Fadil Vokrri dhe jeta e tij larg fushës së futbollit

23:55 / 21.03.2013

Kujt nuk i kujtohet futbollisti kosovar i viteve të tetëdhjeta, ylli i dikurshëm i kësaj loje magjike, Fadil Vokrri. Ai i bëri ta admironin të gjithë tifozët e futbollit, pavarësisht skuadrës së tyre të zemrës. Konsiderohet si njëri nga sulmuesit më të mirë të gjeneratës, që impresionoi me performancat e tij. Fadili në çdo ndeshje ngriste në këmbë deri në dyzet mijë shikues, të cilët brohorisnin sikur në kor: Vokrri, Vokrri, Vokrri...

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Modest, i disiplinuar, i shoqëruar, i qetë e mbi të gjitha një talent i vërtetë, Fadil Vokrri, për njëzet vjet e mbajti më të drejtë epitetin e futbollistit më të mirë dhe idolit të dashamirëve të kësaj loje të afirmuar.
Për gjithçka që ka të bëjë më këtë lojtar të madh të periudhës së ‘artë’, lexoni intervistën që zhvilluam me të.

Z. Fadil, për ju mund të thuhet se futbollin e keni trashëgim nga babai juaj, Abdullah Vokrri, pastaj xhaxhai Selatini, por ju ua keni tejkaluar atyre...
Në planin profesional ndoshta jo, mirëpo kur kthehem pas dhe analizoj rrethanat, mund të them se koha ka lyp diçka të tillë.

Hapat e parë i keni bërë në klubin “Llapi” të Podujevës. A ju kujtohet kur e keni shkelur “tepihun” e gjelbër dhe keni marrë udhë për suksese sipërore?
Karriera ime futbollistike ka nisur sikurse te të gjithë fëmijët duke luajtur në lagje, në oborre të shkollës, ku ka qenë e mundur të luhet. Kam filluar vonë, kështu që në moshën 15-vjeçare, u regjistrova si junior në KF “Llapi”, më pas si 17-vjeçar, fillova të luaj për ekipin e parë.Menjëherë ishit bërë idhull i dashamirëve të futbollit anembanë Kosovës. Me ju Prishtina, arriti të bëhej anëtare e elitës në Ish-Jugosllavi. Duket se loja juaj ishte vendimtare për çdo ndeshje....
Po, së pari nga Llapi kam shkuar në ‘Elektroekonomi’, në Obiliq, jam kthyer sërish në Llap, sepse ky ekip ishte shumë i rrezikuar për të rënë nga liga dhe bashkë me disa përforcime “Llapi” shpëtoi nga më e keqja. Ndërkaq, në vitin 1980 në qershor, vendosa të kaloj në radhët e “Prishtinës”.
Lojërat vendimtare ka qenë me Napredakun e Krushevcit, e pastaj me Lirinë. Kontributi im ka qenë i madh, por edhe tërë ekipi ka qenë i motivuar për fitore.

Në kohën tuaj në ulëset e stadiumit të Prishtinës, kishte deri në 40 mijë shikues. Madje, të gjithë ata vinin për të parë artin tuaj të lojës magjike. Si ndjeheshit kur i tërë stadiumi brohoriste stadiumit tuaj?
Sigurisht që është një kënaqësi e madhe. Unë kam pasur edhe fat, sepse të bësh një unanimitet në futboll është e pamundur, por ka qenë kohë e pakohë, në atë kohë. Në stadium janë shfaqur edhe emocione tjera ekstrasportive. Unë jam i lumtur që kam qenë pjesë e atyre proceseve që s’kanë pasur të ndalur.
Ta them edhe një tjetër fakt, është e vërtetë që kanë qenë të pranishëm edhe 35-40 mijë shikues, por shumica nuk kishin ardhur vetëm për të parë sport, aty.

