REGJIA, ËSHTË VETË MREKULLIA!

13:30 / 18.09.2010

Regjisorja e parë shqiptare e teatrit në Kosovë, Elmaze Nura, padyshim se mund të krenohet me punë, profesionin dhe sukseset e saja në një fushë shumë atraktive, specifike dhe jo të lehtë, sikurse është regjia. Regjia është vetë regjia, shprehet Eli, e cila me pasion, profesionalizëm, durim dhe sakrificë i ka hyrë këtij profesioni, sa atraktiv e interesant, poaq edhe të rëndë dhe me përgjegjësi.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Nuk është lehtë të dalësh para publikut, pa a e ditur se si do të pritesh, me duartrokitje, apo, larg qoftë me fishkëllima. Por, Eli ,sikur është e lindur për këtë profesion magjik dhe ka tepricë duartrokitjesh pas çdo shfaqjeje të saj.
Elmaze Nura, regjisorja e cila bën regjinë e shpirtit dhe të karaktereve të njerëzve dhe të dukurive në shoqëri, me tërë qenien e vetë është përkushtuar që regjinë ta shpie përpara, jo si në gara, por përmes punës, entuziazmit dhe prirjes, si njëfarë dhuntie e lindur!

Zj. Elmaze, në fillim na përshkruani rrugën tuaj prej regjisoreje, që nga lindja e dëshirës për këtë profesion e deri në ditët e sotme. Pra, çka është teatri për ju?
Të gjithë i kujtojmë më nostalgji ditët tona të fëmijërisë. Ajo çka fëmijët bëjnë është loja, dhe nga mënyra se si një fëmijë e luan lojën, mund të shohësh së çfarë do të bëhet kur të rritët. Edhe si fëmijë, por edhe kur jam rritur, gjithnjë kam riorganizuar gjërat rreth vetës ashtu siç kam dashur t’i shoh, jo ashtu siç kanë qenë. Arti nuk është asgjë tjetër përveç së një organizim i botës që krijuesi e fantazon. Regjia për mua është kulmi i të gjitha arteve, e për më tepër teatri është magjik, misterioz dhe elitar. Është shumë kënaqësi të punosh në Teatër.

Ju jeni femra e parë në Kosovë që keni diplomuar për regjinë në teatër, madje në afat dhe me notë të lartë. A është ky një fakt i mjaftueshëm për t’i demantuar zërat se kinse profesioni i regjisë është i vështirë për femrat.
Rrjedha e procesit mësimore është një premisë shumë e mirë për të treguar rrugën e mëtutjeshëm, por nuk është gjithçka. Në momentin kur del nga dyert e universitetit, duhet të përballësh më realitetin, ku të dy gjinitë do të garojnë në mënyrë të barabartë. Nuk jam unë ajo që domosdoshmërisht e demantoj këtë paragjykim, por ka femra më famë botërore të cilat janë treguar shumë konkurruese në këtë profesion. Mendoj se femrat janë më të vëmendshme ndaj detajeve, dhe në art kjo vlerësohet shumë.

Ajo që ju dallon nga regjisoret e tjerë është dëshira për të eksperimentuar vazhdimisht me dramat origjinale. Kjo ka dalë edhe rezultative. Përse eksperimentoni?
Unë e thash edhe më lart se mua më pëlqen që t’i shoh gjërat në mënyrën time. Prandaj edhe kur kam në dorë një tekst i cili më pëlqen, unë dua që inskenimi të jetë sa më origjinal dhe të mos i ngjaj një inskenimi tjetër. Eksperimentet i kanë dy ekstreme, ose do të të ngritin në piedestal, ose edhe mund të të rrënojnë tërësisht. Mua më pëlqen që të rrezikoj, tek e fundit edhe vet arti nuk e duron mesin. Por, fatmirësisht deri tani kam pasur sukses më të gjitha shfaqjet që kam eksperimentuar.

Keni realizuar disa shfaqje jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Nga projektet tua, çfarë do të veçosh?
Janë projekte të shumta ato të cilat i kam realizuar. Secila shfaqje ka ardhur në kohën e vet, dhe para saj fshihet një arsye pse është realizuar pikërisht ajo shfaqje. Të gjitha më kanë dhënë një kënaqësi të paparë, por sa më e vështire që të jetë rruga, aq më i vlefshëm bëhet edhe suksesi. Mund të them se përvojat që i kam pasur më shfaqje dhe prezantime jashtë Kosovës, janë më pikante. Kjo për faktin se në kemi ende barrierë të natyrave politike dhe ekonomike, të cilat e bëjnë të vështirë depërtimin e punës sonë artistike jashtë Kosovës.

