LAJMI I FUNDIT:

Medalja që mbulon të gjitha dështimet e politikës

Medalja që mbulon të gjitha dështimet e politikës

Këngëtarja e famshme, Dua Lipa, ia bani përhajr kryeministrinë, Shpendit. Diqysh sikur me i thanë ti je i gjykuar me e ndjekë Isën, prej pike në pikë. Ajo, në dialektin e Londrës, të shqipes, u shpreh e lumtur që po takonte kryeministrin. Por, kryetari i Prishtinës, Shpendi, gjithsesi me pretendime që edhe postin e kryeministrit t’ia “rrëmbejë” paraardhësit të tij në kryeqytet, menjëherë e korrigjoi, duke e falënderuar gjithsesi për këtë (tani për tani) gabim “frojdian”. Pastaj, tregoi se si me Dua Lipën janë takuar në New York, ku patën biseduar për koncertin i cili do të mbahet sonte në “Gërmi”.

New Yorku gjithqysh është qendra e botës, por aktualisht kryeqyteti i botës është Rio. Flamuri i Kosovës u valëvit për së dyti herë në një vend të madh i cili ende s’e ka njohur shtetin e Kosovës. Pas Rusisë, edhe Brazili “u përkul” para Majlindës, e cila si duket ka ardhur në këtë botë nergut me i ba krenarë shqiptarët andej dhe këndej Bjeshkëve të Nëmura. Shkuan huq edhe “grindjet “ e ndonjë nacionalisti të vonuar, mazohist, që kur nuk ka të tjerë preferon edhe armiqësi dhe tradhti mes shqiptarëve andej dhe këndej Bjeshkëve të Nëmura. Grinden se kush ka të drejtë të gëzohet për këtë sukses sportiv.


Në anën tjetër, nuk la dështak pa e përdorë Majlindën, si maskotë, për të sharë armiqtë e vet të cilët për ndonjë arsye nuk paskan kurrfarë meritash për kombin dhe aq më pak të drejtë të gëzohen për suksesin e saj. Pas konfliktit të sajuar me Turqinë, tash atdhetarët kosovarë dhe atdhetarët shqiptarë, po shahen në Facebook me dëshirë që me kallë edhe me Tiranën një konflikt emocional, nëse jo politik.

Edhe politika, po katrrithet për shiritin ku e ka varur medaljen e artë, Majlinda. Presidenti i vendit, në veçanti, ka hundë për me e nuhat publicitetin. Kur është fjala për publicitet, ai është në gjendje me marrë udhë edhe këmbë deri në Rio, edhe me shpenzime të vetat, e lëre më me aeroplan dhe me buxhet të shtetit. Me një fjalë, ai është gjithnjë aty ku (nuk) duhet. Kudo ku ka një sukses sado të vogël, atij i takon së paku gjysma e publicitetit, nëse jo më shumë. Pastaj, duke u përsëritur në mediat “e lira”, harrohet se kush ishte heroi i vërtetë.

Kur e ke parasysh se edhe presidentë apo kryeministra të tjerë, edhe ballkanikë, ishin atje, as ky i yni nuk është dashtë kurrqysh të mungojë, edhe pse me reputacionin e tij ndërkombëtar vështirë se e rrit shkëlqimin e medaljes së parë të artë, olimpike, të shtetit të cilin e përfaqëson edhe ai.

Anti-korrupsioni i besueshëm kosovar, i njohur botërisht për luftën e pakompromis për shtet dhe ligj, me siguri do të shohë shpenzimet publike të atyre që ishin të domosdoshëm të shkonin me shpenzime nga buxheti, në Rio, dhe do të konstatojë se gjithçka ishte në rregull dhe se nuk ka aspak elemente të veprës penale – ashtu si konstatoi këto ditë edhe kryeprokurori, pas dëgjimit të rreth 1000 telefonatave të spektaklit më të ri “Pronto 2”, produksion ky me karakter argëtues, përqafues, iluminues… ues… ues!

Shumica e qytetarëve të cilët nuk kanë pasur kënaqësinë dhe fatin të flasin me Ademin në telefon, po ecin shlirë rrugës me hap solemn, ndërsa të tjerët po rrinë nën stres se cila seri po i “kapë” edhe ata.

Por, të kthehemi te suksesi. Pavarësisht krizës, demarkacionit, “Zajednicës”, dështimit me liberalizim e vizave, varfërinë, papunësinë, megjithatë gjithçka është në rregull, sepse suksesi i Majlindës do të mbulojë shumëçka çfarë ka shkuar mbrapsht në politikë dhe shtet, së paku këto dy vitet e fundit, e sidomos shpresohet të mbyllet me të mirë “show” ma i ri argëtues, virtual: “#MeGrabovcin”.
Uroj që në mes të 1000 të tjerave, të mos ketë telefonatë ku Ademi flet me kryetarin e Komitetit Olimpik Botëror dhe ku ai e pyet kush është i yni e kush jo, dhe pastaj ku dëgjohet Ademi duke thënë: Kjo duhet me kalua, e kjo jo!

