Sanija e skenës artistike!

23:31 / 18.06.2013

Mezosopranoja jonë, Sanije Matoshi, kaherë e ka kapërcyer rubikonin dhe ylberin artistik, duke u bërë një emër dhe një artiste me shpirt dhe me zemër.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

E qetë, e heshtur, punëtore, jo djallëzore, me një rrezatim fin, Sania paraqet një thesar dhe margaritar mbarëkombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Telegrafi: Zj. Sanije keni shpërthyer si një meteor në nënqiellin tonë, keni patur barriera, paragjykime, kthesa e pengesa?
S. Matoshi:
Mendoj që kam kontribuar mjaft shumë për kulturën dhe artin në Kosovë, sepse arti im ka shpërthyer siç e thoni ju, në kohën kur pak këngëtarë janë marrë me këndim operistik, në një kohë shumë e vështirë të ballafaquar me shumë pengesa. Kam pasur edhe raste kur para se të dilja në koncert më ndalte policia serbe, më merrte në pyetje se prej nga unë këngëtare e operës kur në Kosovë të gjithë mekanizmat ihsin kundër këtij arti. Por, mua më ka motivuar puna me vështirësi, kam luftuar çdo pengesë dhe e kam mbajtur nivelin e vlerave me shumë fanatizëm.

Telegrafi: Kush e hetoi i pari zërin tënd prej mezzoprano-s?
S. Matoshi: Gjithmonë është familja ajo që të vë re e para, pastaj shoqëria dhe, duke i parë të tjerët se si reagonin kur më dëgjonin tek këndoja, e bindja veten dhe më shtohej kuraja që të futem në rrugën e artit, të merresha pikërisht me këndim. Këtë ndjesi e përcillja tek njerëzit kur më dëgjonin dhe këtu është krejt magjia e këngëtarit kur përçon emocion dhe bart mesazh tek publiku përmes të kënduarit.Telegrafi: Muzika është dhunti e natyrës, apo e keni si trashëgimi të shkëlqyer?
S. Matoshi:
Mendoj që janë të gërshetuara bashkë, sepse dhuntia nuk është e rastësishme, ajo vjen nga gjenet dhe puna e vë në pah këtë dhunti apo trashëgimi. Por, është edhe fat i madh që të vëresh tek vetja dhuntinë që të dish t’i qasesh.

Telegrafi: Ju cilësoheni si Maria Callas shqiptare, ju bënë kjo krenare?
S. Matoshi:
Të cilësohesh dhe krahasohesh gjithmonë me më të mirët, është për ta vlerësuar, sepse kjo na tregon se jemi afër më të mirës, edhe pse në muzikë nuk ka perfeksion. Këtu mund të citoj një thënie: ''për të qenë i përsosur në artin e muzikës, të duhen dy jetë - një për të mësuar dhe një për të interpretuar''. Gjithsesi jam shumë krenare, sepse jam vetvetja dhe i qasem këndimit me shumë dashuri, pasion, përgjegjësi dhe gjithmonë jap më të mirën e mundshme nga vetja.

Telegrafi: Sikur keni lindur për këtë lloj muzike, duke patur parasysh edhe dukjen tuaj, qëndrimin stoik, pse jo edhe aristokratik?
S. Matoshi:
Më pëlqen të veproj me takt, të kem qëndrim dhe e them me siguri të plotë, se kam lindur për këtë lloj muzike. Nuk e kam zhgënjyer asnjëherë publikun dhe kjo më bënë stoike, më jap forcë, urtësi, njëkohësisht mund të jem shembull i mirë në shoqërinë dhe mesin ku jetoj e veproj.

Telegrafi: Jeni shumë e përkushtuar për këngën dhe ju kur dilni në skenë këndoni me shpirt dhe me zemër. E tëra shndërroheni në një ëndërr të mrekullueshme, pra një realitet jo shumë të zgjuar për opusin tuaj?
S. Matoshi:
Unë çdo detyre i qasem me shumë përkushtim, kështu jam nga natyra dhe sigurisht edhe kur dal në skenë shpirtërisht e ndjej këtë ndjenjë dhe emocionin e përçoj tek publiku. Jam shumë e lumtur që asnjëherë nuk e kam zhgënjyer publikun, por as nuk e kam gënjyer që të dal para tyre e të mos këndoj ‘live’. Artisti i mirë e bënë ëndrrën realitet...Telegrafi: Si e vlerësoni mjedisin tonë muzikor, sidomos në lëmin tuaj?
S. Matoshi:
Në përgjithësi kritikohen artistët, por nuk kuptohen. Këtu, dua të them që, është gjithmonë për t’u vlerësuar vlerat e muzikës tonë kombëtare dhe, që e them lirshëm që kënga artistike shqiptare është identiteti ynë, është gjuha dhe kombi ynë, prandaj dua dhe kontribuoj që ta ruajmë këtë vlerë. Së dyti, e vlerësoj dëshirën e të rinjve për t’u marrë me muzikë edhe pse kushtet janë shumë të pakta për të dhënë maksimumin në këtë art, sepse ne artistët në njëfarë mënyre, jemi pa identitet, nuk kemi Shtëpi të Operës dhe kjo na bënë të jemi të kufizuar, të hendikepuar. Megjithatë, ne duhet të punojmë, të vazhdojmë të ruajmë vlerat tona dhe të shpresojmë që në një të ardhme të afërt do të ndërtohet Opera Kombëtare.