Po, në film, sikur hezitoni ta provoni veten. Mendoni se nuk ka skenar, kuadro, mjete, apo...
Ne kemi skenarist dhe kuadro të mira për filmin, por na mungojnë mjetet për të realizuar projektet ashtu si do të donim. Filmi është industri në vete në të gjithë botën dhe Kosova dukët se është larg kyçjes në këtë industri. Në Kosovë, ne e kemi vetëm një kinema, ndërsa teatro kemi. Edhe pse ndihem më komode brenda ndërtesës së Teatrit, nuk e përjashtoj mundësinë që një ditë të punoj edhe në film.

Ju jeni edhe profesoreshë në Akademinë e Arteve. Si është komunikimi më studentët? A ka studentë që premtojnë dhe a ia vlen të merresh me aktrim dhe regji, sot në Kosovë?
Po, sivjet është viti i tretë, që jap mësim në Fakultetin e Artëve në Prishtinë. Jam shumë më fat që jam në komunikim të përditshëm më gjeneratat e artistëve që po vijnë. Unë përpiqem që në komunikim më studentët të mos jem autoritative. Dua që të studentët në orën time të jenë aktiv dhe krijues. Këtë përvojë të mësimdhënies, sigurisht që nuk e kam shpikur unë, por e kam bartur nga SHBA, ku kam bërë specializimin për mësimdhënie në Departamentin e Teatrit, në Universitetin e Kansasit. Se a ia vlen të merresh me aktrim dhe regji në Kosovë, padyshim që përgjigja ime është PO. Në secilën fushë përvojat janë të rëndësishme, ku më shumë se në Kosovë do të kishte brumë për artin. Ne vërtetë kemi përjetuar dhimbje, por arti është ilaçi i shpirtit dhe kjo mund të shfrytëzohet maksimalisht nga krijuesit tanë, që të bëjnë çudira. Prezantimet nga shkolla jonë janë dukë impresionuar njohësit e teatrit. Shkolla jonë, jo rrallë herë, është cilësuar si shkolla me e mirë në rajon. Edhepse ne shpeshherë ankohemi, këtë e bëjmë ngase natyra jonë artistike, na bënë të jemi pak egoist. Duam që gjerat të jenë të përkryera. Këtu dua të shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë ata studentë të ardhshëm, të cilat janë inteligjentë, të dijshëm dhe kanë një ëndërr, të marrin guximin dhe të provojnë vetën në Teatër, Dramë, Aktrim dhe Film.

Ju femrat, sikur duhet te ballafaqoheni me dy anomali, duhet te tregoni se, përveç që jeni të bukura, duhet të dëshmoni se jeni edhe të mençura. Cila është më e vështirë, të tregoni bukurinë, apo mençurinë dhe cilën e çmoni ju më shumë?
E para e punës, unë nuk e konsideroj veten të bukur. Është ndryshe se si të shohin të tjerët. Unë gjithnjë përpiqem që të tregoj intelektin tim. Bukuria fizike është një dhuratë e përkohshme, por që do të zhduket më kohë, ndërsa ajo që mbetet është bukuria e mendjes dhe shpirtit. Edhe bota mashkullore edhe ajo femërore, mund të rrëmbehen për një çast nga bukuria fizike, por nuk është ajo çka vërtet ata e vlerësojnë. Bukuria është relative, diçka çka është e bukur për mua, mund të mos jetë për dikë tjetër, e diçka çka është e bukur për dikë tjetër mund të mos jetë për mua, por bukuria e mendjes e ka një emërues të përbashkët, të gjithë do ta vlerësojnë.

Nëse nuk do të bëheshit regjisore, ku do të përfundonit, në cilin profesion?
Përveç Teatrit, kam magjistruar edhe në Gazetari dhe Komunikim. Në gazetari kam filluar pa asnjë ditë përvoje, por kam takuar miq të cilat më kanë përkrahur skajshmërisht në këtë punë. Për një periudhë kohe, jam marrë edhe me gazetarinë edhe me teatrin, por ishte e pamundur ndarja në dysh. Teatri ishte më afër natyrës sime. Edhe vetë jeta në një formë është teatër dhe, në këtë teatër prej vërteti, unë ndihem më mirë në rolin e të intervistuarit, se sa të intervistuesit. Megjithatë, nëse do duhej të hiqja dorë nga teatri, gazetaria është opsioni i dytë.

