Sabri Fejzullahu, këngëtari i pranverës së Prishtinës

5:43 / 22.04.2013

Sabri Fejzullahu, një ndër zërat më të bukur të muzikës shqiptare, shpalos të fshehtat dhe mrekullitë e jetës së tij të këngëtarit, humoristit dhe shou-menit.

Shkruan: Gazmend Kajtazi

Me mustaqe tashmë të thinjura, shikim babaxhani dhe më se 47 vjet skenë në bagazhin e tij, Sabri Fejzullahu e ka ndërmend që të mbetet në estradë edhe për shumë vjet të tjera. Tek flet me një zë të qetë, si pak kush tjetër, ai ka bërë karrierë të gjatë të këngëtarit, humoristit dhe shou-menit, gjithë kohën me të njëjtin sharmë dhe sukses.
E tëra kishte filluar, moti, shumë moti, në vitet e largëta gjashtëdhjetë. Një bari zeshkan me flokë kaçurrela dikund në rrethinën e Llapit i kishte dëgjuar për herë të parë "Beatless"-ët dhe kishte ëndërruar që një ditë të bëhej këngëtar...Dëshiroja të tregoja se isha dikushi
"Kam menduar se vetëm përmes këngës do të realizohem, sepse pas shkollës së mesme e regjistrova biologjinë dhe pas një muaji e lashë, regjistrova bujqësinë, sërish pas një muaji e lashë, e regjistrova Gjuhën dhe Letërsinë shqipe, por pas dy vitesh u hap dega e Artit Dramatik në Shkollën e lartë pedagogjike dhe aty mendova se e gjeta veten", duke folur qetë-qetë, Sabri Fejzullahu e shpjegon evolucionin e tij. Këtu përveç aktrimit, kërkohej edhe këndimi dhe ai i zotëronte të dyja.
Dëshironte që të dëshmohej.

"Po, mbi të gjitha ishte që t'u tregoja shokëve se isha dikushi", thotë Sabriu. Më 1967 ai e kishte incizuar këngën e tij të parë dhe më 1970, nuk kishte kush që nuk ia dinte emrin në Kosovë. E kishte incizuar këngën "Studenti pa dashuri" që ishte bërë një hit i madh, sidomos ndër të rinjtë dhe studentët.

I dhënë pas modës dhe i pasionuar pas këngës, gjithnjë në trend me rrjedhat, i sfiduar nga provokimet e rrethit e të familjes ai mbijetoi në skenë gjithë këto vite, asnjëherë pa e vënë në dyshim famën e tij.

"Kur nisa të këndoja muzikë zbavitëse, babai im thoshte: 'mule se na u bë shka, se po këndon muzikë 'zabavno'", kujton Sabriu, duke qeshur. Mirëpo, ai mendohet gjatë, kur mundohet ta gjejë se cili është çelësi i suksesit të tij. "Unë nuk i iki shijes së mirëfilltë të dëgjuesve, këndoj me zemër, kërkoj që zgjedhja e këngëve dhe e orkestrimit të jetë e kohës dhe që komponimi të ketë autoktoni", thotë ai.

Ndërkaq, Sabriu pos si këngëtar ishte popullarizuar pa masë edhe si humorist. Më 1979 e kishte luajtur skeçin e parë dhe i kishte bërë njerëzit që të qeshnin. Vetë qeshet me lezet, kur i thonë se është bërë humorist për shkak të pamjes së tij me kaçurrela, mustaqe dhe vetulla të lëshuara si Çarli Çaplini. "Ndoshta pamja ime mund t'i bëjë njerëzit që të qeshen, por jo sa Cima dhe Leci", spikati ai.
Seriali "Autobusi" ku Sabriu e luante rolin e një konduktori injorant, Sheremetin, u pat bërë gjatë viteve tetëdhjetë një hit i madh televiziv.
Mbi 800 këngë të incizuara
Sabri Fejzullahu, në vargun e tij të gjatë të këngëve, u këndon të gjitha shtresave, të gjitha moshave dhe të gjithë, dhe të gjitha ngjarjeve të jetës së përditshme nëpër të cilat situata ose janë gjetur ose do të gjendën dëgjuesit. Nga ngjarjet e jetës së përditshme prej tërë opusit të tij, Sabriu më së shumti e prek temën e dashurisë. Dashuria për Kosovën, dashuria për kryeqytetin, dashuria dhe nostalgjia për vitet e shkuara dhe dashuria për mërgimtarët, dashuria për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen.