Telegrafi: Ju jeni shkolluar në Prishtinë, Austri, Suedi, Rusi dhe sërish me një bagazh dijesh jeni kthyer në Prishtinë, ku keni gjetur 'rehatinë shpirtërore'. Meqë jeni profesoreshë e kantos në Universitetin e Prishtinës dhe jeni martuar, e keni një vajzë të zgjuar që do të bëhet një yll bote në muzikën e përbotshme?
S. Matoshi:
Për mua personalisht nuk është mjaft kurrë të shkollohem, vazhdoj të mësoj çdo ditë diçka të re, hulumtoj, zgjeroj dijen time. Kam studiuar në Prishtinë, në Austri, Suedi. Në Novosibirsi, Rusi, kam punuar katër vite në Teatrin Shtetëror të Operës dhe baletit, gjithnjë duke marrë eksperienca, duke u pasuruar me dituri që të kthehem në Prishtinë dhe të bartë këto dituri tek studentët tanë.
Jam e martuar, kam një vajzë e cila vërtetë ka shumë talent për muzikën, por deri tani e kam përcjellur në heshtje talentin e saj, sepse nuk dua t’i imponohem. Mund të them se, vajza ime, më shumë këndon se sa flet. Uroj që të bëhet një yll i botës, edhe pse për mua është i vetmi Yll.

Telegrafi: Kur jemi tek studentët, premtojnë ata në të ardhmen?
S. Matoshi:
Sigurisht që po, unë e thashë që vërtetë e vlerësoj dëshirën e studentëve për t’u marrë me këndim, përgjithësisht me muzikën. Ka mjaft të talentuar, shpresoj që së shpejti të krijojmë kushte në shtëpinë e operës, sepse artisti pa shtëpi nuk mund të jetë vetvetja dhe nuk mund të jap më të mirën e mundshme nga vetja. Shpresoj që më të mirët të gjenden edhe në skenat botërore të muzikës klasike.Telegrafi: Jeni shume modeste, e sinqertë. Do ta quaja këtë një virtyt prej artisteje të madhe?
S. Matoshi:
Këtë e vlerësoj më së shumti në jetë. Dua ta citoj një moto “unë gjithmonë them të vërtetën edhe ashtu njerëzit janë të prirë të mos besojnë”.

Telegrafi: Jeni adhuruese e të madhes Nexhmije Pagarusha. Madje këngët e saj i këndoni mrekullisht, por prapë mbeteni origjinale në repertorin tuaj?
S. Matoshi:
Unë, adhuroj vetëm Zotin, por çmoj dhe vlerësoj më së shumti artin e Nexmije Pagarushes, të cilës i dëshiroj shëndet e tana t'mirat. Mua, më së shumti më janë besuar këngët e saj dhe shpesh më kanë quajtur Nexhmija e dytë. Megjithatë, asnjëherë nuk e kam imituar, gjithmonë kam qenë vetja, por kemi diçka të ngjashme, sepse artistët e mëdhenj e kanë të brendshme artin. Nexhmija i ka dhënë kaq shumë jetë këngës dhe unë me shumë përgjegjësi do e vazhdoj…

Telegrafi: Muzika juaj nuk është profitabile, nuk ju kemi parë të këndoni nëpër dasma ose ahengje, madje për asnjë çmim?
S. Matoshi:
Personalisht nuk e vë në rend të parë paranë, sepse për mua pasuri është të dish, jo të kesh. Njeriu e bënë paranë, jo paraja njeriun Unë vazhdoj të qëndroj në heshtje dhe nuk dua të kontribuoj në antivlera, dua të jem vetëm aty ku kultivohet dhe vlerësohet arti i mirëfilltë.