Na kujtohen golat tuaj, sidomos kundër ‘Dinamos’ së Zagrebit, e veçanërisht kundër ‘Zvezdes’, në Beograd. Nga aty ju e arritët kulmin dhe menjëherë kaluat në ekipin e madh të Beogradit, ‘Partizani’, në të cilin poashtu shkëlqyet për disa vite. Madje u përfshitë edhe në reprezentacionin kombëtar. Si i përshkruani ato ditë të shkëlqimit tuaj?
Unë, para kalimit në Partizan, e vlerësova se kisha arritur zenitin në klubin e Prishtinës, ishte koha që të kaloj diku tjetër. Ndoshta, duhej që Prishtina të lirohej nga sindroma Vokrri, por edhe Vokrri të lirohej nga përgjegjësitë e mëdha.
Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. E kam ndjerë veten shumë mirë, si në atë kohë, edhe tash. Unë kam qenë përfaqësuesi i vetëm shqiptar që ka veshur petkun e reprezentacionit të Jugosllavisë në atë kohë. Ma merr mendja se kam qenë përfaqësues i denjë i shqiptarëve, i vetmi dhe i fundit.Si anëtar i reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, goli i juaj kundër Luksemburgut në minutat e fundit e qoi këtë vend në Kampionatin Evropian. Vlen të theksohet edhe deklarata e portierit të Luksemburgut kur kishte thënë: “Edhe po të ishin edhe pesë portier në portë, nuk do ta mbronin golin e Vokrrit”?
Ishte një kënaqësi, por nuk duhet harruar se ai ishte një ekip i vogël që quhej Luksemburg. Atje luhej vetëm futbolli amator, edhepse, amatorët dinë nganjëherë të befasojnë.

Te Partizani i Beogradit, bashkë me ju, cilët kanë qenë futbollistët e tjerë shqiptarë që shkëlqyen në kohën e ish-Jugosllavisë?
Mund të them se Partizani ka qenë një ekip gjithherë i hapur, pa nacionalizëm, që ka pasur futbollistë mjaft futbollistë kosovar. Do të përmendja Zenun Brovinën, Luan Prekazin, Xhevat Prekazin, Isa Sadriu, Kujtim Shala, Fahrudin Jusufin, i cili ka qenë lojtar kyç dhe mbrojtësi i parë në botë që ka bërë lojë ofensive.

Ka patur momente kur si anëtar i Partizanit, keni luajtur kundër ‘Flamurtarit’ të Vlorës. Çfarë ndjenje ishte kjo?
Ka qenë shumë vështirë...larg demokracisë. Kur ne morëm rrugën për Shqipëri, kishte shumë sigurim në ekspeditën tonë. Unë vërtetë e kisha vështirë, por ne që jemi profesionistë duhet t’i abstragojmë këto gjëra dhe duhet të dish sesi të veprosh.

Nga Beogradi keni kaluar në Francë, ku keni luajtur si futbollist aktiv e më vonë edhe si trajner, për t’u kthyer më vonë në Kosovë, si kryetar i Federatës së futbollit. Ku gjendet sot futbolli ynë?
Nuk duhet harruar këtë periudhë 20 vjeçare...kanë shkuar dy gjenerata që nuk i kemi parë, që në zhargonin tonë i quajmë, dy gjenerata të ‘livadheve’, apo të fushave të improvizuara. Prandaj, mendoj që futbolli jonë ka dhënë një ndër provimet më të vështira dhe, me arsimin, kanë qenë dy segmentet kryesore të shtetit që sot ne e gëzojmë. Është vështirë të flitet për profesionalizëm në ato rrethana dhe puna nuk është stimuluar. Kemi probleme si të gjitha shtetet në tranzicion, por po ecim, edhe pse do të doja që kjo ecje të bëhet më shpejtë. Edhe në këto kushte, ne po angazhohemi që ta shpejtojmë këtë proces të pandalshëm.

Kur do ta shohim kombëtaren tonë në Evropë? A ka Kosova futbollistë cilësor për ta patur një kombëtare kualitative dhe dinjitoze?
Në bazë të potencialit që kemi këtu dhe jashtë në mërgim, në do ta bënim një përfaqësuese mjaft të fortë, ndoshta do të ishim krahas Kroacisë dhe Serbisë. Ne kemi lojtarë që luajnë në Suedi, Zvicër, Gjermani, etj., dhe sikur këta t’i mblidhnim, do të bënim një kombëtare të mirë.Edhe vëllai i juaj, Adili, është marrë me futboll, por ju shpresoni që do t’u trashëgojë dikush në këtë lojë aq të afirmuar?
Mendoj që tek ne është bërë një traditë familjare, mirëpo unë një kohë të gjatë jam jashtë vendit, fëmijët e mi, Gramozi dhe Alberti luajnë në nivele të ulëta në Francë. Unë jetoj me bashkëshorten Eliden, vajzën Albanën. Djali dhe vajza kanë përfunduar fakultetin, djali tjetër është në shkollë të mesme. Megjithatë, unë e as bashkëshortja nuk kam insistuar që ata të bëhen futbollistë, sepse duhet vullneti, talenti, puna...