Përndryshe, derisa kryetari dhe kryeministri morën pjesë në karnavalin politik të Rios, i cili po i përcjell Lojërat Olimpike, ambientet e presidencës u gjuajtën me “zoll”-ë! Analistët e sigurisë, nëpër kafenetë rreth Parlamentit dhe Qeverisë, i vërejtën disa elemente të cilat shtyjnë të mendohet se nuk është fjala thjesht për ushtarët e UÇK-së të cilët deri më tani dyshoheshin për gjithçka, por bëhet fjalë për profesionistë të trajnuar të cilët sidoqoftë (nuk) e kishin ditur se ku ndodhet i zoti i shtëpisë. Pastaj, e vlerësuan si veprim “profi” edhe djegien e motorit. Prapëseprapë, përkundër analizës së thellë, pyetja standarde “kush”, ka mbetur pa përgjigje njëherë për njëherë. Hetimet vazhdojnë dhe bazuar në përvojën nga e kaluara ato do të vazhdojnë, vazhdojnë… ojnë.

E kuptuat tashmë se është ngatërruar puna. Veç Serbia ka mbetur pa e dënuar goditjen mbi Parlament, me “zoll”-ë. Përsëri u bë mjegull. Kurrsesi të kthjellohet (prapa)skena (para)politike e Kosovës.

Kush e gjuajti tempullin e demokracisë edhe pse janë të dukshme asociimet e gazetarëve të koalicionit, se pas lotsjellësit “zoll”-a pritej? Ndoshta tingëllon më arsyeshëm formula: “Mos pyet kush e bëri, por pyet përse”! Duke u nisur nga ky parim, mund të nxjerrim disa supozime interesante:

Kryetari i vendit ka alibi. Ai nuk e ka gjuajtur zyrën e vet. Është në Lojëra Olimpike, është pjesë e karnavalit politik! Bazuar nga stili i dëgjuar në “Pronto 2”, mund të konkludojmë se pasi ka “luajtë… oqe” me Parlament, me ambasada e me popull, ka shkua pak edhe në Brazil me vazhdu lojën me buxhet të shtetit. Por, jo vetëm presidenti, por edhe koalicioni ka interes me e frikësua popullin edhe protestuesit potencialë. Duke hedhur hije dyshimi mbi kundërshtarët e tij politikë, ka arsye publike me e shtu sigurinë rreth Parlamentit dhe me i shpërnda protestat e pritshme ditëve kur do të votohet demarkacioni.

Opozita po ashtu ka motiv, edhe pse është vështirë të besohet që opozita të ketë ndërmarrë një sulm të tillë, sepse kështu do të jepte arsye të shpallet e jashtëligjshme.

Nuk përjashtohet as “armiku i jashtëm”. Sidoqoftë, mbetet të shihet sa po arrijnë këto ngjarje të largojnë vëmendjen prej humorit të zi qeveritarë, produksion i 20011-tës. Apo ndoshta edhe “Pronto 2” është konceptuar për të larguar vëmendjen nga diçka tjetër? Historikisht, të etur na kanë nxjerrë andej lumit. Të etur dhe të lagur.

“Protesta” më e madhe këto ditë pritet të mbahet në aeroportin turk, në Prishtinë, ku pritet të mblidhet masë e madhe. Vjen Majlinda. Në Prishtinë do të ketë reduktime të rrymës nga distribucioni turk, sepse e arta olimpike do ta bëjë ditë kryeqytetin. Nëse organizatorët tregohen të arsyeshëm dhe nuk lejojnë përdorimin e birrës, gjithçka mund të shkojë mrekullisht. Asgjë nuk ka më dehëse se suksesi ynë.

Për disa ditë rresht, askush të mos guxojë të na flas për probleme. Uroj që edhe Majlinda si pejane që është, të mos deklarohet për demarkacionin…

Në trend

Më shumë
Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Lajme
Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon

Perez po e bën atë që askush nuk e ka bërë deri më tani – krijon "një strukturë të re të pronësisë" të Real Madridit

La Liga
Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Dy vite më parë arritën marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë francez Rafale, gjashtë prej tyre ateruan në Zagreb të Kroacisë

Kroacia
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Nga rrahja e kryetarit të ‘Intelektualëve’ deri tek dërgimi i Valon Zymberit dhe dy personave tjerë në mbajtje – e gjithë situata

Superliga
Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Donaldi fluturon me helikopter mbi shtëpinë e BBVA për t'i bërë befasi Romeos, tregon se si duket shtëpia e famshme nga lart

Magazina
Kalo në kategori