Gjelosh Gjokaj, liriku plot fantazi

12:02 / 1.05.2013

Gjelosh Gjokaj, është ndër krijuesit më të veçantë dhe të afirmuar, krahas Ibrahim Kodrës. Gjeloshi ka një dashuri të pakufishme për artin, përgjithësisht, por veçanërisht për pikturën dhe grafikën. Ngjyrat e tij nuk do të shlyhet kurrë, sepse i ka të theksuara dhe të magjishme.

Bisedoi: Smajl Smaka

Maestro Gjelosh Gjokaj, ka më shumë se pesëdhjetë vjet që është prezent në artet pamore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. I lindur në Milesh të Malit të Zi, me 25 gusht 1933, ai sakaq i hapi horizontet e afirmimit, fillimisht në Prishtinë, ku themeloi degën e grafikës, pastaj qëndroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Itali, kurse aktualisht është në Augburg të Gjermanisë.

Cili është relacioni i krijuesit me vendlindjen - cili është raporti Juaj me Mileshin, me Malësinë. Sa kanë ndikuar në veprën, profilin e konceptin Tuaj artistik ambienti i këtushëm, e kaluara, elementet arkaike, gjeografia, nënqielli, ngjyrat e vendlindjes njerëzit?
Në fillim të fëmijërisë kur kam menduar se arti ka një domethënie, nuk i kam dhënë shumë rëndësi fantazisë fëmijërore. Porse, kur kam nisë me u pjekë, të merrem me art, sigurisht jam frymëzuar nga ngjarjet e fëmijërisë si element kryesor për artin tim figurativ. Psh. Ambientet e katundit që i kam përjetuar si fëmijë, kanë qenë elementet kryesore, ngjyra e çagjës, misrit të pjekur, mishit të thatë; ngjyra e hirit që e kam përjetuar në sofër të shtëpisë të fshatit.Keni ndërtuar shtëpinë Milesh. A mendoni të ktheheni këtu, për të lënë gjurmët e ekzistencës suaj?
Unë, çdo ditë e më tepër jam duke bërë përpjekje për t’u kthyer në vendlindje dhe tash e kam sjellë punëtorinë e grafikës, që e kam pasur në Romë dhe Gjermani. Besoj, që së shpejti do të hap edhe një shkollë të grafikës në ato troje tona, sepse edhe Malësia ka një progres, njerëzit kanë filluar të konsumojnë artin figuartiv.

Si u reflektua tek Ju shkuarja në Romë, vlerësimi se “laboratori më i mirë grafikës është Gjokaj”. Në vitin 1977 fituat shpërblimin më të lartë - si piktori më i mirë i vitit në Itali. Kritikët e artit në Itali e kishin vlerësuar krijimtarinë tuaj si një surrealizëm të ri. Si u reflektua ky çmim në karrierën e pozitën Tuaj materiale?
Në Prishtinë, aty ku kam jetuar, pata krijuar një artmosferë artistike shumë të mirë me kolegët e mi, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Tahir Emra e të tjerë. Ne, krijuam një ambient të bukur arti figurativ, pastaj edhe me fillimin e akademisë dhe shkollave të artit. Porse një ndodhi private, familjare, ma prishi pak atë atmosferë, dhe një ditë prej ditësh, mora valixhen dhe u nisa për në Romë. Kam dashur dikur që të shkoja në Amerikë, por atë e gjeta në Romë. Për një kohë të shkurtë, punimet dhe grafikat e mia e patëm një sukses. Dalëngadalë, ia fillova punës në një dhomë të vogël, me do punime të vogla që, disa kritikë të artit, i kanë konsideruar si një vlerë. Për dy-tre vjet, u bëra një emër në Romë me ekspozita dhe shoqëri të piktorëve më famë në Itali.