Shumë hite të tij tashmë janë shndërruar në klasikë. Ka fituar 18 "Okarina të Arta" dhe ka incizuar mbi 800 këngë. Mirëpo, "Pranvera në Prishtinë" është kënga e tij e preferuar, së bashku me disa nga këngët të tjera, si "Hija e flokut tënd" dhe "Ishte vonë të bija në dashuri", "Këndoj me zemër", “Në ëndërr”, “Moj e mira e diasporës”, “Mërgimtari”, “Malli”, e shumë të tjera, thotë ai.

Mirëpo, si mund të këndojë me zemër dikush, kur e ka duet Ledina Çelon, pashë Zotin? Sabriu qeshet me lezet, duke i përkujtuar edhe duetet e tij me Sinan Vllasaliun dhe Kastriot Tushën, me të cilët, pa dyshim, është më lehtë që të këndohet me zemër se sa me Ledinën.

Kënga duet "Mos ma prish gjumin e natës" ka qenë një hit i madh. "Ishte iniciativë e kompozitorit, integrimi i një këngëtari kosovar dhe një nga Shqipëria. Është zgjedhur ajo për shkak të mundësive vokale, të cilat nuk i ka asnjë këngëtare tjetër as në Kosovë, as në Shqipëri", shprehet ai.
Mirëpo, mbase, gruaja e tij Nera, do të ketë mundur të xhelozonte, kur ta ketë parë burrin e saj, pranë një vajze siç është Ledina.
"Unë asgjë nuk bëj pa u konsultuar me gruan, jo pse nuk më beson, sepse ajo e di se e kam grua me tapi dhe me zemër", pohon ai.
Nera është gruaja e dytë e Sabriut. Me gruan e parë i ka dy fëmijë, Armendin e Adelinën. Me gruan e dytë, po ashtu, i ka dy fëmijë, Bulëzën dhe Ermalin.

Martesat
"Në kohën time, në gjithë shkollën i kishim dy femra dhe sapo e fillova ta ndieja veten se isha dikushi u martova, kështu që nuk më ra rasti që të bëja shumë simpati e aventura", i rrëfen "hjekat" e tij, Sabriu. Mirëpo, martesa i ishte prishur. "Më mirë që u bë kështu", pohon ai - "se jeta me zor nuk çohet dhe, me siguri, po ta kisha vazhduar këtë jetë qysh para 20 vitesh do ta ndërprisja karrierën. Ndoshta do të përfundoja në spital neuropskiatrik dhe pasoja do të kishin edhe fëmijët, edhe rrethi i gjerë familjar. Por Zoti i madh deshi që kurora të prishej dhe Nera - bashkëshortja ime e tanishme - më bëri që sot të jam ky që jam, të punoj si të isha 25-30 vjeç".Sabriu, ndryshe nga skeçet e tij dhe videoklipet, tek flet për familjen e tij, duket më i prekshëm, më i ndjeshëm.
E ka parasysh se udhëtimet e tij, turnetë e ndajnë nga familja. Mirëpo, mburret kur flet për fëmijët. Të gjithë fëmijët e tij janë marrë ngapak me muzikë, por ai e admiron Ermalin dhe thotë se "është pasardhësi im".

Ai gjatë gjithë kohës së kaluar në estradë, e ka siguruar një pleqëri të rehatshme. Ndonëse ngapak i thinjur, Sabriu, ndjehet i ri. Me gardërobë ekskluzive, gjithnjë në trend, atij nuk i shkon ndërmend që të dalë në pension. "Unë një pleqëri relativisht të mirë e kam siguruar, duke iu falënderuar punës sime, profesionit tim dhe drejtimit tim profesional", shprehet ai. "Por meqë do të vazhdoj edhe shumë vjet të tjera, jam i sigurt se do ta kem një pleqëri goxha të begatë".

Këngët e Sabri Fejzullahut i kanë rezistuar dhëmbëve të mprehtë të kohës e bashkë me to edhe ngjyra e zërit të Sabriut e ka ruajtur freskinë. Repertori i këngëve të këtij këngëtari dëgjohet dhe do të dëgjohet edhe nga gjeneratat e ardhshme me shumë kënaqësi. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.