trasenë, nga frika se muhaxherët e Llapit do të faktorizohen dhe do të orientohen sërish kah Nishi!

Ai dhe homologu i tij Daçiq, mbase kanë frikë se mund të bllokohen edhe negociatat, me pretendime territoriale ndaj Serbisë. Ky projekt mbase do të mund të kodohej si “Rikthimi veri-lindor”! Deri te Thana e Shpueme apo deri në Lepajë, afër Nishit. Janë qindra fshatra, nga rrethina e Nishit, Kurshumlisë dhe Prokuples, nga të cilat në ikje e sipër muhaxherët arritën të marrin me vete vetëm emrat e tyre. Sot ato janë kujtim i negociatave të “suksesshme” nëpër konferenca ndërkombëtare. Këta emra edhe sot e kësaj dite i mbajnë fshatrat në Llap e në shumë vende të Kosovës.

Por, këto janë përralla të moçme, që na i tregonin gjyshet tona analfabete. Ishin veç një zinxhirë kujtimesh, të përcjella prej gjyshes në gjyshe! Me këto përralla na venin në gjumë. Nuk kishte platforma digjitale atëherë. E ku dinë gjyshet. Ato nuk kishin studiuar historinë, ato e kishin jetuar atë.

Përndryshe, ne nuk jemi më një popull i lashtë antik, si flitej, por thjesht jemi një popull fëmijë i cili sapo ka dalë prej djepi. Prej djepi e drejt e te sheshi. Në protesta.

Bazuar në moshën e popullit tonë, edhe çlirimtarët ndërkombëtarë ndoshta kanë të drejtë të dyshojnë në aftësinë tonë për me e absorbu lirinë. Ndoshta mendojnë se nuk kemi kapacitete intelektuale, profesionale dhe morale. Ndoshta mendojnë se duhet me na e dhënë lirinë me lugë, aso lugë që i përdorim për shurup të kollit. Sa herë të kollitemi, një lugë. E ne në protesta!

Nuk po na mjafton shurupi. Edhe një lugë, ju lutem!

Hiq më pak se para trembëdhjetë vjetësh, ishim mërzitur nga tradhtarët të cilët po bashkëpunonin me shtetin serb. Tash, jemi mërzitur edhe nga patriotët. Se ne mërzitemi lehtë. Mjafton të na trajtojnë keq. Dyshojmë në çdo qeveri që tregon muskujt ndaj qytetarëve. Mërzitemi nga çdo qeveri që vjel xhepat e qytetarëve.

E kur jemi te patriotët, zyrtarisht, në Kosovë ka krejt pak patriotë. Ata munden me bë çka të donë. Me e rreh shtetin! Me e përdorë arkën e shtetit për nevoja të veta, me u kujdes për familjen! Me marrë vendime vet, pa përfaqësuesit e popullit, madje edhe pa qytetarët, se as qytetarëve nuk u besohet. Të gjithë ikën dhe e lanë ushtrinë në mal. Nuk janë patriotë qytetarët! Munden me e tradhtu shtetin!

Pra, patriotët janë kryesisht në partinë më të madhe, dhe në qeveri. Të premten pasdite, patriotët shkojnë në shpi. Rruga e kombit nëpër Fushë Kosovë bllokohet nga ngjyrat kuq e zi. Në fakt, nga ngjyrat kaltër e verdh! Në fakt, nuk dihet tashmë ngjyra e patriotëve tanë. Disa thonë se u ka dalë ngjyra!

Ndër të rinjtë sot, me i thënë dikujt patriot , i bie se po bënë hajgare me të. Për këtë shkak, qytetarët po i fshehin meritat e veta. Ata nuk kanë bërë asgjë për këtë vend, të gjitha i kanë bërë patriotët.

Por, të kthehemi te sheshi. Ajo që po ndodhë këto ditë nëpër sheshe, nuk ka ndodhur më parë në këtë vend. Qytetarët janë këndellë nga dehja kombëtare dhe antikombëtare. Kanë filluar të shohin veten më ndryshe, pa idealizëm, por me interesa. Interesa qytetare. Kanë filluar të mendojnë se nuk mjafton të jesh patriot për të qeverisur. Po i ftojnë në përgjegjësi patriotët. E oligarkët e rinj tani po fshihen pas simboleve, apo pas çlirimtarëve ndërkombëtarë. Pasi i (keq)përdorën çlirimtarët vendorë, sa ua nxorën bojën, po i (keq)përdorin edhe ata ndërkombëtarë! Na mbroni sikur u thonë. Luftën e bëmë bashkë, e besa bashkë e bëmë edhe pasluftën.

