LAJMI I FUNDIT:

Lirohet Nexhat Demaku

Lirohet Nexhat Demaku

Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku dhe dy zyrtarët komunalë, Ajet Demiri e Gani Halilaj janë liruar nga akuza për shpërdorim detyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të pafajshëm 3 të akuzuarit, pasi sipas saj nuk është vërtetuar aktakuza gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.


Vendimin e shpalli kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj.

“Në emër të popullit [gjykata] merr këtë aktgjykim: të akuzuarit lirohen nga akuza pasi që nuk është provuar se të akuzuarit Nexhat Demaku, Ajet Demiri dhe Gani Halilaj kanë kryer veprën penale të parashkruar si në aktakuzën e Prokurorisë Themelorë të Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda,” tha Valbona Selimaj.

Pas shpalljes së aktgjykimit, e dëmtuara Zejnepe Buzhala nga gjykata u udhëzua në kontest civil.

Kryetari Demaku për KALLXO.com deklaroi se vendimi i gjykatës është i ligjshëm dhe i bazuar në faktet e ofruara nga komuna.

“Vendimi gjykatës është i ligjshëm dhe i bazuar mbi bazën e fakteve të cilat i kemi ofruar ne si komunë. Që nga kur ka filluar ky proces, ne kemi ofruar dëshmi te vazhdueshme se nuk ka asnjë kontest rreth pronësisë  dhe banesës për të cilën bëhet fjalë dhe kjo u dëshmua se banesa është pronë e komunës,” deklaroi Demaku.

Demaku dhe zyrtarët komunalë të Drenasit Ajet Demiri e Gani Halilaj akuzoheshin në lidhje me një banesë që ishte pronë komunale, ndërsa komuna ia kishte dhënë çerdhes së qytetit.

Çerdhja pastaj banesën ia kishte ndarë të dëmtuarës së këtij procesi gjyqësor Zejnepe Buzhala, por ajo nuk mund ta shfrytëzonte atë, pasi këtë banesë e mbante Fadil Shishani.

Demaku akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës se Drenasit duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat kur ka lidhur kontratë me Fadil Shishanin si qiramarrës në prill të vitit 2009 për dhënien me qira të banesës në Rrugën “Skënderbeu”.

Dy zyrtarët komunalë Ajet Demiri si drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban e Mbrojtje të Mjedisit dhe Gani Halilaj si zyrtar për çështje banesore në Komunën e Drenasit akuzoheshin se së bashku i kanë tejkaluar kompetencat duke nxjerrë aktvendim me të cilin e kanë detyruar të dëmtuarën Zejnepe Buzhala që së bashku me familje ta lirojë banesën.

Në qershor të vitit të kaluar gjatë një seance të përmbarimit rreth kësaj banese pati të shtëna nga të cilat u plagos një person.