LAJMI I FUNDIT:

Me një gur të vriten dy zogj…

Paralajmërimet dhe fryrjet e qëllimta nga regjimi i pushtetit kriminal të Beogradit për heqjen e pllakës përkujtimore të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, ishin një pretekst për të çuar më tutje qëllimin e tyre shovinist. Kjo politikë poshtëruese e Qeverisë së Beogradit synon që përmes mendësisë së errët të saj të arrijë pikën kulmore: që përmes politikës së dhunës t’i bindë shqiptarët e kësaj treve që të heqin dorë nga kërkesa e tyre elementare e të qenurit shqiptar. Mu për këtë, me një gjakftohtësi regjimi i politikës së Beogradit ka hedhur gurin në pikën e caktuar për të matur durimin e shqiptarëve dhe të Evropës, apo siç thotë populli: me një gur t’i vras dy zogj!

Në mënyrë sistematike, me një dhunë të heshtur, Serbia synon të bëjë spastrimin e këtyre trevave nga popullata shqiptare dhe përmes kësaj dhune të heshtur t’i bindë shqiptarët se nuk do të gëzojnë kurrfarë të drejte.

Po ashtu përmes kësaj politikës shoviniste e kriminale, Beogradi dhe politika e saj po i vë hi syve Evropës, që më të drejtë për kombin shqiptar kjo Evropë ka qenë dhe ka mbetur shumë naive përballë politikës serbe, të mos themi edhe e poshtëruar deri në atë masë sa që duhet t’i vije turp se çka janë duke vepruar (në njërën anë shkruajnë konventa dhe flasin për respektimin e të drejtave të njeriut, kurse në praktikë përkrahin politikën diskriminuese dhe atë kriminale, e sidomos të asaj politike që është dëshmuar që nga paqja e Shën Stefanit 1878, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, e deri te lufta e fundit që mu në sy të kësaj Evrope ushtroi gjenocid mbi popuj të pambrojtur). E mu për këtë, në vend se të dënohej dhe të vihej para drejtësisë ndërkombëtare shteti kriminal, ai i Beogradit, kjo disi po përkëdhelej nga politika evropiane, gjë që nuk është e ndershme, të paktën për hir të shumë nënave, si në Bosnje, Kroaci dhe më në fund të atyre nënave të Kosovës që ende janë në ankthin e pritjes duke i kërkuar me lot në sy e plagë në zemër bijtë dhe të afërmit e tyre që janë kidnapuar nga Qeveria kriminale Serb.

Këtu qëndron edhe qëllimi famëkeq i kryeministrit të Serbisë, Daqiçit, inspirues nga programi famëkeq i Vaso Çubralloviqit, i kolegut dhe paraardhësit të tij, kriminelit Milloshoviqit, që përmes kësaj diplomacie mirë të studiuar dhe të prekshme, ta realizojë shpërnguljen dhe t’ua fus frikën shqiptarëve të Kosovën Lindore dhe në anën tjetër ta mbajë status quon mbi veriun e Mitrovicës, duke e ngritur problemin jetik të shqiptarëve të kësaj treve dhe përmes lapidarit të arrijë qëllimin e një konflikti më të gjerë.

Për këtë situatë të prekshme dhe të ndjeshme – nëse eskalon në përmasa tjera të dhunës – përgjegjësia i takon Evropës, sepse ajo në asnjë rast nuk ka vepruar për ta eliminuar konfliktin, të paktën në Ballkan, por përkundër kësaj ka heshtur deri në ato momente kur ka kaluar në përmasa gjenocidi. E sa po shihet, edhe sot me të njëjtin avaz po vepron me Kosovën Lindore, duke i dhënë përkrahje ultimatumit të Daqiçit për heqjen e qëndresës kombëtare nga vendi ku e meriton, dhe dëshmon se serbët ishin dhe kanë mbetur si të dhunshëm dhe kriminelë. Për këtë, një pjesë të fajit do ta mbajë edhe politika retorike e Tiranës dhe Prishtinës e cila përmes retorikës së saj shterpe po e mashtron opinionin e gjerë shqiptar.

