Në Berlin u hap ekspozita “No More” e Rrezeart Galicës
Në Galerinë Süedost Europa Kultur e. V. u hap ekspozita “No More” e Rrezeart Galicës. “Burokracia evropiane e vonoi Kosovën për në Evropë por jo edhe depërtimin e artit të Rrezeart Galicës”, ka thënë Michael Kraft, drejtor ekzekutiv i SüedostNë prani të konsiderueshme vizitorësh, mbrëmë në Galerinë Süedost Evropa Kultur e. V. të Berlinit, u hap ekspozita personale e Rrezeart Galicës e titulluar “No More”.
Në fjalën e hapjes së kësaj ekspozite, drejtori ekzekutiv i Süedost-it, Michael Kraft, preku biografinë e Galicës dhe evoluimin e tij artistik të cilin e ndërlidhi me zhvillimet e përgjithshme në Kosovën e pasluftës. Jo rastësisht, tha ai, ekspozita personale e Galicës po hapet paralelisht me fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe bart mesazhin e qartë tek evropianët se Kosova dhe populli i saj, ndonëse të vonuar pa fajin e tyre, e meritojnë liberalizimin e integrimin evropian.

Në këtë drejtim, edhe ekspozita e Rrezeartit përmbush normën dhe kap nivelin e konkurencës evropiane të artit grafik modern. Se ai ka bërë një depërtim kualitativ në madhështinë e artit modern, tregojnë punimet me reflekse të kritikës mjaft domethënëse.
Kraft interpretoi dy punimet e Galicës drejtuar misioneve ndërkombëtare në Kosovë, të UNMIK-ut (tUNg) dhe EULEX-it (EUSEX), ku nga reflektimi i tyre tregon se këto dy misione duke përgatitur Kosovën për në Evropë, në fakt, e kanë vonuar atë drejt saj.

Disa pjesëmarrës ishin të befasuar me përmbajtjen artistike të punimeve dhe kërkuan nga autori interpretim shtesë, të cilën ai e bëri në gjuhën shqipe dhe angleze duke i mahnitur të pranishmit me gjerësinë interpretuese të veprës së tij.
Për dy muaj, sa do të jetë e hapur ekspozita NO MORE e Rrezeart Galicës, do t’a sensibilizojë opinionin kritik gjerman mbi vlerën artit dhe artistëve në Kosovë. /Telegrafi/