Dr. Rifat Latifi: Mjekësia kosovare, plaga më kronike e trupit tonë

10:52 / 3.06.2013

Dr. Rifat Latifi është ekspert me përvoja globale, mjek dhe profesor i mirënjohur në nivelin ndërkombëtar. Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore më me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, New York, Doha, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës. Dr. Latifi, është krijues dhe implementues i Programit të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri.

Intervistoi: Sahadete Krasniqi

Fama që ai ka, në fakt nuk është tjetër veçse një grimcë e vogël e gjenialitetit të tij. Është Laureat i Çmimit Prestigjioz dhënë nga “IDG’s Computerworld Honors Program”, më 2011. Dr. Latifi ka botuar 9 libra për mjekësinë dhe është autor i mbi 100 artikujve shkencor.
Prof. Latifi, tani ju keni arritur majat e mjekësisë moderne në SHBA dhe për sukseset tuaja krenohen gjithë shqiptarët. A mund të na thoni, si rastisi që të shkoni në shtetin e ëndrrave, siç është SHBA?
Dr. R. Latifi: Ju faleminderit për këtë që thoni. Nëse unë ndonjëherë bëj diçka që të gjithë shqiptarët mund të krenohen, kjo do të jetë piedestali që unë kam arritur, si shqiptar, si individ, dhe si intelektual. Rruga ime nga këtu deri në Arizona është njësoj si rruga e çdo shqiptari dhe çdo intelektuali tjetër që ka shkuar atje. Kam shkuar më 8 prill 1985, u vendosa fillimisht në Nju-Jork. Në kërkim të mundësisë që të merrem me shkencë të mirëfilltë, në kërkim të pushtimit të horizonteve të reja klinike, në kërkim të lirisë intelektuale dhe shkencore, të gjitha këto elemente që mungonin në Kosovën e viteve të 80-ta. Më vonë në Teksas dhe ne Filadelfia, dhe për disa vite u mora me hulumtime shkencore në kirurgji, sidomos me operacionet e komplikuara, pastaj me një degë të re për mua, siç ishte ushqimi i të sëmurëve në gjendje të rëndë kirurgjike, bashkë me profesorin e njohur Stanley J. Dudrick. Ai ishte dhe mbeti mentori im.
Kam shkuar në Amerikë për një kohë të shkurtër dhe për t’u kthyer sërish, derisa të përmirësohen kushtet në klinikën ortopedike, ku unë isha në specializim. Por, kjo kohë e shkurtër zgjati që prej 28 vitesh. Mbaj mend që më thotë një malësor shqiptar: “Të marrtë Amerika me të mirë” dhe, ne shqiptarëve, na merr me të mirë dhe na mban për një kohë të gjatë atje. Fillova dhe mbarova specializimin në Kirurgji të Përgjithshme, një vit në Klinikën e Klivelandit, e pastaj në Universitetin Yale, që të dy këto institucione, nga më të mirat në botë. Subspecializimin në Traumatologji të përgjithshme dhe kujdes intensiv ose reanimacion, e mbarova në New York College of Medicine. Pas specializimeve shkova në Richmond, Virxhinia për një kohë dhe për 13 vitet e fundit, jam vendosur në Tucson, Arizona, në Universitetin e Arizonës, ku jam profesor i Kirurgjisë. U bëra profesor i Kirurgjisë, për pesë vite nga dita kur mbarova specializimin. Puna shkencore dhe hulumtimet para, por edhe gjatë specializimeve, u shpaguan. Unë jam anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe pata fatin që këto 7 vitet e fundit të jem president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës. Në këtë kolegj, jam anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Duket se ishit me fat kur morët një guxim dhe pse jo, vetëbesim, për të kaluar Atlantikun me synimet për të arritur aty ku jeni sot?
Dr. R. Latifi: Vendimi për t’u larguar nga Kosova, ishte shumë i vështirë, ishte një vendim i rëndë, që e mora pas shumë netëve pagjumë! Ajo që më ndihmoi të marrë këtë vendim nuk ishte vetëm shpirti aventuresk, ai shpirti i ushqyer nga librat e Xhek Londonit dhe Heminguejt, por shumë elemente që përmenda më parë. Kërkesa ime shpirtërore për liri krijimi klinik shkencor dhe kreativ, të shkruaj, të redaktoj dhe krijoj libra, të pushtoj horizonte të reja të mjekësisë dhe ta vë këtë pasuri në shërbim tonin, të Kosovës, të mjekut dhe pacientit shqiptar dhe jo vetëm atij, ishin qëllimi im