Së shpejti lista e aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë
Brenda dhjetë ditëshit të parë të këtij muaji do të miratohet lista e aktiviteteve për e 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, bën të ditur Starti. Për këtë arsye, mbrëmjen e shkuar u zhvillua takimi Komitetit Shtetëror organizimin e veprimtarive festive për “Vitin e 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh se duhet të ketë një përqendrim më të madh tek ngjarjet, aktet e zhvillimet që për arsye politike, ideologjike, etj., janë skajuar apo janë vendosur në harresë për një kohë të gjatë. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha solli në vëmendje Kongresin e Lushnjës.
“Nuk them se u asgjësua tërësisht nga librat, por u skajua tmerrësisht për faktin se regjimi i shpalli armiq protagonistët e tij kryesorë”, tha Kryeministri. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në rishikimin e historisë dhe paraqitjen e saj me objektivitetin më të madh, ndërsa u shpreh se do të ishte një gabim fatal që në emër të korrigjimit të padrejtësive dhe manipulimeve që janë bërë të lejohen manipulime të reja.
“Historinë ne e kemi pasur të vështirë dhe të dhimbshme. Do të ishte një gabim fatal për ne që në emër të korrigjimit të padrejtësive dhe manipulimeve që janë bërë të lejonim manipulime të reja. E them këtë, sepse kjo përbën një rrezik serioz dhe do të ishte diçka e pafalshme për ne. Asnjë komb i qytetëruar nuk kursen atë që quhet tradhti kombëtare, sepse ajo e errëson shumë të ardhmen e tij”, theksoi ai. /Telegrafi/