PriFilmFest, miqësia vazhdon në Berlinale
Fytyra të njohura për audiencën kosovare dhe miq të PriFilmFest-it, prezantohen në Berlinale 2012Prishtina International Film Festival është prezent në një ndër festivalet më prestigjioze në Evropë dhe botë, në Berlinale. Përmes kontakteve, takimeve të shumta dhe prezencës, stafi dhe drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha, do të përzgjedhin shumë mysafirë, si dhe do të definojnë programin e filmave për edicionin e katërt të festivalit, që do të mbahet më 22-29 shtator 2012.
“Berlinale është vendtakim kyç për çdo festival që synon të jetë profesional dhe të ofrojë kualitet. Këtu janë prezentë njerëzit kryesorë të industrisë se filmit, mediat, shtëpitë filmike, distributorët dhe shumë personalitete tjera të rëndësishme. PriFilmFest është prezent këtu çdo vit, që nga viti 2008, si në marketing e filmit (European Film Market) ashtu edhe në festival. Stafi ynë ndërkombëtarë, këshilltarët e programit, janë aktivë gjatë tërë vitit për të na caktuar takime me kompani të rëndësishme të industrisë se filmit, në mënyrë që të bëjmë përzgjedhjen sa më të mirë për edicionin e ri të festivalit, PriFilmFest 4. Berlinale sapo ka filluar. Unë do të jem këtu deri në fund dhe ndihem krenare, sepse miqtë e PriFilmFest-it nga edicionet e kaluara, fitues të festivalit tonë, këtë vit prezantohen vrullshëm në Berlinale. Kjo na bënë krenarë, sepse kemi i sjellë kualitet audiencës sonë në edicionet e kaluara, si me mysafirë ashtu dhe me filma”, ka thënë Vjosa Berisha.
Artistët e shumtë që kane defiluar në tepihun e kuq të PriFilmFest-it në Kosove, këtë vit prezantohen në Berlinale me projektet e tyre.
Regjisori i njohur gjerman, Hans Christian Schmid, i cili në vitin e parë të PriFilmFest-it ishte në konkurrencë zyrtare me filmin e tij “Stuhia”, këtë vit në Berlinale është në konkurrencë zyrtare me filmin e tij më të ri, “Në shtëpi për vikend”.
Një regjisor tjetër i cili ishte fitues i Hyjneshës se Argjendtë për film të metrazhit të mesëm në edicionin e fundit të PriFilmFest me filmin “Babai”, Umut Dag, këtë vit merr pjesë në Berlinale në programin Panorama, me filmin e tij më të ri të metrazhit të gjatë, “Kuma”.
Labina Mitevska, fituese e Hyjneshës së artë në PriFilmFest 2009 (çmimi aktorja më e mirë me filmin “Unë jam nga Tito Velesi”), do të jete prezente në Berlinale me filmin e saj me të ri, “Gruaja që I lau lotët”. Ky film do të shfaqet në programin Panorama Special dhe është në regji të Teona Mitevska, gjithashtu fituese e Mirënjohjes speciale për regji, në PriFilmFest 2009.
Regjisorët e filmave që u prezantuan në programin special të PriFilmFest 2011, Potiche dhe Nader and Simin - A separation, Francois Ozon dhe Asghar Farhadi, janë anëtarë të jurisë ndërkombëtare për film të gjatë, në Berlinale 2012.
PriFilmFest është festival ndërkombëtar i filmit të metrazhit të gjate dhe të mesëm. Këtë vit, në shtator, do ta këtë edicionin e katërt. /Telegrafi/