i vetëm. Me këtë qëllim si busulle, atëherë sikur fiton guxim të paparë, nuk ke frikë, as shpirtërore, as fizike dhe rrugët sikur hapen. Por, shkuarja në Amerikë, sikur edhe në vendet tjera, ka disa rreziqe të mundshme. Është rrezik i madh që të “merren mendtë” kur të shkosh atje dhe të mendosh se më me rëndësi është që të bësh një shtëpi të mirë, një automobil të mirë, të bësh pasuri, të bindësh të tjerët se je “gjetur mirë” dhe të mos ndjekësh edukimin, shkollimin e sërishëm, profesionin tënd dhe të mos ndjekësh ëndrrat tuaja. Unë nuk e pata këtë rrezik, asnjëherë. Gjithmonë e kam pyetur veten, çka do të ndodh nëse e bëjë këtë, por çfarë do të ngjajë nëse nuk e bëjë këtë. Miku im Milazim Krasniqi, tash shkrimtar i njohur, më shkroi letrën e parë në “kurbet” (atëherë kur ende shkruheshin letrat) dhe më thoshte se kam bërë një sakrificë të madhe. Ishte kjo sakrifica e madhe që më udhëhiqte për çdo ditë, për çdo natë, për çdo moment të jetës dhe punës time në SHBA dhe jo vetëm atje. Edhe atëherë kur kisha suksese të mëdha, edhe atëherë kur nuk kisha suksese apo disfata personale, me zili kam ruajtur atë sakrificën e madhe!Si u gjendët në mjekësinë amerikane dhe si e krijuat identitetin tuaj si ekspert?
Dr. R. Latifi: Me punë të pandërprerë dhe me pak fat, njeriu mund të bëjë shumëçka. Por, duhet shfrytëzuar momentin dhe çastin. Gjithçka është një çast në Jetë, dhe, këtë duhet prekur, palpuar, shfrytëzuar, pastaj duhet trajtuar me zili dhe duhet shtuar përmbajtje të re, të ushqehet me punë të madhe e të pandërprerë. Nuk mjaftoi fakti se unë pata rastin të punoja me një kirurg të madh, si bashkëpunëtor shkencor. Ai, shefi im, kishte pasur dhjetëra specializantë dhe bashkëpunëtor më parë. Të gjithë më të mirë se tjetri. Unë nuk isha më i mirë se ata! Por, unë dëshiroja suksesin në kirurgji më shumë se ata. E kisha atë letrën dhe motivin e sakrificës si fener të natës.
Nuk mjaftoi se unë mbarova pastaj specializimin në Universitetin e Yale. Për të pasur sukses, duhet rindërtuar atë që mësuan mësuesit tuaj. Ushqimin parenteral kirurgjik, telemjekësinë, mësimin virtual, rekonstruktimin e defekteve të mëdha në abdomen, ndërtimin e sistemeve të mjekësisë nëpër vende në zhvillim duke e përdorur teknologjinë e zhvilluar dhe të avancuar- asnjërin nga këto, përveç këtyre dy të fundit, unë nuk i kam zbuluar. Por, i kam bërë më të pasura për njerëzimin, me studime, me kreativitet, që Amerika më lejonte. Ajo, liria e kreativitetit, nuk është vetëm fakti se të lejohet të bezdisësh nëpër rrugë lirisht, pa të ndaluar ndonjë polic serb, e as ngase unë kam pasaportën amerikane. Ajo do të thotë, se ke mundësi të krijosh një platformë që të mundësohet të krijosh. Por, edhe kjo kërkon sakrifica të mëdha. Nëse dëshiron të bësh shkencë, asnjë spital në Amerikë nuk të thotë, se ti mund të shkosh në laborator dhe të krijosh diçka të re, pa punuar klinikisht, njëjtë si të gjithë kolegët tuaj. Pra, duhet të mungosh në lojërat e fëmijëve tuaj, në darkat e familjes, në mbrëmjen e teatrit që shumë e do. Duhet të sakrifikosh. Dhe, nëse do të bësh edhe më shumë nga jeta shkencore dhe ta zëmë, duhet të prezantosh në tubime shkencore nëpër botë, apo sikur në rastin tim, edhe do të “kthehesh në shtëpi”, të bësh ndonjë punë ose projekt tjetër, mos të të thotë mendja se koleget tuaj amerikan, apo të tjerë, do të thonë, “shko Ti në Kosovë e puno, se ne i bëjmë punët tua këtu, kujdesemi për pacientët tuaj dhe ua mbajmë ligjëratat studentëve tuaj”. Jo, jo! Ti duhet të krijosh një hapësirë që në fakt, të lejon të punosh 26 orë në ditë. Me një fjalë, dita ia vjedh ditës, disa orë. Këto janë orët tua të vjedhura nga dita e re. Haraçi i suksesit është i madh. Nëse ke fat si unë që fëmijët dhe gruaja (ose burri) të të mbështesin 100%, atëherë, ajo që mund të bësh nuk ka kufi. Lumturia që vie nga stimulimi intelektual dhe suksesi intelektual është afrodiziaku më i fuqishëm për trurin dhe qenien njerëzore.

