LDK: Memli Krasniqi, i pari në “garën” e ministrave për rezultatet më të dobëta të vitit 2012

17:57 / 30.12.2012

Këshilli i ekspertëve për kulturë, rini e sport, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë gjatë viti 2012 ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ka shënuar disa prej rezultateve më negative në historinë e ekzistencës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas tyre, MKRS ka bërë: shkeljet ligjore, degradimi dhe improvizimi të jetës kulturore në vend, politizim të sportit dhe qasje selektive të ndarjes së investimeve kapitale në zhvillimin e infrastrukturës sportive, dështimi në aprovimin e akteve nënligjore që derivojnë nga Ligji për Sportin, mosinteresim të plotë për problemet e rinisë.

“Ka ndërruar profesionistët e mirëfilltë me militantët e tij partiakë, si dhe rekrutim të së paku 10 (dhjetë) zyrtarëve të tjerë përmes procedurave jashtëligjore, ndonjëherë edhe duke kërcënuar anëtarët e paneleve përzgjedhëse për të përzgjedhur njerëzit e tij. Të gjithë këta militantë të devotshëm që edhe më tej vazhdojnë politikën e tij shkatërruese të ministrisë”, u tha në një konferencë për shtyp të grupit të ekspertëve të LDK-së.

Buxheti për vitin 2012, në totalin e buxhetit të Republikës së Kosovës, i ndarë për MKRS-në ka qenë më pak se 1 për qind, që llogaritet si buxheti më i vogël në rajon. Ndërsa, lista e investimeve kapitale në fushën e kulturës nuk ka pothuajse fare ndryshime, u tha në konferencë.

“Ministri i Kulturës gjatë raportimit të tij për vitin 2012 e paraqet si të arritur rritjen e buxhetit për institucionet e kulturës në kategorinë e subvencioneve, rritje në 30 për qind në krahasim me buxhetin e vitit 2010. Ky është vetëm një mashtrim i opinionit, sepse në ndarjen buxhetore për këto institucione nuk ndryshon buxheti prej vitit 2010.

Qendra Kinomategrafike e Kosovës gjatë vitit 2010 ka pasur buxhetin e ndarë në vlerë prej 400.000 euro, po të njëjtin buxhet e ka pasur edhe gjatë vitit 2011 dhe gjatë vitit 2012, edhe pse në total buxheti për këto dy vitet e fundit në krahasim me vitin 2010 ka qenë në rritje për vetëm 5000 euro, por që nuk kanë përfituar institucionet e kulturës. E njëjta situatë ka qenë edhe në rastin e Teatrit Kombëtar dhe institucioneve tjera të kulturës”.

Tentimi i vazhdueshëm i ministrit Krasniqi dhe i Ministrisë që ai drejton për të politizuar udhëheqjet e klubeve e të federatave sportive, ishte evident edhe gjatë gjithë këtij viti, e po ashtu edhe tentimi për të ndikuar politikisht gjatë zgjedhjeve të fundit në Komitetin Olimpik të Kosovës është dëshmi se kjo Ministri në vazhdimësi tenton të instalojë në vendet udhëheqëse në strukturat sportive njerëz të strukturës nga partia politike e ministrit, nga PDK-ja, duke anashkaluar vlerat e profesionistët, thonë nga grupi i ekspertëve të LDK-së.

“Disa prej treguesve për gjendjen e rinisë shënojnë shifra alarmuese: papunësia në mesin e të rinjve shkon deri në 75 për qind, 42.6 për qind e tyre që janë duke kërkuar punë për më shumë se 12 muaj. rreth 3000 të rinj tanë kanë braktisur shkollën këtë vit, ndërsa në të gjitha raportet ndërkombëtare, ndër grupet më të cenueshme apo vulnerabile në Kosovë janë të rinjtë. Ndërsa, këto përqindje për femrat dyfishohen...

Cilësia e arsimit për të rinjtë në Kosovë ka shënuar kthim mbrapa gjatë këtij viti. Kjo Qeveri ka ulur edhe minimumin për kalueshmërinë e testit, që të mbulon rezultatet e këqija. Këto ‘suksese’ të ministrit Krasniqi besoj se ia sigurojnë vendin e parë në garën që është duke u zhvilluar në mes të ministrave për rezultatet më të dobëta në vitin 2012”, u tha ndër të tjera në konferencë. /Telegrafi/

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.