LAJMI I FUNDIT:

Mbijetesa e hebrenjve në Kosovë

Mbijetesa e hebrenjve në Kosovë

Gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë janë strehuar rreth 500 familje hebreje. Aktualisht në Kosovë jetojnë vetëm 56 prej tyre.

Njëra nga tri motrat të familjes hebreje Bahar është paraardhësja e familjes Demiri, që jeton në Prizren. I biri i saj, Votim Demiri, sot 70 vjeç, rrëfen: "Pas kapitullimit të Italisë më 1943, gjermanët dhe kuislingët e tyre në Kosovë, të cilët kishin përgatitur listat e hebrenjve, i mblodhën dhe i deportuan në kampin e përqendrimit ‘Bergen Belsen’ ku vdiqën 92 hebrenj. Nga aty mbijetuan vetëm tri vajza, 4 deri në 12 vjeç, njëra prej të cilave ishte nëna ime. Në Prizren ato thonë se kanë ardhë nga ‘Bergen Belzeni më këmbë, por nuk e dinë se si".

Familja Abravanel. Të pranishëm në foto janë edhe Arsllan Rezniqi (me plis, i pari nga e djathta) dhe bashkëshortja e tij Fatime Rezniqi (e dyta nga e majta). Familja e Arsllan Mustafa Rezniqit ("Fisnik mes Kombeve", Yad Vashem, Izrael), ka shpëtuar Dr. Haim Abravanelin (në këmbë, në mes).

Votim Demirit, kryetar i Bashkësisë Hebraike në Kosovë, thotë se prania e hebrenjve në këto hapësira daton që nga shekulli XV-të. Gjatë viteve ata ndërtuan një jetë të organizuar me shkollë për fëmijë dhe sinagoga. Por, aktualisht në Kosovë jetojnë vetëm 56 hebrenj, kryesisht në Prizren.

Hebraizmi është radhitur ndër besimet tradicionale në Kosovë, por tek hebrenjtë e Kosovës nuk ka asnjë trashëgimi të prekshme përveç asaj shpirtërore, sepse hebrenjtë nuk patën mundësi të shpëtojnë tjetër veç jetës lakuriqe, shkruan DW.

Shtëpia e familjes Rezniqi, ku u strehuan mbi 40 familje të hebrenjve

Në një qytet multietnik, multikulturor dhe multifetar si Prizreni, 56 hebrenjtë e mbetur kanë inkorporuar brenda vetes të gjitha koloritet e kësaj jete. Suzana Demiri thotë: "Në familje unë flas turqisht, bashkëshorti më flet serbisht, ndërsa fëmijët mësojnë në shkolla shqip. I kremtojmë të gjitha festat e secilit komunitet. Këtu kemi xhami, teqe, kisha, manastire dhe që nga stërgjyshi e deri sot të gjithë jetojmë së bashku e në harmoni me popujt e tjerë”.

Me themelimin e shtetit izraelit në vitin 1948 shkuan në Izrael edhe dy tezet e Votim Demirit, që mbijetuan Holokaustin. Kurse e ëma qëndroi në Prizren, ku u martua me një shqiptar. Votimi tregon se familja e tij vazhdon t’i ruajë kontaktet me familjarët që shkuan në Izrael. /Telegrafi/