Duartrokitjet, publiku, skena...janë disa faktorë që të motivojnë dhe bëjnë që të jesh edhe më këmbëngulëse në pjekjen e zanatit?
Duartrokitjet e publikut janë një dhuratë që vetëm ai që provon skenën, mund ta dijë rëndësinë e tyre. I provove njëherë duartrokitjet, nuk mund të ndahesh nga to. Njeriu edhe ashtu është i formuar që gjërat e bukura që i provon njëherë të përpiqet t’i mbajë, ose t’i zëvendësoj, por asnjëherë t’i humbas. Teatri nuk mund të kompletohet pa publikun. Prezantimi i punës sime para publikut për mua është përgjegjësi shumë e madhe. Regjisori para se të filloj projektin i bënë vetës një mori pyetjesh: çfarë i pëlqen te një vepër, çfarë i flet kjo vepër publikut, përzgjedh pikërisht këtë vepër dhe jo një tjetër dhe shumë pyetje të tjera, të cilat vijnë e shtohen sa më shumë që ai pjekët në profesionin e vet. Suksesi në art është lloj “virusi i pashërueshëm’, nëse artisti preket njëherë nga ky sukses, nuk mund të jetoj pa e përsëritur.

Fare në fund, pak fjalë për jetën private. Të merresh me art është edhe pak sakrificë, sepse nuk ka orar këtu. Si e përballoni këtë në familjen tuaj?
Sigurisht që nuk është aspak e lehtë që të kesh familje, të jesh nënë, të jesh artiste…aq më tepër kur të gjitha rolet don t’i bësh në mënyrë të përkryer. Zakonisht përshtypja për artistin është se ai është i vetmuar dhe merret vetëm më artin. Kurse kur ke familje, duhet të kesh kohë për familjen, dhe njëkohësisht të gjesh kohën për vetën dhe artin tënd. Në anën tjetër, punë jonë është pa orar, dhe aty nga përfundimi i projektit, pothuajse të gjitha provat bëhen në mbrëmje. Por, unë kam përkrahjen dhe mirëkuptimin e plotë të bashkëshortit tim. Ndërkohë ndoshta nuk kaloj shumë kohë më djalin tim, por ajo që kaloj përpiqem të jetë sa më kualitative.


Duket se ia keni "injektuar" dashurinë për artin edhe djalit tuaj, Glaukut. Ai luajti për mrekulli në filmin "Heroi". Me të keni qenë gjatë gjithë kohës. Si e përshkruani këtë eksperiencë të tij?
Djali im po rritet në prezencën e bisedave për artin që janë temë e përditshme në familjen time. Por, nuk e kam menduar asnjëherë që djalin tim 5 vjeçar, Glaukun, ta angazhoj në projekte, qoftë teatrore apo filmike. Oferta për angazhimin e tij në filmin “Heroi”, që është një film i metrazhit të gjatë, i regjisorit Luan Kryeziu, ka ardhur e papritur. Kjo ka qenë eksperiencë e papërshkrueshme për mua. Që Glauku, është inteligjent dhe i kuptueshëm, këtë e kam ditur, por talentin e tij për aktrim e ka zbuluar Luan Kryeziu.

Ju pëlqejnë shumë udhëtimet. Në profilin tënd, mund të shohësh foto nga anekënd botës. Është një hobi juaj?
Oh, udhëtimi dhe përvojat e reja janë pikë e dobët për mua. Dhe të njëjtën dobësi e kam bartur edhe tek bashkëshorti dhe djali im. Unë nuk dua të jetoj në luks, por dua të udhëtoj. Kur them për udhëtim, nuk flas për udhëtime pune, por për pushim. Çdo rast që më jepet për udhëtim, e shfrytëzoj pa asnjë hezitim. Udhëtimi jo vetëm që plotëson një dëshirë timen të brendshme, por njëkohësisht më ndihmon që të shoh botën nga këndvështrime të ndryshme. Kjo është një përvojë që të gjithë regjisorët e mëdhenj e kanë praktikuar. Duke parë dhe përjetuar nga afër një kulturë tjetër, do jesh në gjendje që krijosh botën tënde të fantazisë në mënyrë më të plotë.

Urime, Eli dhe të ja jepni sa më shumë shfaqje të mira dhe të arrini sa më shumë suksese?
Unë dua të ju përgëzoj juve, sepse pyetjet tuaja ishin të thurura bukur, ashtu siç di të thurë vetëm një poet. Faleminderit! /Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.