Në këtë kontekst, Amerika a iu ka ‘dalë hakut’, apo ju me punën tuaj jeni imponuar në këtë profesion?
Dr. R. Latifi: Amerika, si përmbajtje, si koncept respekton dhe mban mend “hakun”, dhe ajo më ka dalë hakut. Ajo që unë kam bërë për Amerikën, shpjegohet me jetët, që si kirurg traumatolog, kam arritur t’i shpëtoj dhe njerëzit që kam ndihmuar. Nëse e kam shpëtuar edhe vetëm një jetë, nëse vihem shpesh në pozitë të ndihmoj një njeri të lënduar, një njeri që ballafaqohet me vdekjen para syve tuaj, ndërsa ti ia ndërron fatin në tavolinën e operacionit, atëherë edhe unë ia kam paguar “borxhin” asaj. Ngase edhe jeta e një njeriu në Amerikë çmohet shumë, atëherë me gjasë, jemi baras. Me fjalë tjera, për mua, jeta në Amerikë dhe marrëdhënia ime me Amerikën, është simbolikë e bashkëshortësisë. Secili e bën punën e vet dhe jeta vazhdon. Nuk është ideale në çdo lëmi, në çdo kohë. Sot të pëlqen, nesër është ndryshe, por bashkëshortësia është një simbiozë sinergjike e ndërtuar rreth qëllimit të përbashkët.

Interesimi juaj për bashkëpunim me Kosovën, çka do të thotë për ju, nostalgji apo obligim për atdheun?
Dr. R. Latifi: Nuk e kam të qartë nëse mund ta dalloj në mendjen time njërën nga tjetra, qartazi Sa më larg vendit tënd, më shumë nostalgjik bëhesh. Ky është fakt. Shiko të gjitha fytyrat shqiptare historike. Shumica kanë qenë jashtë vendit dhe kanë qenë të inspiruar nga këto dy elemente. Nëse nuk mund t’i ndajë nga njëra tjetra, atëherë sikur unë kam të dyja. Por, më shumë të dytën. Obligim. Është obligim yni që kudo të jemi, të punojmë për vendin tonë. Nuk ka obligim tjetër më të ndershëm dhe më të madh për njeriun. Sot, sidomos sot, është shumë më lehtë të punosh për vendin tonë. Veje vendin tënd para interesave tuaja shumë të vogla personale dhe puna të lehtësohet, mendja të qartësohet. Dyert e botës të hapen më lehtë. Qëllimet arrihen më shpejt. Sot, Kosova është në një gjendje krejt tjetër nga koha, një çerek shekulli më parë. Kemi nevojë për ndërtimin e lirisë dhe të prosperitetit. Ne, intelektualët kemi obligim ta promovojmë dhe sendërtojmë këtë liri. Ne jemi fryt i kësaj toke, i kësaj shkolle, ne i kemi borxh Kosovës. E borxhet duhet të kthehen. Të gjithë e dimë këtë. Nëse dikush mendon ndryshe, atëherë ai ose ajo, duhet të marrë shembullin e jevrejëve.

Ju keni realizuar një projekt madhështor në Kosovë, Telemjekësinë. Ç'farë do të thotë projekti praktikisht për pacientët në Kosovë dhe në vendet tjera?
Dr. R. Latifi: Telemjekësia është dhënia e kujdesit mjekësor në largësi. Nëse pacienti është në një vend dhe mjeku është në një vend tjetër, atëherë përmes telemjekësisë bëhet e mundur që pacienti të marrë shërbimin mjekësor. Pra, ne dërgojmë mjekun virtualisht tek i sëmuri. Kjo është esenca e kësaj metodologjie. Mund të aplikohet në çdo lëmi. Për shembull, në qoftë se infermierja ose mjeku i përgjithshëm e ka vënë stetoskopin në kraharorin e pacientit, ne mund ta dëgjojmë në çfarëdo distance, njëlloj sikur të ishim prezent aty.
Në programin e Telemjekësisë së Kosovës, që tashmë janë bërë shembull për botën, ne kemi katër pika kryesore. Krijimin e infrastrukturës, kapacitetin njerëzor, edukimin virtual dhe konsultat mjekësore në distancë. Këtë model tash po e përdorim në vendet tjera nëpër botë. Sapo filluam edhe me implementimin e saj edhe në Shqipëri.

