Vlerësimi i pacientëve, barometri i sedrës sonë profesionale

0:10 / 5.10.2012

Për të, puna është një pasion i pashtershëm. Një pasion, të cilit i është përkushtuar me të gjitha fuqitë që prej shumë vjetësh dhe sot po korr frytet.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Gjinekologu dhe patologu, dr. Naim Shabani rrëfen për profesionin e jetës, për luftën mes emocioneve të bukura dhe atyre brenglënëse, përgjegjësinë e madhe që mban mbi supe kur futet në sallë e operimit, dashurinë për shëndetësinë dhe gjeneratat e reja, të cilëve gjithmonë u qëndron pranë.

I nderuari Dr. Shabani, jeni një ndër emrat e afirmuar të mjekësisë shqiptare, si ia keni arritur? A ka qenë e mundimshme, e lodhshme…Pas kaq vitesh, a ndiheni i vlerësuar dhe i shpërblyer?

Mjekësia ka qenë, mbetet dhe do të jetë profesion që kërkon studim të vazhdueshëm. Gjithsesi rruga profesionale, akademike dhe shkencore që kam kaluar në Kosovë, Zagreb dhe sidomos këto 20 vitet e fundit në Gjermani, kërkon një angazhim të veçantë, qasje serioze dhe sakrificë, por njëkohësisht, ofron qetësi shpirtërore, sidomos kur  profesioni ushtrohet me kënaqësi.

Cilitdo që ka marrëdhënie pune ose profesionale me publikun, qoftë ky artist, sportist apo profesionist i çdo fushe, do t’i pëlqente dhe do të lumturohej nga duartrokitjet dhe falënderimet për punën e mirë. Edhe për ne mjekët, vlerësimi i pacientëve është barometri i sedrës sonë profesionale. Megjithatë, më duhet të pranoj se edhe kështu ndihem i privilegjuar, sepse kam kaluar provën me sukses. Të mos harrojmë se nëpërmjet linjës së komunikimit të ndërtuar me pacientët prej shumë kohësh, më vijnë edhe vërejtje apo sugjerime për punë edhe më të mirë, gjë që tregon se jo gjithmonë kalohen provat me sukses në punën tonë të përditshme.  

Ke dashur gjithmonë të kesh këtë profesion, apo kjo ndodhi gjatë rrugës?

Zgjedhja e profesionit të mjekut ka qenë një zgjedhje e imja e studiuar mirë. E kam pasur të qartë prej shumë kohësh që do të zgjidhja një profesion në shërbim të njerëzve dhe zgjidhjes se problemeve të tyre. Gjithsesi edhe fakti se isha një ndër nxënësit më të dalluar të gjimnazit, ka ndikuar që të zgjedhë profesionin e mjekut.

Fillimi, siç ndodh rëndom në jetë, mbetet i vështirë. Për një profesion si ai i mjekut, ku përgjegjësia është edhe më e madhe, se ke të bësh me jetën e njerezve, fillimi, por edhe vazhdimi.paraqesin vështirësi serioze. Nuk mjafton të përvetësosh sekretet profesionale, por edhe të fitosh shkathtësinë dhe aftësinë praktike. Krahas kësaj, duhet menduar edhe për krijimin e një opinioni të mirë në mjedisin ku punon. Natyrisht, që në hapat e parë meritë e çdo të riu është të rrëmbejë zanatin nga mjekët me përvojë.

 

Thonë se studentët e mjekësisë humbasin ndjenjat kur marrin pjesë për herë të parë në një operacion, ju çfarë ndjesie patët?