Te ne, si zakonisht, shoqëria civile po tregohet e paduruar. Besa pak edhe e pa edukuar. Po i quajnë hajna qeveritarët tonë, edhe pse nuk kanë prova.

Nuk mjafton të thuash se një ministër para se të bëhej ministër kishte probleme financiare. Fundja, krejt populli është me probleme financiare. E ai që bëhet ministër, më nuk është popull, prandaj kuptohet që s’ka me pasë më as probleme financiare. Qytetaria bazohet në ligj, dhe me ligjet tona nuk ke të drejtë të merresh me pasurinë e dikujt, nëse nuk është e fituar me vepër penale. E ti ec e dëshmo ndonjë vepër penale të qeverisë, në Kosovën tonë demokratike ku dëshmitarët vetëvriten me thika të pamprehura mirë dhe ku nga dhomat e dëshmive në polici avullohen provat. Natyrisht, as sot e kësaj dite nuk janë gjetur as provat e as fajtorët. Thjesht, ishte vapë dhe provat u avulluan.

Kur jemi te sheshet, shoqëria civile, opozita, por edhe pozita i kanë brengat e tyre. Shpresohet se kulminacioni i protestave, e rrjedhimisht edhe fundi i durimit të qeverisë, të arrijë përpara se sheshet të kryhen, dhe të ketë gurë përreth, për të shprehur furishëm dhe drejtpërdrejtë mllefin në ndërtesën e xhamtë. Ndërkaq, brenga e qeverisë duket të jetë se a do t’i mbajnë pllakat e mermerta të sheshit, automjetet e blinduara, nëse vjen puna deri aty. Sepse qeveritë si kjo nuk bien pa autoblinda rrugëve.

Tash ka vërejtje edhe për shoqërinë civile e cila në fund u ndal te sheshi i Skendës. Mesazhi ishte paksa i paqartë kur ata qëndruan me shpinë kthyer nga Skenda, përmendorja e të cilit si duket më së shumti po e pengon vetë qeverinë. Ky Skenda, si legjendë evropiane e luftës kundër perandorisë osmane, po ia zë rrugën biznesit me vëllezërit e qeverisë, madje edhe rrugën e reformave në arsim. Fuqia e papërballueshme e vëllezërve nga Anadollia, të cilët tashmë e kanë pushtuar ekonomikisht këtë vend, po kërkon edhe reforma në kokat tona. Duhet të besojmë se ne nuk kemi qenë të pushtuar 500 vjet, por se kemi qenë pjesë elite e perandorisë. Kështu bëhet e kuptueshme përse pikërisht ata dhe askush tjetër e blenë aeroportin, distribucionin dhe kanë mbetur të vetmit që duan të blejnë edhe PTK-në. E sollën dhe e pështollën këtë punë qeveritarët dhe…! Të shohim çka po bëhet!

Por, protestuesit po tregohen të pasjellshëm. Kryeministrit të vendit pa aprovimin e tij ia ndërruan edhe mbiemrin. Derisa në fushata zgjedhore, ithtarët e partisë së tij e brohorisnin “Thaçi, Thaçi”, këta po e thërrasin ndryshe. As kjo nuk u mjaftoi, por ia ndërruan edhe vendbanimin. Prapë pa aprovimin e tij.

Si e thamë edhe në fillim, Dyzi po duket si vend i parapëlqyer ku shoqëria civile po do me e vendosë selinë e qeverisë. Për shkak të sigurisë së lartë. Atje tashmë me të madhe po bëhen ndryshime. Atje siç po flitet nën zë, do të dërgohet një drejtor tjetër, po ashtu ushtarak me profesion, duke e ndërruar të tashmin i cili po jep prononcime politike të papërshtatshme për qeverinë.

Ky pritet të jetë më i përshtatshëm për qeverinë në “ekzil”. Për me qeverisë prej Dyzi, online! Kjo do të ishte qeveria e parë virtuale në botë.