LAJMI I FUNDIT:

Lotët e axhës Haxhi

Nuk ka më rëndë se të shohësh lotët e plakut. Përlotja dhe dënesja e plakut Haxhi Musa rrëzon kuptimin e burrërisë. E aty ku humbet burrëria, humb edhe kuptimi për jetën, për familjen dhe shoqërinë. Dhe, lotët e tij sot dolën nga përjetimi i trishtë. Ishte rrahur nga të rinjtë maqedonas. I doli në mbrojtje vajzës 15-vjeçare shqiptare që ishte shënjestër e grupeve të orkestruara të të rinjve maqedonas, që deshën me thikë të lënë vragë në trupin e shqiptarëve në pjesën perëndimore të Shkupit.

E, ky epilog ishte paralajmëruar gjatë ndeshjes së futbollit, ku Shkëndija qe e detyruar të lëshojë stadiumin në Gjorçe Petrov nga brohoritjet antishqiptare, sulmet në terren ndaj lojtarëve nga ana e maqedonasve. Aty nuk intervenonte policia. Siç edhe nuk intervenoi në autobusin numër 2, kur 300 “Komitë“ deshën të linçojnë shqiptarët. Dëshmitarët shqiptarë të tmerrit thanë se disa policë shqiptarë i kanë shpëtuar nga më e keqja.


Dhe, hesht policia, heshte qeveria, hesht edhe BDI-ja. Hesht edhe opozita shqiptare. Menduh Thaçi më shumë e ka dertin nëse Ramush Haradinaj do të bëhet kryeministër, sesa të merret me problemet jetike të shqiptarëve, kur veç më partia në pushtet nuk është e zonja të mbrojë shqiptarët.

Po të ishin rrahur sot dy pleq maqedonas dhe sulmuar një 15-vjeçare, Gruevski dhe Jankullovska do t’i qitnin forcat speciale për të lar lesh në shqiptarët e Shkupit.

Pas kësaj që ndodhi, sot në Shkup nuk ka më kuptim durimi për euro-integrime, kur edhe ashtu s’ka asgjë nga Brukseli. Nuk ka si të arsyetohet më me mbetje në qeveria Teuta Arifi dhe BDI-ja.

Rrahja erdhi vetëm disa ditë pasi në Shkup u thanë fjalë të mëdha për bashkim. Berisha, Ahmeti dhe Thaçi nuk jetojnë në Shkup. Erdhën dhe thanë fjalë të mëdha, ndërsa shqiptarëve ua lanë durim-dajakun.

Porosia për shqiptarët e Shkupit, Prilepit dhe gjithandej Maqedonisë është: “Ju ruajt Zoti”” Se për Sali Berishën, Ali Ahmetin, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Menduh Thaçin, Edi Ramën… maqedonasit nuk do të ndalin dajakun.