Njeriu që hoqi dorë nga jeta luksoze për të ndihmuar të tjerët

21:54 / 7.05.2013

Filmbërësi Tom Shadyac, i cili dikur fitonte miliona dollarë me filmat e suksesshëm, ka hequr dorë nga jeta e pasur hollivudiane.

54-vjeçari është i njohur për skenarin dhe regjinë e filmave, si “Ace Ventura: Pet Detective”, “The Nutty Professor”, “Liar Liar”, “Bruce Almighty” dhe “I Am”.

Në vitin 2007, ai pësoi një aksident me biçikletë dhe u bë shumë i ndjeshëm në zhurmë dhe dritë, prandaj vendosi që jetën luksoze ta zëvendësojë me jetë normale.

Ai nuk jeton më në vila dhe nuk ka aeroplan privat, ndërsa shumicën e parave i ka dhuruar për t’u ndihmuar njerëzve. Shadyac do të xhirojë filmin e parë pas shtatë vitesh, mirëpo ka refuzuar milionat dhe do të përfitojë vetëm 218.000 dollarë.

“Kam bërë jetën e të pasurit dhe kam pasur vila private dhe gjëra tjera luksoze. Nuk kam pasur nevojë për aeroplan privat. Më kushtonte 44.000 dollarë për një fluturim prej një orë e gjysmë, ndërsa kjo është një shumë që dikush nuk e fiton gjatë gjithë vitit”, ka thënë regjisori, i cili ka hapur strehimore në Virginia dhe u ndihmon të gjitha organizatave që luftojnë kundër varfërisë.

“Sa më shumë që jap, aq më i pasur ndihem. Gjithçka që kam dhënë më është kthyer shumëfish. Grackat e famës dhe pasurisë janë pikërisht gracka. Askush që është shtrirë për vdekje nuk ka kërkuar më shumë para. Të gjithë thonë: ‘Jam i lumtur që kam pasur familjen që kam dashur, që kam qenë pjesë e diçkaje”, ka theksuar Shadyac për CBS. /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.