LAJMI I FUNDIT:

Mendime të shkruara në skaj të vetvetes

Mendime të shkruara në skaj të vetvetes

Botoi librin e parë (2014), romanin me një përkushtim të madh ndiesor «Fluturat». Dhe tani nga erdhi me “Aforizmat” e tij. Mund të mos ndodhte kështu, por Roland Spahiu, ky shkrimtar në moshë mjaft të re ka hedhur vërtet një hap të madh, duke u paraqitur tashmë me “Aforizmat”,gjini e vështirë dhe me një theks autoritar mendimesh e filozofie.

Teksa lexon aforizmat e tij, nën sfondin e muzikës klasike dhe tingujve të pianos, gjen veten dhe thellohesh në botën e mendimeve, aty ku mund të ngresh zërin e protestës dhe të ndjesh afshin e tokës, të barit, trokitjet te porta e shtëpisë, të marrësh pjesë në debat dhe të hedhësh dritë mbi gjithçka që të rrethon. Mendimi i tij është vërtet i pjekur dhe e tërë bota sillet rreth e qark egos dhe superegos, një filozofi e pastër, që mbart shqetësimin dhe nervin e përjetimeve të thella.


A mbarojnë ndonjëherë problemet e mëdha të kësaj bote? A sjellin dritë të plotë ato mendime për shpirtrat njerëzorë? A i prekin hallet e njeriut të thjeshtë? A i këndojnë ato dashurisë? Apo mendimet e Rolandit mbyten brenda gotës me ujë dhe kthehen sërish andej nga janë nisur? Ndoshta dikush mediton nën dritën e qiririt nën reflekse të forta. Mbase gjejnë pak qetësi nga tronditja e madhe që pëson në udhë e sipër prej fatit të keq, apo rastësisë së bukur. Mbresat e këtyre mendimeve janë të forta, herë akullohen si bryma mbi gjethen e pemëve, apo mbi bar, herë braktisen e lëndohen krejt papritur. Siç mund të ndodhë realisht në jetë, ky mendim i koncentruar ngre probleme të mëdha ose drejton vëmendjen njerëzore pikërisht ndaj këtyre problemeve.

Në sitën meditative të shkrimtarit janë familja, shkolla, edukimi, morali, shkenca, besimi, ndjenja, arsyeja, ligji, të papërmbajturit, situatat e larmishme, shpirti, halli, ndrojtja, gëzimi i pakufishëm, urrejtja, nacionalizmi, dashuria për atdheun. E plot të tjera pa fund. Ti i dashur lexues ke dëshirën t’u kthehesh sërish po atyre mendimeve, për t’i parë ndoshta në një dritë të re, për të ecur një copë udhë së bashku me meditimin e tjetrit, me fabulën që ai ka zgjedhur dhe… gdhend në shpirt dëshirën për t’i pasur pronë të tuat ato mendime e sjellje.

Sepse nuk janë thjesht mendime dhe aq, por janë edhe dëshirë gati e papërmbajtur që të jenë edhe veprim, sjellje në gjithë përditshmërinë e njohur e të panjohur.

Në aforizmat e tij, Roland Spahiu ka përqendrime mendimesh e refleksionesh të zgjuara dhe befasuese, herë veshur me velin e ftohtë të mjegullnajës që mbulon të vërteta e pamohueshme, herë bëhet cerebral dhe i bie drurit për ta prerë me një të rënë të sëpatës. E kam zili, vërtet. Sepse në çdo hap e shoqëron panda një hije serioziteti dhe vështrim prej burri të pjekur. Ky ndoshta është dhe sekreti i madh i aforizmave. E lakmojnë forcën e fjalës, hijeshinë e frazës dhe pse jo edhe nëntekstin figurativ. Se, në vetvete ato kanë një tis poetik të këndshëm, befasi të fuqishme dhe shumë dritë. As që mund të kuptohen ndryshe. Pra, s’mund të shkruhen pa frymëzim dhe fuqinë e një burri.

