Kujtimet (e bukura) të Kujtimit!

23:56 / 27.06.2013

Djaloshi simpatik nga Prizreni, Kujtim Shala, një ditë kishte kuptuar se talenti i tij për futboll nuk po e linte të qetë dhe po kërkonte terren për ta demonstruar atë lojë magjike, sikurse është futbolli. Dhe, sakaq hapat e për në fushën e gjelbër i bëri tek Liria e Prizrenit, e pastaj u bë pjesë e pandarë e shumë ekipeve të mëdha, sikurse ishte Prishtina, Dinamo, etj., kurse aktualisht është në Gjermani.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Kujtim Shala, kujtohet me pietet nga gjeneratat e mëhershme të futbollit. Ai, i jepte lojës së futbollit një sharm të veçantë dhe e bënte të pëlqyeshme këtë sport. Kujtimi, është shqiptari i vetëm me licencë të trajnerëve A të DFB-se, e marrë në Hennef dhe Karslrue, së bashku me legjenda të futbollit gjerman, si Jurgen Klinsmann, Guido Buchwald dhe Krasimir Balakov, etj.

Kujtimi, ndonëse ka kohë që nuk është aktiv nëpër media, ka shumë për të kujtuar nga vitet e arta të lojës se tij me topin që aq bukur e zotëronte dhe lojën e futbollit e shndërronte në një lloj arti të veçantë. Ne i ramë në gjurmë, në Gjermani dhe para jush po sjellim këtë intervistë të rrallë.

Kujtim, sigurisht keni shumë kujtime nga sporti, veçanërisht nga futbolli. Si ishin hapat e parë?
Hapat e parë te futbollit, i fillova në Liri të Prizrenit; si 16 vjeçar hyra në ekipin e parë (liga e dytë Federative e ish-Jugosllavisë). Pas një sezoni kalova te Partizani i Beogradit, pastaj u ktheva në Prishtinë, luajta në Dinamo të Zagrebit, prej atje në Francë, Stade Rennes, si shqiptari i parë në ligën franceze. Poashtu, isha shqiptari i parë në Bundesligën gjermane, ku edhe përfundova karrierën time të bujshme.Ju, shumë shpejtë iu ratë në sy trajnerëve të ndryshëm dhe patët një depërtim, shkëlqim të rrufeshëm. Kush iu ka përkrahur në këtë drejtim?
Me lojën time komplete, me dëshirën që të bëhem futbollist i shquar dhe me renome, i kam arritur të gjitha me punë dhe angazhim. Mbështetjen morale e pata nga gruaja ime, Jehona, pa ndihmën e së cilës nuk do të kisha këto suksese, prandaj i falënderohem shumë.

Cila është rruga jote e karrierës. Kishit filluar në Prizren, pastaj Prishtinë, Dinamo të Zagrebit...si ishte kjo rrugë dhe këto suksese?
Me secilin klub kam përjetuar kujtime dhe suksese. Me keqardhje duhet ta them se kulminacionin e karrierës time e pata në Dinamo të Zagrebit. Isha i dashur nga bashkëlojtarët e mi, edhepse ishin yje botërore, si p.sh. Boban, Shuker, Mladenoviç, etj., e sidomos nga tifozët BBB (Bad Blue Boys) që edhe sot më quajnë legjendë para gjithë atyre futbollistëve që i kanë kroatët. Unë, këtë afërsi, nuk e pata në Prishtinë, 4 vite sa isha. Çudi, apo jo?!

Keni luajtur, zakonisht në sulm, madje keni bartur numrin tetë. Jeni shquar edhe për elegancë në fushë dhe për një lojë fer. A është kështu?
Unë kam luajtur nëpër disa vija të sulmit, d.m.th. 7-11. Tregoja lojë artistike, kur e kërkonte nevoja e rasti, isha edhe luftarak, por kisha një stil të veçantë: kur shënoja gola, e festoja në mënyrën time specifike.