Vetë rruga që duhet kaluar si student i mjekësisë gjatë studimeve është një sfidë e veçantë. Jo të gjithë njerëzit mund të përballojnë kontaktin, qoftë vizual, qoftë fizik me gjakun, apo situatat më të rënda, siç janë lëndimet apo intervenimet kirurgjike. Thuhet se secili kirurg i mirë në fillim të karrierës së tij ka patur situata të palakmueshme në sallën e operacionit, siç është, psh., kolabimi (kryesisht në fazën studentore). Kjo ndodhë kur studenti hyn në sallë i papërgatitur fizikisht (nuk ka ngrënë mëngjes, nuk ka marrë lëngje) dhe psikikisht (nuk është informuar se çfarë operacioni do të bëhet). Poashtu, dhe frika se çfarë do të ndodhë gjatë operimit, mund të ndikojë në të rënit të fikët, qoftë të studentit apo mjekut të ri (asistentëve të operacionit). Unë, në fillim të operacionit këshilloj asistentët fillestarë ose studentët që të bëjnë vetëm atë që unë kërkoj, të mos brengosen (të mos marrin përgjegjësi) nëse vjen deri te ndonjë komplikim (gjakderdhje, etj.), sepse për të jam kompetent. Më tragjikja është kur humb ndjenjat, pra kolabon (i bien të fikët) operatorit. Më kujtohet një rast në një klinikë në Gjermani, kur shefes së klinikës gjatë një intervenimi të rëndë me një paciente me kancer të mitrës, i ra të fikët ngase nuk arriti disa herë të ndalë gjakderdhjen nga vena Cava (një enë e madhe gjaku në abdomen). Natyrisht, operacionin e vazhdova unë (që isha në rolin e asistentit) së bashku me një kirurg, i cili e ndali gjakderdhjen. 

Pas përfundimit të studimeve si dhe specializimit për patologji në Prishtine dhe Zagreb, si mjek keni vazhduar në klinikën “United States Army Hospital in Heidelberg". Sa jeni ju të kënaqur me integrimin në Gjermani dhe trajtimin nga ana e kolegëve tuaj gjerman në klinikën ku ju punoni?

Në fillim, meqenëse flisja gjuhën angleze, u inkuadrova në “United States Army Hospital” në Heidelberg (në spitalin ushtarak amerikan). Për t’u kyçur në sistemin shëndetësor gjerman dhe për t’u integruar kërkohej një angazhim kolosal. Pasi vijova kursin intensiv të gjuhës gjermane, shpejt arrita të bëhem pjesë e Universitetit më të vjetër dhe prestigjioz të Heidelberg-ut, duke u punësuar fillimisht në Institutin e Patologjisë, e pastaj në Klinikën Gjinekologjike. Karrierën e vazhdova në Universitetin e Rostokut ku përfundova specializimin për patologji (rreth 6 vite). Me kërkesë të klinikës Universitare Gjinekologjike të Mynihut, e cila kërkonte një patolog për nevoja klinike dhe shkencore, u transferova në Mynih. Atje mu dha mundësia që të specializohem nga lëmia e Gjinekologjisë me Obstetrikë (specializim i cili zgjat 6 vite) dhe njëkohësisht të jem pjesë e procesit mësimor në Universitetin më prestigjioz Gjerman “Ludwig Maximilian Universität (LMU). Në këtë universitet, arrita të doktoroj në lëminë e Kancerit të Endometriumit (mitrës).

Së fundi, enkas për t’u subspecializuar në onkologji gjinekologjike dhe laparoskopi, një vit isha bashkëpunëtor shkencor në “Universität Friedrich Schiller” të Jenes, Universitet me traditë të gjatë. Së fundi, jam kthyer sërish në klinikën e Mynihut, ku vazhdoj të punoj edhe më tutje.

 

Po nga ana shkencore dhe pedagogjike, cili është angazhimi juaj?

Përkundër angazhimit të vazhdueshëm klinik, rezultat i te cilit është specializimi i patologjisë dhe gjinekologjisë me obstetrikë, unë vazhdimisht jam marrë me hulumtime shkencore dhe kam qenë i angazhuar në procesin mësimor që nga fillet e karrierës sime kur isha asistent në Fakultetin e mjekësisë në Prishtinë dhe pastaj edhe në Universitete prestigjioze gjermane. Kam botuar një numër të madh punimesh shkencore që mund të shikohen në bibliotekën ndërkombëtare (PubMed). Botimet e realizuara së bashku me kolegë të tjerë të kësaj fushe do të mbeten pa dyshim një ndihmesë në fushën e gjinekologjisë e obstetrikës për kolegët dhe brezat që vijnë.

Jam pjesëmarrës dhe ligjërues i ftuar në shumë kongrese ndërkombëtare. Fokus i hulumtimeve të mia shkencore është kanceri i mitrës dhe ai i gjirit.

