LAJMI I FUNDIT:

MAShT për një vit shpenzoi telefon mbi 105 mijë euro

MAShT për një vit shpenzoi telefon mbi 105 mijë euro

Shpenzimet e telefonisë mobile për MASHT dhe programet e saj gjatë vitit 2015 ishin 105,514 euro. Përderisa MASHT dhe Universiteti i Prizrenit përdornin kartelat mbushëse, Universiteti i Gjakovës kishte kontraktuar njërën nga kompanitë pa ndonjë procedurë të prokurimit.

Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku janë vërejtur dy raste kanë rezultuar me mbi pagesë si rezultat i mos aplikimit të ndryshimeve me kohë në listën e pagave.


“Për një rast të pezullimit të drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, nuk i është bërë ndalesa prej 50% të pagës bazë me kohë. Gjithashtu, një rast tjetër të pushimit të lehonisë, nuk i është bërë ndalesa e pagës me kohë. Megjithatë, ndalesat e më sipërme janë bërë më vonë në mënyrë retroaktive”, thuhet në raport.

Sipas raportit, në ndërtimin e 11 shkollave me vlerë të përbashkët 20,915,259 euro, si dhe punët shtesë në vlerë prej 1,367,142 euro kishte vonesa të konsiderueshme.

“Vendimet për ndarje të bursave nga universitetet publike nuk kanë pasur buxhet të mjaftueshëm. Universiteti i Prizrenit ka ndarë bursa në vlerë 90,000 euro,ndërsa buxheti ishte 10,000 euro, Universiteti i Gjilanit kishte buxhet vetëm 7,760 euro, ndërsa mjetet e nevojshme për bursa arrinin 34,500 euro, Universiteti i Gjakovës kishte ndarë 20,000 euro ndërsa buxheti ishte 10,000 euro. Rastet e sipërmendura tregojnë për marrje të vendimeve që krijojnë obligime në kundërshtim me limitet e buxhetit. MASHT shërben si institucion “ombrellë” e institucioneve tjera të arsimit të lartë të cilat synojnë pavarësimin funksional dhe organizativ nga MASHT. Përderisa Universiteti i Prizrenit dhe Pejës kanë një pavarësi më të theksuar dhe janë më të kompletuara me kapacitete administrative, universitetet tjera (Gjakova, Gjilani dhe Mitrovica) ende nuk kanë arritur të plotësojnë kapacitetet e nevojshme njerëzore dhe infrastrukturore për të rritur pavarësinë organizative të tyre. Ky proces udhëhiqet nga MASHT dhe në këtë drejtim ka pasur vonesa të pa arsyetuara në plotësimin e stafit dhe kërkesave tjera të nevojshme. Aktualisht MASHT nuk ka ndonjë plan konkret veprimi për të përfunduar këtë proces. Kjo ka rezultuar shpeshherë me vonesa të ndryshme, llogaridhënie të dobët, jo efikasitet organizativ, kontrolle të dobëta etj”, thuhet në raport. /Telegrafi/