Krasniqi takon organizatorët e Berlinale
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Fatos Berisha dhe kryetari i Bordit, Arben Zharku, ka takuar në Berlin disa nga organizatorët e Festivalit të Filmit Berlinale, konkretisht Karin Hoffinger, udhëheqëse e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe me Nikolaj Nikitin, selektor i filmave të Evropës Qendrore dhe Lindore.Në këtë takim është diskutuar për zhvillimin e kinematografisë kosovare, për rolin dhe punën që bën Qendra Kinematografike e Kosovës. Ministri tha se kinematografia kosovare është një prioritet i tij dhe se ka një angazhim të gjithëmbarshëm që krijuesit të kenë hapësirë dhe kushte më të mira për të realizuar filmat e tyre. Ai i njoftoi organizatorët e Berlinale me disa nga punët që janë bërë deri më tash në zhvillimin e filmit.
Po ashtu, në këtë takim është folur edhe për suksesin e filmit kosovar në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, suksese këto që ministri i vlerësoi si një frymëzim për të punuar edhe më shumë. Krasniqi u shpreh i kënaqur që Republika e Kosovës, për herë të parë, është prezente edhe zyrtarisht në Berlinale. Ministri dhe organizatorët e Berlinale shprehen dëshirën që në vitin e ardhshëm në konkurrencën zyrtare në këtë festival të ketë edhe filma nga Kosova. Njëkohësisht, u konfirmua se këtë vit faza para-seleksionuese për filmat nga Ballkani Perëndimor për Berlinalen e vitit të ardhshëm do të bëhet në Kosovë. Me këtë rast ministri Krasniqi shtoi se MKRS dhe QKK do të përmbushin të gjitha kërkesat e nevojshme për realizimin e suksesshëm të këtij evenimenti.
Përveç takimit me organizatorët e Berlinale, ministri Krasniqi ka vizituar edhe standin e Kosovës në Tregun Filmik të Berlinales, ku Qendra Kinematografike e Kosovës po prezanton filmat e subvencionuar prej saj, e në të njëjtën kohë gjithë krijimtarinë kosovare në kinematografi, si dhe planet për të ardhmen.
Ministri Krasniqi pritet që të ketë takime edhe me personalitete të tjera të kinematografisë evropiane. /Telegrafi/