Telemjekësia, a është duke u aplikuar dhe zhvilluar ashtu siç e keni menduar ju?
Dr. R. Latifi: Në muajin maj të vitit 2000, unë pata fatin të riprezantoja SHBA-të në takimin e G8-shit në Berlin, në Konferencën finale të shëndetësisë. Unë fola për “Anatominë e vdekjes dhe shkatërrimit të Kosovës: Si mund të rindërtojmë Sistemin e Shëndetësisë së Kosovës”. Më 10 dhjetor, 2002, ne hapëm Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës, qendrën më moderne të telemjekësisë në vendet në zhvillim në botë. Në tetor të vitit 2007, ne lidhëm të gjitha spitalet rajonale të Kosovës dhe u bëmë, de-facto, i vetmi shtet në botë që kemi të gjitha spitalet kryesore të lidhura me rrjetin e telemjekësisë. Më 10 dhjetor 2010, nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë, për herë të parë lidhëm gjashtë spitale të Shqipërisë: Tiranën, Kukësin, Shkodrën, Durrësin, Vlorën dhe Korçën.
Ndryshimet e mëdha në mjekësi janë pjesë e politikës shëndetësore, sociale, ekonomike, kapacitetit të vendit dhe sfidave që kemi para nesh. Andaj, ndonëse kemi disa vite që kemi filluar, në të vërtet ne jemi në fazën hulumtuese, sepse sapo kemi filluar. Na duhen disa vite për ta bërë këtë ashtu siç e kemi menduar. Mundësitë e programit të telemjekësisë janë thjeshtë, shumë të mëdha. Më 10 dhjetor, 2012, festuam “Një dekadë të Telemjekësisë në Ballkan”. Nëse mjekët tanë nuk e shfrytëzojnë për pacientët e vet, u hynë në borxh atyre. Ne duhet të krijojmë platformë që ata (mjekët dhe infermieret) ta përdorin për të mirën e pacientit. Edhe praktikisht, por edhe me ligj.A mendoni se ka vend për të ndryshuar në mjekësinë kosovare?
Dr. R. Latifi: Mjekësia kosovare nuk është mjekësi e njeriut të shekullit XXI. Është bërë plaga më kronike e trupit tonë. Është fatkeqësia jonë. Nuk mund të krahasohet as me SHBA-të, po as me vendet në rajon. Kuadrot tona që dikur ishin të shkëlqyeshme, tash janë mediokre, për të mos thënë të mjera. Ne (mjekësia kosovare, sidomos) jemi bërë burim i të ardhurave të vendeve në rajon dhe më tej, ndërsa për çdo ditë ne vjedhim vetveten, diturinë që do të duhet ta kemi, e vjedhim njeriun tonë. Mjeku ynë varfërohet për çdo ditë nga aspekti shkencor. Më nuk kemi ekspert. Prejse është krijuar kombi ynë, gjendje më të mjerueshme, në mjekësinë shqiptare nuk ka pasur. Lutem ta kem gabim. Se, ne duhet ndërruar këtë gjendje urgjentisht, nuk ka asnjë dyshim. E ky ndryshim duhet bërë me vizion të largët, të qartë, e duke vënë interesat e Kosovës para interesave tona të çastit. Si pasojë e gabimeve të mëdha në mjekësinë tonë, ne nuk kemi as kuadro, e as nuk kemi bërë investime të duhura. Ne kemi bërë investime në bankat e shteteve tjera, ku i dërgojmë të sëmurët tonë për shërim.

Nga opinioni i kualifikuar jeni cilësuar si shkencëtar në kirurgji. Cili është aktiviteti juaj shkencor?
Dr. R. Latifi: Unë, jam profesor i kirurgjisë në Universitetin e Arizonës, ndërsa në Doha, Katar, drejtoj krijimin e sistemit të traumës në këtë shtet. Intelektualisht jam duke e mbaruar një libër të kirurgjisë. Në të njëjtën kohë po punoj të përhapim telemjekësinë në Afrikën Lindore si dhe në xhunglën e Amazonës.

Çka do të këshillonit për të qenë një mjek i suksesshëm?
Dr. R. Latifi: Përkushtimi dhe mësimi i përjetshëm e bëjnë mjekun e mirë. Suksesi vjen më pastaj.

Faleminderit që ndatë kohën për të biseduar me ne.
Dr. R. Latifi: Ju faleminderit për mundësinë që ta ndaj këtë pjesë të jetës time me lexuesit tuaj. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.