LAJMI I FUNDIT:

Mbi politikën

Politika është ushtrimi i veprimtarisë së pushtetit shtetëror që lidhet me qeverisjen dhe me drejtimin e vlerave demokratike të shtetit. Gjithashtu mund ta konsiderojmë si veprimtari e ushtrimit të detyrave publike. Politika mund të bëhet arti i qeverisjes së mirë, kur interesi i përbashkët i shoqërisë të jetë pikësynim për të mirën universale dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut e të qytetarit. Pra, politika është përgjegjësi publike që i shërben interesit të përgjithshëm shoqëror, dhe përmes institucioneve vihen elementet e shtetit të së drejtës dhe realiteti politik.

“Unë quaj ‘politikë’ atë lloj standardi që përcakton qëllimet që duhet të arrihen nga shoqëria, përgjithësisht përmirësimi i ndonjë tipari ekonomik, politik apo social i shoqërisë. Ndryshe nga parimet që janë standarde që parashtrojnë të drejta, politikat përshkruajnë qëllime”, mendonte gjyqtari dhe teoricieni amerikan Ronald Dworkin. Ndryshe nga Dvorkini, i cili vlerësonte se politikat kanë të bëjnë kryesisht me qëllimet e përgjithshme në zhvillimin e kulturës politike në vendet e Ballkanit. Politika, ndonëse shpesh e shtrin veprimtarinë e saj në pasojën e çështjes duke u marrë më shumë me interesin vetjak, sesa vullnetin e mirë të shoqërisë.


Bota moderne në një sistem liberal të demokracisë është më tepër i prirë të kërkojë parimin që nënkupton të drejtat e individëve dhe qëllimet e përgjithshme shoqërore për më të mirën e përbashkët të qeverisjes. Filozofi John Stewart Mill është njëri prej mbrojtësve më të spikatur të demokracisë përfaqësuese ose indirekte, i cili vlerëson se për t’u siguruar një qeverisje stabile dhe produktive në një shtet, në radhë të parë duhet të ketë vullnet për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Sipas konceptit të teorisë liberale, përfaqësimi demokratik mund të konsiderohet si “formë më të mirë të qeverisjes”, dhe ndërkohë bazohet në tri shtylla themelore:

• përfaqësimi
• zgjedhjet e lira
• të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit.

Gjyqtari dhe teoricieni, Ronald Dworkin, në lidhje me nocionin e parimit shkruante: “Unë quaj ‘parim’ një standard, i cili duhet të merret në konsideratë jo se do të sjellë situatën e dëshiruar politike, ekonomike apo sociale, por sepse është kërkesë e drejtësisë apo e ndershmërisë, apo e ndonjë dimensioni tjetër të moralit”. Parimi është bazë esenciale e trajtimit të politikave shtetërore për të siguruar të drejtën që i përket çdo individi apo një grupi të caktuar shoqëror.

Trajtimi i politikës sipas parimeve mund të japë rezultate efikase në udhëheqjen e shtetit drejt progresit politik, ngase parimi në esencë përbën të drejtat e shoqërisë. Para së gjithash, parimi është argument etik me pikëpamje politiko-morale, që askujt nuk i lejon të shkelë mbi ligjin. Prandaj, duhet kuptuar si një argument etik që nuk lejon diskriminim e çfarëdo klase shoqërore, i cili njëherazi s’lejon privilegje mbi njërën palë.

Ligji dhe e drejta në politikë duhet të kuptohen kryesisht si parim. Ligji duhet zbatuar, pra të merret si organ që rregullon apo orienton marrëdhëniet e caktuara shoqërore kah e mira. Politikat janë të krijuara për arsye dhe qëllime universale të cilat shërbejnë për të mirën e shoqërisë.