Për këtë problem serioz dhe fyes për kombin shqiptar, së pari duhet të jenë të matur politika e kësaj treve që të mos bie pre i shovinizmit serb për një konflikt të mundur që mund të ketë pasoja të mëdha për zbrazjen e këtyre trevave, ndërsa politika retorike e Tiranës të vihet në lëvizje konkrete e t’u dal në ndihmë shqiptarëve të kësaj treve, sepse edhe me kushtetutën e saj i lejohet një veprim i tillë i mbrojtjes së popullatës së vet. Me këtë do të ishte më se e domosdoshme një konferencë mbarëkombëtare nga politika shqiptare që ta trajtojnë këtë çështje kombëtarisht, dhe njëzëshëm t’ia bëjnë me dije Evropës se nuk mund të ketë standarde të dyfishta: për serbë të drejta që në planetin tokësor nuk i gëzon askush, kurse për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit politika diskriminuese dhe aq më tepër të cenohet ekzistenca e tyre.

Për këtë, politika shqiptare duhet të jetë e matur. Së pari t’ia bëjë me dije politikës evropiane se më nuk lejohet një diskriminim i tillë, sepse edhe shqiptarët janë njerëz si të gjithë të tjerët, madje me një kulturë të lashtë e autoktonë; të kërkohet me ngulmë që të realizohen kërkesat më jetike të shqiptarëve me metoda më njerëzore e demokratike, e duke ia bërë me dije Evropës dhe të gjithë miqve të kombit shqiptar dhe botës demokratike se më tutje nuk lejohet që të ushtrohet dhunë dhe represion mbi popullatën e pambrojtur të këtyre trevave; të dënohet veprimi i pamatur i kryeministri serb Ivica Daçiq për ultimatum që dha ditë më parë për heqjen e lapidarit më 20 janar në mënyrë brutale e antinjerëzore, në prani të mese 1000 trupave të policisë pushtuese serbe të cilët kishin ardhur të përgatitur dhe të armatosur deri në dhëmb, për të ushtruar një terror të ri mbi popullatën shqiptare gjatë heqjes së lapidarit të UÇPMB-së .

Më tej, nëse eskalon situata, çdo shqiptar duhet ta ketë në mendje se dhuna dhe terrori nuk duhet lejuar, por të përdoren të gjitha metodat e mundshme politike e demokratike – e deri te ato të mbrojtjes – që të ruhet liria dhe e drejta për të jetuar bashkëkombësit tanë, që edhe ata ta ndiejnë veten se ka kush do t’u dal zot, sepse Evropa ka qenë dhe ka mbetur gjithmonë e vonuar, edhe pse ne duhet ta respektojmë edhe kështu çfarë është.

Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Beogradit dëshiron të bëjë vrasje të dyfishtë kundër atyre që ranë heroikisht duke mbrojtur nderin dhe vatrat e veta kundër politikës shfaruese serbe nga regjimi i Milosheviqit. Me këtë edhe njëherë kjo politikë e shfrenuar synon që ta bëjë fushë të gjakderdhjes këtë trevë. Vërtet hoqën një gur të skalitur me emra e gjak të atyre që nderuan atdheun, por jam i bindur se shtuan më tepër një dashuri dhe më tepër do të na bëjnë të lidhur në besëdhënie për ta ruajtur atë pjesë të historibërjes nga gjaku i paharruar e i skalitur nëpër mendje e zemra të çdo shqiptari kudo qofshin.

Ky akt qyqar i kësaj qeverie fashiste në asnjë rast të mos na dekurajojë, por të na forcojë gjithnjë për një liri, që për Shqipërinë Etnike të qëndrojmë. Lavdi gjithë atyre që nuk e ndalin luftën deri në arritjen e vullnetit të popullit për Shqipërinë etnike! Lavdi martirëve të kombit!