Berisha shpërthyes

22:08 / 14.04.2013

Besart Berisha shpërtheu në stinorin e parë në Australi. Realizoi dy gola në finale, fitoi titullin e kampionit me Brisbane Roar, por edhe shumë çmime individuale. Besarti në Australi krahasohet me yjet e futbollit botëror, Messin dhe Ronaldon. Edhe sivjet, mediet vazhdojnë të thurin elozhe për Berishën, që nuk ndalet së shënuari për ekipin e tij.

Intervistoi: Taulant Gërguri

Më 16 gusht 2011, Berisha nënshkroi kontratë njëvjeçare me kampionët aktual të A-League. Dhe që në xhiron e dytë të kampionatit australian Besarti shënoi golin e parë te Brisbane, kurse në javën e katërt realizoi katër gola, duke u bërë kështu lojtari i parë që e arrin këtë sukses në histori të skuadrës së tij të re.
Në edicionin 2011-2012, Besarti pa asnjë dyshim përjetoi stinorin më të mirë në karrierën e tij të futbollistit. Sulmuesi i lindur në Prishtinë udhëhoqi skuadrën Brisbane Roar drejt titullit të kampionit në Australi. Berisha u bë futbollisti i parë shqiptar që fitoi titull në kontinentin australian, ndërsa skuadra e tij hyri në histori si klubi i parë me dy tituj të fituar rresht.

Në këtë sezon, Berisha fitoi “Këpucën e Artë” me 19 golat e shënuar në pjesën e rregullt të kampionatit dhe barazoi rekordin e Shane Smeltz-it, për më së shumti gola në një sezon. Po në këtë stinor, Besarti u shpall lojtari më i mirë i ligës nga disa shoqata e asociacione të futbollit australian, ndërkaq rrëmbeu edhe çmimin kryesor ‘Gary Wilkins Medal’për lojtarin e vitit. Paraprakisht ishte zgjedhur edhe top-transferimi i kampionatit.
Berisha u bë, gjithashtu, lojtari i parë shqiptar që shënoi në dy liga të kampionëve. Kishte shënuar me Hamburgun në Ligën e Kampionëve të Evropës dhe me Brisbane Roar, në Ligën Aziatike të Kampionëve.

Si u bë që Besarti të transferohet në Australinë e largët?
Gjatë qëndrimit tim në Gjermani e shihja veten që kam nevojë për një ndryshim në karrierën time... Ka qenë një kohë jo shumë e mirë për mua, vitet e fundit në Gjermani dhe në Angli, pasi që sapo më blinin trajnerët, ndërroheshin dhe pastaj vinte dikush që nuk i interesoja aq shumë. Edhe lëndimi në Angli e ka bërë të veten, një vit pauzë nga futbolli, që ka qenë një periudhë shumë e vështirë dhe e gjithë kjo më ka motivuar që të bëja një ndryshim në karrierë. Gjatë një bisede me shokun tim, Rafael Van Der Vaart dhe babanë e tij, ata më sugjeruan që të largohesha nga Evropa dhe të filloja një karrierë të re, d.m.th., gjithçka nga fillimi, dhe aty filloi biseda për Australinë. Ka qenë një kohë jo shumë e mirë pasi që mendoja se po sakrifikoja shumë, po largohesha shumë nga Evropa, sepse nuk dija shumë për futbollin australian. Pasi që vendosa të vij në Australi e pashë që gjithçka ishte në rregull. Trajneri dhe bashkëlojtarët kanë qenë shumë të kujdesshëm, gjithashtu edhe tifozët më kanë pritur shumë mirë dhe kjo më bëri të ndihem si në shtëpinë time.