Po ndaj jush si janë sjell kundërshtarët?
Isha më i provokuari prej të gjithë bashkëlojtarëve të mi, kudo që luaja e më së shumti në Dinamo.

Cila ndeshje iu ka mbetur në kujtesë, qoftë për të mirë, qoftë për të keq?
Ndeshja më e mirë që më ka mbetur në kujtesë ishte takimi mes Dinamos e Hajdukut. Dy ditë pasi u ktheva nga shërbimi ushtarak, u angazhova në lojë prej minutës së parë, duke shënuar golin e artë dhe përfundova si lojtar i derbit. E, në kujtesë për të keq më ka mbetur ndeshja Prishtina-Çeliku, deri atë ditë isha duke udhëhequr me gola si golgeter në ish-Jugosllavi, por nuk e pata përkrahjen e bashkëlojtarëve të mi që ta mbroj titullin e golashënuesit më të mirë.

Si ishte të luhej atëherë futboll, e si është tash?
Unë mendoj se në kohën time ka qenë shumë më vështirë të luash se sot, sepse lojtarët e sotëm janë më të privilegjuar nga mediet.

Keni krijuar familje, nga sa anëtar përbëhet ajo?
Po jam i martuar qe 26 vite, bëj jetë të lumtur me Jehonën që e dua pa masë, sepse ajo më dhuroi 4 fëmijë të shkëlqyer, 2 djem dhe 2 vajza (Teuta, Andisi, Janina dhe Romani 3 vjeç).

Duket se djali juaj, tashmë po dëshmohet si një talent i futbollit dhe shpresë e së ardhmes për këtë fushë. Stërvitja e tij që në moshë të vogël i ka dhuruar një talent dhe një shans më të madh premtues në lojën e fushës së blertë.
Por, djali im Andisi, është duke ndjekur hapat e mi, ka luajtur në Dundee United Skoci, tani e kam kthyer në Gjermani në Halle Bundesliga. Unë jam shumë optimist për kohën dhe ambiciet e tij.

Ku jeni momentalisht dhe çka bëni?
Momentalisht gjendem në Gjermani dhe jam menaxhues i djalit tim, Andisit.

Futbolli ofron shumë, por edhe kërkon shumë punë dhe shumë net pa gjumë. Ju, keni përfituar nga futbolli, qoftë nga aspekti shpirtëror, por edhe material?
Nuk është fare lehtë të bëhesh futbollist, sidomos koha e sotme kërkon mund të madh si psikik, ashtu edhe fizik. Që të bëhesh futbollit profesional duhesh ta kesh talentin, punën dhe disiplinën, përndryshe kot merresh me të. Është e vërtet se nga ana shpirtërore më kënaqësi e bëja lojën, sepse isha i lindur për futboll, por edhe përfitime materiale kanë qenë, në atë kohë, maksimale.A keni patur ftesë nga Prishtina për të ndihmuar si trajner, apo prisni ndonjë ftesë dhe nëse e merrni, a do të ishit të gatshëm të vinit në Kosovë?
Unë e pata një ftesë të cilën e pranova, një vit isha trajner në Prishtinë. T’ua them të drejtën, ky ishte një gabimi imi jetësor. Besoj se më kuptoni, nuk dua të hy në detaje tjera. Vizitoj çdo vit Kosovën, është vendi im dhe jam shumë i adhuruar nga sportdashësit, mirëpo nuk ndje kënaqësi të involvohem me ata që sot e udhëheqin për biznes të tyre futbollin në Kosovë.

Ku e shihni futbollin shqiptar, në krahasim me futbollin evropian dhe botëror?
Futbolli shqiptar nuk ka nivel të kualitetit dhe nuk mund të krahasohet me asnjë ligë evropiane, neve na nevojitet shumë punë e më pak fjalë të kota.

Dhe në fund, çka duhet ta karakterizojë një futbollist komplet?
Të luaj me dy këmbët, të jetë teknikisht i fortë, i shpejtë dhe të ketë karakter të fortë. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.