Telegrafi: Megjithatë jeni kthyer furishëm nëpër festivale, në salla dhe vende prestigjioze për njerëzit që kanë vesh për këtë lloj muzike?
S. Matoshi:
Gjithmonë analizoj dhe zgjedh vendin ku do të performoj. Dua të jem aty ku vlerësohem, aty ku ka njerëz që duan ta dëgjojnë muzikën, e jo ta shohin. Jam prezente në festivalet e muzikës klasike të cilat mbahen në Kosovë, zakonisht me pianisten Alberta Troni. Me të ishim në festivalin e Schopenit bashkë me një mysafire nga SHBA-të, sopranon Dorothy Stone dhe koncertin e fundit që e kisha tani për Ruajtjen e vlerave dhe trashëgimisë kulturore ku kisha të ftuar edhe talenten e re Marigona Qerkezi, soprano. Një luks të veçantë për të realizuar koncertet, siç i quani prestigjioze, këto vitet e fundit po na e mundëson Swis Diamond Hotel, që na bënë të ndihemi ashtu siç e meritojmë ne artistët, por edhe publiku. Gjithashtu gjithmonë kam pasur përkrahje nga Ministria e kulturës, Komuna e Prishtinës dhe motra ime, dizajnerja Teuta Matoshi Duriqi, e cila më përkrahë gjithmonë në projektet e mia.

Telegrafi: A ka të ardhme muzika kanto në Kosovë?
S. Matoshi:
Më herët që më pëlqen entuziazmi i të rinjve dhe kur i qasemi profesionit me dëshirë, përgjegjësi dhe dashuri, ka gjithmonë një të ardhme me shpresë. Duke pasë parasysh kushtet jo të favorshme, mendoj që dëshira është më e madhe se sa e ardhmja…Telegrafi: Bëni një jetë paksa të tërhequr, të qetë nga jashtë, por, mbase shpërthyes nga brenda?
S. Matoshi:
Të tërhequr, sepse nuk dua të hidhem në valle me antivlerat dhe më pëlqen të veproj me takt dhe ta kultivoj botën time të brendshme duke qenë në paqe me veten dhe këtë paqe ta bartë edhe te fëmija im, pastaj edhe tek njerëzit që më rrethojnë.

Telegrafi: Madje më bëhet se keni një shpirt rebeles, zaten veti e artistëve kjo, do të shtoja?
S. Matoshi:
Rebelues? Për aq sa e kuptoj unë këtë pyetje, mendoj që kjo dozë rebelizmi vjen nga fakti që e shqyrtoj çdo mundësi kur dua të veproj për diçka apo të krijoj diçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Rebelues edhe për faktin se arritjet e mija i kam shtjelluar dhe arritur me forcën time të brendshme.

Telegrafi: Vajzën tuaj e kemi parë në gjysmëfinale në Voice Kids of Albania tek Top Chanel. Ishte e mrekullueshme, kishte edhe një emër të veçantë?
S. Matoshi:
Isra është emri i saj dhe kjo është kryevepra ime. Isra ka qenë ndër më të mirat në Voice Kids of Albania dhe ndër të paktat që të tre anëtarët e jurisë janë kthyer përnjëherë dhe kanë dhënë vlerësimet më të mira nga të gjithë fëmijët. Por, meqenëse zgjodhi Almen si trajnere, mu duk që nuk e dërgoi në finale duke vlerësuar me teke dhe inate vetëm pse ishte vajza ime…Por, Isra ishte ajo që u vlerësua nga kritika, nga njerëzit e artit dhe nga vet publiku që e duartrokiti në këmbë derisa ajo këndoi. Por, do kemi raste tjera nëse Isra dëshiron të vazhdojë këtë rrugë…

Telegrafi: Dhe, në fund si duket një ditë e zakontë për ju?
S. Matoshi:
Çdo ditë i falënderohem Zotit që edhe sot jam dhe po e gëzoj edhe një ditë të re, bashkë me më të dashurit e mi. Një ditë për mua fillon herët, e përfundon vonë. Çdo ditë përjetoj diçka të re dhe duke iu qasur me përkushtim familjes, posaçërisht vajzës dhe një telefonate, së paku nënës, në pamundësi të shkoi ta vizitoj çdo ditë. Pastaj, i qasem profesionit për muzikën, pasionit për modën ku kam një Atelie të dizajnit bashkë me motrën time. Kështu, mundohemi të krijojmë një identitet në firmën e veshjeve “Teuta Matoshi Duriqi”, pastaj iu përkushtohem me shumë kujdes miqve, librit, sportit, ushqimit dhe gjumit të shëndoshë. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.