Doli numri i ri i “Metaforës”

8:16 / 13.04.2013

Në vazhdën e veprimtarisë së saj, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës nxori numrin e radhës të revistës letrare “Metafora” (2, 2013).

Këtë herë janë paraqitur punime shkencore, letrare, biseda dhe punime të tjera artistike që këtë revistë e bëjnë më të afërt e më të pëlqyeshme. Prof. Abdyl Kadolli në punimin e tij “Vetëmohimi ontologjik e artistik” bën fjalë për veprën letrare të veprimtarit e shkrimtarit Adem Demaçi. Prof. asc. dr. Begzad Baliu trajton figurën e Fan Stilian Nolit dhe shekullin e Pavarësisë, kurs prof. dr. Besim Rexhaj trajton “Letërsinë dhe sfidën e integrimit shpirtëror kombëtar” në kumtesën e tij.

Një qasje të veçantë për artin ngërthen punimi i Giada Kukës, “Interpretimi, frymëzimi dhe llogarimbajtja”, ndërsa prof. Vjeran Zuppa ndalet te “Fillesat e trajtimit të analizës formale të dramës”, përgatitur për revistë nga A. Gërguri.

“Si prezantohet poezia botërore nëpërmjet botimeve antologjike” është titulluar vështrimi i Bedri Halimit, kurse prof. dr. Astrit Bishqemi ka botuar punimin “Anton Pashku në botën e letërsisë për fëmijë”. Punime të kësaj natyre janë edhe “Dashuria si ndjenjë dhe dashuria si jetë” i prof. dr. Anton Berishës, “Esencialiteti i esesë” i Valtko Pavletiqit, “Pse qenka kaq e rëndësishme poezia” e autores Bunny Iskov etj.

Në këtë numër të “Metaforës” janë botuar edhe dy biseda të shkrimtarëve të mëdhenj, Ismail Kadare (“Në Ballkan është thirrja e gjakut”), ajo e nobelistit Okatavio Paz (“Ç’është moderniteti?), si dhe biseda me prof. dr. Rami Memushjan “Një ‘ë’ me kosto shumë të lartë”, ku inkuadrohet dhe prof. dr. Primo Shllaku. Janë botuar dhe tri tregime “Liqeni i lotve blu” (Xhevahir Cirongu), “Mjegulla” (Riza Haziri) dhe “Një ushtar i mirë i Milosheviqit” (Avni Dehari).

Në “Metaforën” e re janë botuar disa vështrime për librat: “Logjika e ri prezantimit artistik” i dr. Fatmir Terziut (për romanin “Vonë... tejet vonë” të Vilhelme Vranarit), “Diskursi lirik” i Ahmet Selmanit (për vëllimin poetik “Varg vese” të Delvina Kërlukut) dhe “Urna me kapakun e mordjes” i Bilall Maliqit (për vëllimin poetik “Mbyllur në urnë” të Qerim Arifit). Janë botuar edhe dy shkrime të tjera, “Strindbergu - ndër shkritmarët më të njohur” i Rizah Sheqirit dhe një shkrim kushtuar shkrimtarit të ndjerë, Skënder Hasko.

Një vend të mirë edhe në këtë numër zë poezia. Lexuesi do të gjejë poezi të B. Londos, B. Avdylit, N. Spatharit , R. Ramabajës, Agim H. Berishës, J. Kullës, S. Keçmezit - Bashës, M. Bislimit, F. Ahmetit,S. Bycit, Sh. Prokshit, R. Gjoshit, S. Rexhepit, R. Thaçit, Sh. Rexhepit, V. Kozhanit, E. Dibrës, E. Dheskalit, D. Reshitit, E Koliqit. G. Banajt, H. Haskos, K. Rrasit, N. Doçit, S. Berishës, Q. Shehut, Sh. Hodës, N. Rexhës, V. Muçës, Y. Filipit etj., si dhe poezi humoristiko-satirike të A. Sulajt dhe F. Musait. Janë dhe ca krijime të krijuesve të mëdhenj botërorë, Pablo Neruda dhe Zhak Prever.

Pikturat e këtij numri janë të artistit e pedagogut Hajrush Fazliu.
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.