Me gjithë arritjet e deritanishme, puna për ngritjen shkencore e profesionale vazhdon... 

Nëse i hedh një vështrim karrierës tuaj si kirurg, kujtoni raste që keni shpëtuar nga vdekja e sigurt, falë ndërhyrjes tuaj, apo, që ju ka ikur nga duart gjatë operacionit?

Secili trajtim mjekësor ose intervenim kirurgjik ka për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës apo edhe evitimin e vdekjes, Unë do të veçoja rastin e një zonje 25 vjeçare, e cila si pasojë e shtatzënisë jashtë mitrës (në vepërçues) të përcjellë me gjakderdhje të brendshme, kishte ardhur në spital me dhembje barku. Pas diagnostikimit, unë indikova që menjëherë të shtrihet në spital dhe të përgatitet salla për intervenim me laparoskopi. Pas disa minutash, erdhën dy familjarë të saj dhe më luten të respektoj dëshirën e pacientes për të shkuar një kohë të shkurtër në shtëpi (banonte afër spitalit), për t’u pastruar. Unë, refuzova kërkesën e tyre dhe urdhërova që menjëherë pacientja të niset për në sallë. Pas fillimit të operacionit me laparoskopi, konstatuam se në barkun e pacientes ishte grumbulluar 2 litar gjak. Bëmë pastrimin dhe larguam vepërçuesin me shtatzëni (burimin ku rridhte gjak). Ky rast, po të mos intervenohej menjëherë, do të përfundonte me vdekje të sigurt. Në momente të tilla, mjeku ndjen kënaqësi shpirtërore dhe të themi një “shpërblim” për punën dhe sakrificat që ka bërë për të arritur shkallën e një eksperti në lëminë e vet.

A është e vështirë t'i rikthehesh jetës normalisht pasi ke dalë nga salla e operacionit, ku ke operuar dikë? Sa operacione mund të bëni në një ditë?

Të  jesh kirurg është një ngarkesë e madh që  kërkon përgatitje psikike dhe fizike. Sipas disa hulumtimeve shkencore, suksesi i operacionit varet edhe nga përgatitja fizike e kirurgut. Operacionet mund të jenë të shkurta (disa minutëshe) që ne mjekët i quajmë “të vogla), por edhe disaorëshe (operacione “të mëdha”), siç janë ato onkologjike. Andaj, edhe numri i operacioneve varet se cilës kategori i përkasin. Është normale që të operohet nganjëherë 6 deri 8 orë në ditë.

Për të qenë sa më mirë i përgatitur fizikisht,  unë bëj një vrapim të lehtë në natyrë pothuajse çdo ditë 6-8 km, të shoqëruar me ushtrime trupore. Kjo më ndihmon të kem kondicion të mjaftueshëm fizik, por njëkohësisht më relakson edhe psikikisht. Përndryshe, një ditë para operacioneve të planifikuara (sidomos atyre onkologjike, siç është kanceri i vezores ose qafës së mitrës - Werthheim op.), zakonisht në mbrëmje konsultoj literaturën, përsëris teknikat e mundshme të këtyre intervenimeve.

Rikthimi në jetën normale pas daljes nga salla varet se si ka shkuar operacioni, por duhet theksuar se edhe ne kirurgët jemi njerëz me ndjenja dhe kemi nevojë të shkëputemi për disa çaste nga atmosfera e klinikës dhe t’i kthehemi jetës private.

 

Nga përvoja juaj e deritanishme: A ka unitet mendimi dhe veprimi nga ekipi gjatë kohës që bëhet operacioni, keni pasur raste kur egoja ka dëmtuar të sëmurin?

Secili operacion është një sfidë e veçantë dhe kërkon planifikim specifik. Pacienti një ose dy ditë më herët vizitohet nga mjekët e klinikës, e në veçanti edhe nga mjeku i cili do ta operojë. Aty caktohet edhe forma e operacionit. Pacientes i shpjegohet në mënyrë të detajuar se çka do të operohet, me çfarë rreziqesh dhe komplikimesh të mundshme mund të shoqërohet intervenimi. I jepen edhe sqarime me shkrim në formë formulari, të cilin ajo ka kohë ta lexojë dhe vetëm pasi të ketë marrë përgjigje nga mjeku operator në të gjitha pyetjet, vendos të jep lejen për intervenim. Kjo ka një rëndësi juridike të bëhet së paku 24 orë para intervenimit, në mënyrë që pacienti të ketë kohë të mendohet deri në kohën e intervenimit. Poashtu, bëhet edhe parapërgatitja e pacientes për intervenim, siç janë analizat e gjakut,  konsulta e internistit dhe biseda me anesteziologun.

