LAJMI I FUNDIT:

Materiali i shitur nga Dogana paraqet rrezik në ndërtim

Materiali i shitur nga Dogana paraqet rrezik në ndërtim

Fabrika e çimentos Titan ne Usje të Maqedonisë ka bëre thirrje dhe një herë që produkti i ofruar për shtije nga Dogana e Kosovës, i cili është prodhuar në fabrikën e tyre të mos përdoret për ndërtim pasi që paraqet rrezikshmëri të lartë, duke mos qene çimento siç e ka deklaruar Dogana por klinker apo më mirë të thuhet material i papërpunuar dhe jo i tregtueshëm.

“Klinkeri është një produkt i ndërmjetshëm, i paplotë, i parregulluar dhe jo i tregtueshëm si një material ndërtimor, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shitet ose të përdoret si Portland Çimento pasi që nuk përputhet me normat dhe specifikimet për çimento, as të Bashkimit Evropian, as të Republikës së Maqedonisë e as të Republikës së Kosovës, prandaj si i tillë nuk guxon të përdoret për ndërtim” kanë theksuar zyrtarët e kësaj fabrike kohë më parë përmes një njoftimi publik.

Sipas informative të këtyre të fundit, Dogana e Kosovës tashmë ka shitur këtë material, i cili tanimë ka filluar të shfrytëzohet për ndërtim, prandaj, përmes një njoftimi tjetër publik zyrtarët e fabrikës së çimentos në Usje të Maqedonisë kanë ripërsëritur mesazhin për të gjitha palët e interesuara dhe të përfshira, se ky është një material i ndërmjetshëm në procesin e prodhimit të çimentos, dhe përdorimi i tij si zëvendësim për çimento është plotësisht kundër të gjitha ligjeve dhe rregulloreve.


“Çdo ndërtim që rezulton nga përdorimi i këtij materiali është i pasigurt, krejtësisht i paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm si dhe rrezikon shëndetin, jetën dhe sigurinë e popullit të Kosovës”, theksohet në reagimin e fabrikës Titan në Usje të Maqedonisë. /Telegrafi/