Jetoni larg vendit tuaj, si i mbani lidhjet me të?
Frymëzimin nga vendi i vet, artisti e mban gjithnjë ne krah dhe përpiqet t’ia tregojë botës. Kritikët e artit e kanë gjetur gjithnjë atë thelbin fillestar prej trojeve tona në punët e mia. Frymëzimet janë nga më të ndryshmet, që nga brumi i bukës së pjekur struktura ngjyrat ambientet e katundit, oxhaqet prej nga bie hiri... Janë elemente që më kanë tërhequr dhe gjenden në pikturën time.A mund të rikujtoni ndonjë nga takimet me piktorët e mëdhenj Pikason, Dalin, Kodrën?
Me Ibrahim Kodrën kam pasur takime qysh në fillim, në Romë dhe gjithnjë kam pasur më të raporte të mira miqësore dhe artistike. Kam pasur shumë miqësi me piktorin Renato Gottuso, Franco Gentilini, dhe një grup piktorësh shumë me rëndësi për Romën. Pastaj, më 1972, Pikasso kishte një ekspozitë shumë të rëndësishme në Romë dhe Gottuso, i cili ishte mik i tij, më ftoi në darkë të përbashkët me Pikasson. Aty e dëgjoja atë tek shpaloste përvojat e tij. Në një moment vjen një njeri me një pëlhurë dhe i thotë: mjeshtër a po ma firmoni këtë pëlhurë? Pikasso e kundërshtoi duke i thënë se nuk e di se çfarë do të bënte pastaj më atë pëlhurë, por mori një laps, ia bëri një portret shumë të bukur, ia firmos dhe pasi ai e pagoi, Pikasso, na thotë: ‘tashti jeni mysafir të mi’.

A mund të tërhiqni një paralele mes grafikes e pikturës?
Për mua, grafika ka qenë një teknikë që më ka ndihmuar shumë në pikturë. Grafika lidhet me vizatim, vizatimi me grafikë, grafika lidhet me pikturë. Është një proces, shumë, shumë i dobishëm për veprimtarinë time.

Dikur dominonte në pikturë koloriti. Tani sikur është reduktuar. Pse?
Unë dikur kam qenë adhurues i koloritit, porse unë e kam parë pikturën time të reduktuar nga ky element, sepse koloriti i tepruar e bën pikturës shumë dëme. Piktura me tre-katër ngjyra, si grafika duket estetikisht shumë më e mirë.
Pse në opusin tuaj dominon ngjyra blu?
Në pikturën time dominojnë ngjyra blu dhe e hirit. Ngjyra e hirit ka lindur prej ambienteve fshatare: hirit, tymi dhe çagja. Ndërsa, ngjyra blu, është ngjyra e lumit që e kam përjetuar në vendlindjen time.

Cili është opinioni Juaj për artet pamore përgjithësisht në Kosovë dhe sa e si komunikojnë me vlerat evropiane?
Gjithmonë e kam thënë se arti pamor i sotëm i Kosovës, është shumë i zhvilluar, ka talent të mëdhenj, porse ne nuk kemi pasur mundësi t’ia imponojmë Evropës vlerat tona si duhet dhe gjithnjë kanë mbetur pak lokalistë.

Si janë reflektuar ngjarjet dramatike në fatin e shqiptarëve këto dy-tri dekadat e fundit në profilin dhe veprën tuaj tuaj?
Unë kam qenë pak larg ngjarjeve, porse dhimbjen e ngjarjeve në Kosovë e kam ndjerë në zemër. Do të vie një kohë që veprimtarinë time do t’ia kushtoj atyre ngjarjeve, por ende nuk e ndjej aq të fuqishme për të mundur të krijoj.

Çfarë u shtyri që nga pozita e piktorit të figuracionit,të formave të kaloni në abstraksion, në artin më të estetizuar?
Abstraksioni është shumë më i vështirë se figura, është shumë vështirë të bësh një harmoni ngjyrash. Në figurë ti e sheh modelin drejtpërsëdrejti, ndërsa abstraksioni vetëm me imagjinatë dhe shpirt e ndjen ngjyrën, kompozicionin dhe efektet tjera.

Si arrini të mbeteni autentik, i mëvetësishëm, që nuk i ngjanë askujt, por vetëm vetes?
Mund të lidhet kjo edhe me folklorin që e kemi, sepse folklori ynë nuk ka qenë vetëm i Kosovës, Malësisë, por i krejt Ballkanit, është shumë origjinal. Ato elemente, shumë herë i përdori në pikturën time.

Cili është raporti Juaj me Kosovën dhe me Shqipërinë, një kohë të gjatë si atdhe i munguar?
T’ua them të drejtën, gjatë gjithë veprimtarisë time në Itali, Gjermani, kam pasur dëshirë të di se si reflektohet kjo në trojet tona. Mua më duket se kohët e fundit e kanë arsyetuar, e kanë pranuar artin tim figurativ.../Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.