Gjatë kohës së operacionit, jo vetëm që ka unitet në ekipin operator, por, gjithnjë nga prizma e përvojës gjermane, respektohet  hierarkia. Operatori është personi numër një në sallë. Ai është i vetmi që jep urdhra. Në sallën e operacionit, anesteziologu dhe personeli tjetër flasin vetëm derisa hyn në sallë operatori kryesor. Atëherë, ai e merr komandën. Vetëm operatori ka të drejtë të flasë për një temë të veçantë, të tjerët vetëm pohojnë atë që thotë ai. Nëse operatori qeshë, atëherë edhe ekipi i tij mund t’i bashkëngjitet. Kjo dëshmon unitetin në formë “diktature” që mbretëron në sallën e operacionit. Falë kësaj disipline, serioziteti, jeta e pacienti, është në duar të sigurta duke evituar gabimet e mundshme që mund të ndodhin nga neglizhenca dhe pakujdesia e çastit.

Dr. Naim, a ndikojnë bindjet për të zgjedhur kirurgun, apo mjeku të zgjedhë pacientin. Keni ndeshur me ndonjë rast të veçantë?

Pacienti cili ka marrë rekomandim për një mjek të mirë në klinikë dhe dëshiron që ai mjek ta ekzaminojë dhe operojë, mundësisht i plotësohet dëshira. Kjo ka ndikim pozitiv edhe te mjekët për t’u angazhuar maksimalisht dhe për të krijuar një imazh të mirë. Një praktikë e tillë nuk guxon të keqpërdoret nga mjekë të caktuar të cilët insistojnë që vetëm ata duhet të operojnë. Kjo mund të dëmtojë trajnimin dhe edukimin profesional të gjeneratave të reja dhe për këtë, kujdeset drejtori i klinikës. 

A ndodh të kenë ardhur edhe pacientë shqiptarë për t'u vizituar tek ju?

Vështirësitë që kanë hasur bashkatdhetarët tanë për t´u integruar në shoqërinë gjermane lidhen ngushtë me shkallën e zotërimit të gjuhës. Në këtë kontekst, vizita te një mjek me të cilin mund të komunikojnë në gjuhën amtare, paraqet një lehtësim të madh, ndaj në punë e përditshme kam së paku 2-3 paciente shqiptare. Shumica vijnë enkas për t’u operuar te unë nga vise tjera të Gjermanisë, por edhe nga Kosova. 

Cilat janë sakrificat nga ana juaj që të kërkon ky profesionin?

Ky profesion kërkon një angazhim orë e pa orë, deri në sakrifica që në kohën e studimeve. Duhet ose të zvogëlosh kohën për aktivitete të lira ose të flesh më pak. Pastaj, të mos flasim edhe për sakrifica të natyrës shpirtërore, kur shpesh na duhet të konsumohemi edhe nga ana emocionale.  

Në punën tuaj të keni shpesh edhe histori të rënda dhe a është e vështirë në këto raste t'u komunikoni njerëzve të vërtetën?

Lëmia në të cilën unë jam angazhuar më së tepërmi si ekspert operativ, është kirurgjia minimale invazive (Laparoskopia), metodë me të cilën mund të operohen mbi 70% të patologjive gjinekologjike, duke përfshirë edhe heqjen e mitrës dhe operimet te kanceri i mitrës. Poashtu,  fokus i trajnimit tim ka qenë gjithsesi shërimi i pacienteve me sëmundje malinje. Është moment mjaft i vështirë në aspektin emotiv komunikimi i kësaj diagnoze si për pacienten, ashtu edhe për familjarët. Kjo kërkon një lloj arti, mjeshtërie të komunikimit.