Ke pritur të shpërthesh që në edicionin e parë në Australi?
Unë nuk e kam pritur që viti i parë do të shkojë kaq mirë, pasi që nuk e kam njohur shumë futbollin australian, as ekipin, mirëpo mirësjellja e tyre më ka bërë të ndihem shumë mirë dhe loja se si e luajnë më është përshtatur, ndërsa kisha mundësi të tregoja veten dhe të kisha një sezon sikur se ishte vitin e kaluar. Ka qenë një stinor perfekt me kuptimin e plotë të fjalës.Si mund ta përshkruash fitimin e kampionatit. Shënove të dy golat e takimit dhe të fitores për ekipin tënd, pra ishe vendimtar?
Definitivisht ka qenë momenti më i mirë gjatë gjithë karrierës sime, sepse ishte finalja e parë për mua dhe të jem unë ai që vendosi për finale dhe të shënojë 2 gola, ka qenë diçka e papërshkrueshme. Pas përfundimit të lojës, ku kanë qenë të pranishëm 50.000 tifozë, ka qenë një festë shumë e madhe, ku kemi festuar së bashku me të gjithë tifozët në qytetin e Brisbane.

Për një kohë të shkurtër u bëre idhull i tifozëve të Brisbane Roar. E prite këtë?
Prej fillimit kur e kam pasur paraqitjen time të parë në Brisbane, tifozët kanë qenë të mahnitshëm. Ata gjithmonë më kanë përkrahur dhe kanë treguar respekt të veçantë për mua, e kam parë që janë tifozë të mrekullueshëm. Më kanë dhënë shumë forcë dhe motivim, sepse në çdo moment kanë qenë pas shpinës sime, gjithmonë më kanë shtyrë që të ec më shpejt përpara.

Fitove gjithçka që në vitin e parë. Kujt ia dedikon këtë sukses?
Falënderimi pikë së pari i takon Zotit, që më ka dhënë forcë të arrijë gjithë ato çmime, më ka sjellë në Australi dhe qëndrimi im këtu ia vlejti. I falënderohem edhe familjes sime që gjithmonë më ka përkrahur, por gjithë këto çmime ia dedikoj djalit tim që me vetëm 2 vjet, ka ardhur në stadium për të më përkrahë dhe më ka dhënë forcë, duke mos munguar në asnjë ndeshje.Ueb-faqja zyrtare e FIFA-s jua kushtoi një faqe speciale. Aty ke deklaruar se po e jeton ëndrrën. E kushtëzoi kjo nënshkrimin e kontratës së re dyvjeçare?
Mënyra se si ekipi dhe stafi i Brisbane Roar më ka respektuar dhe përkrahja e tifozëve më shtyri që të vazhdoj kontratën, pasi që unë këtë e kam kërkuar në Evropë, besim nga trajneri dhe respekt, sepse pastaj kam shumë forcë që të vazhdoj përpara, kjo është shumë me rëndësi për mua, respekti dhe vlerësimi i mënyrës se si unë luaj. Gjithashtu edhe jeta në Australi është shumë e mirë, unë dhe familja ime e ndiejmë veten shumë mirë këtu edhe kjo është me rëndësi.

Në edicionin e sivjetmë ke vazhduar me gola. Deri tash ke shënuar 14 gola, gati sa gjysma e golave të ekipit. Si e sheh pjesën e mbetur të kampionatit?
Unë jam gjithashtu i lumtur me këtë sezon. Deri më tani kam shënuar 14 gola dhe jemi në Top 6 që është kualifikimi për finale, pasi që për mua është me rëndësi të vazhdoj me paraqitje të mira, e jo vetëm një sezoni, d.m.th., vazhdimi i kontratës ka qenë një vendim i saktë pasi që prapë u tregova shumë mirë, edhe këtë sezon.Sa i përket Kombëtares shqiptare, kur do ta shohim Berishën sërish me fanellën kuqezi?
Unë e dua dhe e respektoj shumë Kombëtaren tonë. Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj për Kombëtaren, ka qenë një ndër ëndrrat e mia dhe të familjes sime që të më shohin me fanellën kuq e zi. Por kanë qenë disa momente të këqija dhe as sot nuk e kuptoj, pse nuk kam luajtur shumë. Për momentin jam shumë larg që të vij për një ndeshje dhe të kthehem dhe të luaj prapë këtu, nuk besoj që mund të jap 100% nga vetja ime, pasi fluturimi është i gjatë prej 27 orësh, mirëpo shpresoj që kur të jem më afër Evropës, me shumë dëshirë do të rikthehesha në Kombëtare dhe të luaja për vendin tim, pasi që aty e ndiej veten shumë mirë. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.