Neki Emra thotë “A të vdes apo të pres?”
Këngëtari Neki Emra pritet që së shpejti të sjellë këngën e tij të re për adhuruesit e tij “A të vdes apo të pres?”, muzikën e së cilës e ka bërë vet artisti. Këngës është duke i punuar edhe videoklipi dhe është në fazën përfundimtare dhe ata që e kanë dëgjuar këngën deri tani, u ka pëlqyer.
Këngëtari Neki Emra, pjesëmarrës në Top Fest 9 me këngën “Një Ditë” si dhe fitues i edicionit të sivjetmë të festivalit “Zambaku i Prizrenit”, sapo e ka përfunduar këngën e tij më të re, që synon ta shndërrojë në hitin e fundit të verës.
Kënga e titulluar “A të vdes apo të pres?” është punuar si rezultat i bashkëpunimit në mes të Nekiut dhe kompozitorit të njohur Florent Boshnjaku, kompozitor i këngës “Suus” pjesëmarrëse në Eurovizion, ndërsa vargjet e këngës janë shkruar nga shkrimtari Albatros Rexhaj.
Kënga është e zhanrit baladë dhe është shumë emocionale. Nekiu ngurron të shprehet ende rreth këngës, sepse pret që këtë ta bëjnë dëgjuesit pas lansimit, por megjithatë ndihet i kënaqur me faktin se ata pak që e kanë dëgjuar kanë përjetuar emocione të veçanta.
Videoklipi i ri është duke u punuar nga kompania PinkMoon, dhe i cili videoklip do të ketë një skenar të veçantë me një temë mjaft emocionale.
“Kënga eshte e punuar me shumë emocione, duke falënderuar mikun tim Albatrosin për tekstin e mrekullueshëm, kënga lindi në orën 12:00 të natës dhe atë për 5 minuta. Ky ishte një emocion që lindi nga vargjet e shkruara nga Albatrosi. Pastaj vendosa të bashkpunoj me një ekspert shumë të madh të muzikës, Florent Boshnjakun, të cilin e vlerësoj shumë dhe për të cilin orkestrim jam shumë i kënaqur me përfundimin” shprehet Nekiu.
Klipi së bashku me këngën pritet të lansohet në fund të muajit gusht ku pritet edhe të bëhet një promovim madhështor. /Telegrafi/