Ju kemi dëgjuar shpesh duke kënduar me Ismet Bogujevcin, Afrim Muçiqin dhe Xhevdet Pecin. Natyrisht kënga ka qenë hobi, kurse futbolli profesion jetësor. Ia keni parë hairin futbollit?
Sigurisht që unë me futboll i kam arritur të gjitha, jo vetëm afirmimin, por edhe ekzistencën, kam shëtitë botën, kam miq kudo dhe me funksionin që kam sot, kam respekt të madh për futbollin.

Cilat janë tiparet që duhet t’i ketë një futbollist për të qenë komplet?
Për të qenë një futbollist komplet, së pari duhet të ketë tipare njerëzore. Një futbollist që nuk ka edukatë familjare dhe shoqërore, shumë vështirë do të depërtoi, pastaj duhet punë, disiplinë, talent....

Si duket dita e një futbollisti? Cila është menyja e tij dhe sa orë ushtrime në ditë kërkon?
Ne kemi pasur një disiplinë dhe beneficione të cilat kanë ndikuar në aftësitë tona sportive, mirëpo sot një futbollist me të ardhurat që merr, e ka shumë vështirë që të sigurojë meny me vlerat e nevojshme. Futbollisti që nuk ushqehet mirë, nuk ka kalori dhe nuk mund të ndjekë trendet e futbollit në botë.
Në kohën time, stërvitjet kanë qenë të programuara, mirëpo sot, për shkak të kushteve që kanë klubet, pavarësisht që kanë disa sponsorë, nuk mund t’i obligosh që të bëjnë dy herë ushtrime në ditë. Pastaj ndikon edhe aspekti psikologjik, motivimi...që harxhohet.

Cili lojtar është idoli juaj, nëse keni idol?
Për mua idol i të gjitha kohëve është Johan Cruyff. Filozofia e tij në lojën e futbollit, ka vënë themelet e lojës së Barcelonës që luan në këtë mënyrë.

A keni ëndërruar, p.sh., të luani në Barcelona, Real, Milan, Manchester…?
Në atë kohë ne nuk kemi pasur ambicie për të shkuar diku tjetër. Koha na ka lyp neve, por edhe për çështje tjera që i përmendëm më herët. Në kishim një arenë të vetme ku mund të ndjeheshim mirë.

Cilin klub e adhuroni më së shumti aktualisht dhe cilin futbollist?
Barcelona është art, është kënaqësi ta shohësh kur luan. Aty është Messi.A mendoni se edhe në futboll ka hyrë korrupsioni? Mos i kanë këtu fajet bastoret, që duket se janë bërë makina për shpëlarjen e parave të majme?
Është një dilemë që na preokupon të gjithëve. Ka raste që janë gjetur fajtorët dhe janë dënuar, por kjo e dëmton futbollin. Edhe në kohën time, nuk i përjashtoj raste e tilla, por sigurisht kanë qenë të izoluara.

Si të shërohet ky fenomen që po e dëmton kaq shumë këtë art?
Janë marrë disa hapa konkret nga FIFA dhe UEFA dhe së bashku me Bashkimin Evropian që të bëhet një ‘Task Forcë’, në krye të të cilit gjendet legjenda Franc Bekenbauer, dhe shpresoj që pa një konsensus me Platini, etj, për ta ndalë këtë fenomen që e dëmton imazhin dhe futbollin, do të jetë vështirë.

Edhe atëherë futbollistët e kanë bërë jetën e ashtuquajtur të natës dhe shpesh nuk e kanë përfillur disiplinën, gati ushtarake. Megjithatë, shpesh keni përfunduar në karantinë. A është e vështirë jeta e futbollistit, kur dihet se duhet t’i lë anash shumë qejfe, sikurse janë cigarja, alkooli, aventurat, etj?
Sigurisht, sikur të gjithë të rinjtë tjerë, edhe unë e kam ndjekë kënaqësitë që të ofron jeta dhe i kam bërë të gjitha. Nuk kam qenë imun, por edhe sot do ta bëja të njëjtën... /Telegrafi/
 

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.