LAJMI I FUNDIT:

Mbyllet panairi “Prishtina 2013”

Mbyllet panairi “Prishtina 2013”

Ka përfunduar Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2013”, në të cilin prezantuan rreth 120 kompani nga Kosova, rajoni dhe Evropa. Organizatorët dhe bizneset vlerësuan lart rezultatet e këtij panairi, duke pohuar se përmes panaireve eliminohen të gjitha muret ndarëse mes komunitetit të bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se ky panair ishte si një mundësi e mirë, për komunikim mes kompanive vendore dhe të huaja, të cilat e shohin Kosovën si një mundësi të mirë dhe treg interesant.

“Në përgjithësi ka qenë një panair i cili ka vulos ardhmërinë ekonomike të Kosovës dhe përmes këtij panairi është dëshmuar pjekuria e komunitetit të biznesit vendor. Është dëshmuar gatishmëria e biznesit nga Kosova për proceset integruese dhe në të njëjtën kohë për herë të parë janë eliminuar të gjitha muret ndarëse mes komunitetit të bizneseve qoftë në nivel bilateral, qoftë në nivel rajonal, apo edhe evropian nga vet fakti që sot këtu kontaktojnë kompani nga Serbia, Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe mbarë Evropa. Ky është një mesazh shumë pozitiv karshi investitorëve të huaj dhe karshi opinionit politik për realitetin kosovar”, ka thënë ai.


Ndryshe, Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2013”, është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës dhe ishte i hapur nga 8 maj. /Telegrafi/