Besimi te mjeku është lëkundur vitet e fundit. Pacientët mendojnë se mjekët nuk i shohin më si pacient, por si klient. Kush e ka fajin për këtë humbje besimi? Çfarë duhet bërë që mjekut t'i rikthehet imazhi që i takon?

Me rëndësi është që të zbatohet betimi i Hipokratit. Pacienti ka nevojë të trajtohet në mënyrë humane, të bisedohet me të, të dëgjohen me vëmendje ankesat dhe hallet e tij. Jo më kot që nga antika thuhet: ”dëgjoje pacientin, ai ta thotë diagnozën”. Ne, fatkeqësisht jemi dëshmitarë të presionit të prindërve, për të studiuar mjekësinë. Jo rrallë futen në këtë rrugë edhe të tillë që nuk kanë dëshirë të ushtrojnë këtë profesion, por edhe që nuk kanë kapacitet intelektual për të përballuar studimet. Të tillët, kalojnë disi dhe dalin mjekë të dobët. Në anën tjetër, ne, kemi gjenerata të tëra mjekësh të shkëlqyer të cilët janë dëshmuar në klinikat vendore dhe ndërkombëtare. Gjithsesi, nëse tërheqim një paralele me kushtet në spitalet në Gjermani dhe ato në Kosovë, vërejmë mungesë kushtesh elementare për të ushtruar profesionin, kemi kuadër të “lodhur” dhe të “shpenzuar”, e të mos them, ndonjë edhe të zhgënjyer me gjendjen që mbretëron në sistemin shëndetësor në Kosovë. Kjo është një teme e ndjeshme e cila mund të ishte pjesë e një interviste të veçantë me qëllim të dhënies së mendimit për reformat dhe sfidat e shëndetësisë kosovare. Andaj edhe kemi gjendjen që ju e konstatoni se shumë pacientë kërkojnë shërim jashtë vendit.

Ju po jetoni kulmin e një karriere të shkëlqyer, keni mirënjohjen e të gjithëve, vlerësime jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë botën akademike të vendeve më të përparuara në fushën e mjekësisë. Cila është ambicia e radhës e doktor Shabanit?

Jam duke punuar në jetësimin e ëndrrës sime që tërë përvojën time në aspektin profesional, ta aplikoj në Kosovë. Së shpejti do të hap dyert Klinika Gjermane, në Prishtinë, e pajisur me aparaturë moderne nga Gjermania,  ku ekipe të specializuar nga Gjinekologjia dhe Kirurgjia do të ofrojnë shërbimet e tyre. Klinika do të jetë e  specializuar për intervenime minimale kirurgjike (me Laparoskopi) si në gjinekologji, ashtu edhe në kirurgji. Poashtu, këtu do të operohen të gjitha rastet me kancer të traktit gjenital të femrave, ato nga kanceri i gjirit dhe lëmive tjera kirurgjike. Me përgjegjësi mund të garantoj se, përveç ndonjë rasti shumë të avansuar (në fazën përfundimtare kur nevojitet rrezatim), asnjë paciente nuk do të ketë nevojë të shkojë për shërim në vendet tjera.

Shpresoj se në bashkëpunim me kolegët vendorë dhe me ekipet që do të vijnë kohëpaskohe nga Gjermania, do të ngrisim kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe do të japim edhe kontributin tonë në trajnimin e mjekëve të rinj.

Çfarë këshillash do t’iu rekomandonit lexuesve tanë?

Unë i bëj apel të gjithë lexuesve që të jenë kritikë ndaj këshillave dhe propozimeve të mjekëve të tyre. Pacienti gjithmonë ka të drejtë të kërkojë mendimin e një mjeku të dytë. Të lirohen nga frika dhe kompleksi i inferioritetit. Kurse mjekëve u sugjeroj që aq sa kanë mundësi, t’i përkushtohen secilit pacient. Në këtë  mënyrë do të kthehet besimi në shëndetësinë tonë, sepse kemi potencial të madh mjekësh të kalibrit ndërkombëtar.

Në fund, më lejoni të shpreh një falënderim të veçantë portalit tuaj që vazhdimisht po ndihmon në edukimin dhe ngritjen e vazhdueshme të kulturës shëndetësore të popullatës sonë.  

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.