LAJMI I FUNDIT:

“Mati 1” do të “mërdhihet” edhe sivjet

“Mati 1” do të “mërdhihet” edhe sivjet

Banorët e lagjeve të reja siç janë Mati 1, Kalabria e Arbëria edhe këtë vit dimrin do ta kalojnë pa ngrohje nga Termokosi. Edhe pse ishte premtuar që këto lagje sidomos Mati 1, do të kyçen ne rrjetin ngrohës kjo s’ka ndodhur, pasi që kjo fazë është shtyrë për vitin 2017-2018.

Termokos e ka rritur cilësinë dhe sasinë e ngrohjes pas kyçjes nga blloqet e Termocentralit “Kosova B” të KEK-ut


Por në mungesë të ngrohjes nga Termokos, faturat e rrymës gjatë dimrit janë për rreth 40 për qind më të  larta, pasi  gjatë kësaj periudhe faturat llogariten me tarifa dimërore.

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka ka thënë për Telegrafin se zgjerimi i rrjetit me fonde të Komisionit Evropian dhe Komunës së Prishtinës përfshin periudhën 2017-2018.

“Projekti për zgjerim të rrjetit të ngrohjes në lagjen Mati 1 është planifikuar për vitin e ardhshëm nëse arrijmë të sigurojmë një donacion nga Komisioni Evropian”, tha ajo.

“Termokos” në Prishtinë përgatitet për fazën e tretë të koogjenerimit
Lexo po ashtu “Termokos” në Prishtinë përgatitet për fazën e tretë të koogjenerimit

Uka ka treguar se përgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës 2016/2017 janë në vlugun më të madh.

”Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri ngrohës janë edhe punimet, që po zhvillohen në kuadër të fazës së dytë të Projektit të kogjenerimit-rehabilitimi i rrjetit, ndërrimi i rreth 10 km gypave të vjetër të ngrohjes me gypa të rinj të paraizoluar si dhe riparimi komplet i 50 nënstacioneve të ngrohjes”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Termokosit.

Riparimet, që janë duke u kryer në rrjetin ngrohës kapin vlerën e mbi 4 milionë eurove.

Rritja e cilësisë së ngrohjes ka rritur edhe pagesën e ngrohjes nga qytetarët thonë në Termokos.

“Në raport krahasues me vitin e kaluar shkalla e inkasimit është ngritur për 42 për qind. “Konsiderojmë se një impuls të mirë në kryerjen e pagesave nga konsumatorët tanë ka qenë edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili do të jetë në fuqi deri më 2 shtator. Andaj, edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve, që në këto pak ditë që kanë ngelur të shfrytëzojnë mundësitë e shumta, që ofron ky ligj për shlyerjen e borxheve të grumbulluara me vite”, ka thënë Uka.

Termokos-it i dështon zgjerimi i rrjetit, lagjet e reja edhe sivjet pa ngrohje
Lexo po ashtu Termokos-it i dështon zgjerimi i rrjetit, lagjet e reja edhe sivjet pa ngrohje

E, zyrtari për informim në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi, ka thënë për Telegrafin se Termokosi nuk ka pasur mjete për ta zgjeruar rrjetin ngrohjes nëpër lagjet e reja. “Termokosi nuk ka pasur mjete për ta zgjeruar rrjetin ngrohës këtë vit. Zgjerimi i rrjetit ngrohës mbetet të bëhet vitin tjetër dhe shpresojmë se kjo ndërmarrje do të sigurojë mjete të mjaftueshme”, ka thënë Vraniqi.

Ndryshe sipas ndërtuesve në lagjet e reja në Prishtinë, mos shtrirja e rrjetit ngrohës të Termokosit i dëmton ata si ndërtues pasi që ndikon në shitjen dhe në çmimin e banesave. /Telegrafi/