Aforizmat o janë shkruar nga penat më të fuqishme në botë, ose janë zgjedhur mendimet pikante nga veprat më të mira të këtyre autorëve të mëdhenj. Në të gjitha rastet janë kujdesur të tjerët për të hulumtuar veprën e shkrimtarëve, filozofëve, poetëve, psikologëve, njerëzve të shquar në fushat e ndryshme të sportit, artit, kulturës, politikës etj. Lexon mendimet e fuqishme të Roshëfokosë, gjeniut të madh frëng, që me veprën e tij «Mendimet» mbeti i përjetshëm në historinë e mendimit njerëzor. Por lexon aforizmat e Niçes, të Uajlldit, Shopenhauerit, Kafkës e të shumë të tjerëve dhe gjen brumin e jetës. E krahasuar me këto pena të fuqishme e aq të njohura ti mendon e thua që ku e gjen guximin ky djalosh që përvesh mëngët, hedh mendimet e tij pa u shqetësuar fare dhe u thotë njerëzve të vërtetat që i ndien dhe i sheh, i ngacmon dhe u bën karshillëk, sepse bota tashmë e ka ndryshuar fizionominë e saj, nuk është më ajo e para…

Mos vallë i vijnë sinjale të çuditshëm që e bëjnë të hedhë në letër refleksione interesante, krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri, të përmbyllë ide me bazament të fortë, madje të ngrihet edhe mbi të tjerët dhe ta përplasë grushtin fort, kuptohet nëpërmjet mendimit që shkruan. Nuk janë mendime të shkruara natën vonë, as të mbështjella me tisin e zi të saj, por mendime plot dritë e përkujdesje. Kanë rrezatim të butë? Kanë ildisje? Apo janë lënë ashtu të çaprashitura, të mbështjella me lëvozhgën e zakonshme që të mos dëmtohen gjatë rrugës. Asgjë e shfryrë dhunshëm veçse ngrihen në këmbë pa asnjë mundim dhe, madje, me elegancë. Nuk ka asgjë të shprehur përbuzshëm, as mendime që të tingëllojnë si njëfarë urdhri i fshehtë. Rolandi shkel me kujdes kudo që shkon. Shikon tej një dritë dhe atje i mban sytë. Ai ndriçim i largët i pëlqen, pa harruar se shkel kudo mbi gjemba, mbi shkorreta, mbi lagështinë e pellgjet e plakura, por që i kapërcen me vetëdije të kulluar. Jo, nuk merret fare me hollësitë e subjektit që i përkushtohet, ai merret me farën, të mos jetë hibride, por autoktone e mbi të gjitha e tij, burimore, të mos e ketë thënë dikush tjetër, tek e fundit të mos tingëllojë keq, të ruajë në peshore qetësinë, pa e lënë mënjanë paqen e brendshme, dashurinë, shpirtëroren, frymën, ngrohtësinë, që fjalët të mos mërdhijnë. E vërteta është se autori vuan, pëshpërit sa andej këtej, mbledh forcat dhe ia hyn punës me njëfarë force që të duket se po të ngre peshë: jeton me çastin, krahason, ngre lart përshtypjen, zgjedh fjalën e duhur, e prish, hulumton më tej, i vjen ndërmend një mendim tjetër dhe e lë pak mënjanë këtë që s’po fiton dot autoritetin e duhur…

Është i besës Rolandi. Së brendshmi i ngrihet një zë a një jehonë e largët i tingëllon dhe ai e ndien dhe pret. Çfarë pret? Mos vallë pret që ideja t’i hapet krejt, t’i flasë çiltër, të dashurohet marrëzisht pas vetvetes, të dëshpërohet apo t’i përgjigjet prerë? Bëhet papritur lojcak, ashtu siç e ka natyrë njeriu kur hyn në botën qiellore të mendimeve dhe del e thërret te pragu i derës të tjerët, t’i vijnë afër dhe të mbajnë vesh. Me zërin që i dridhet paksa ai të ngjan se i drejtohet gjithë botës pa kufi, nuk e ka thjesht me shqiptarët, ndonëse shpesh gjuha vete ku dhemb dhëmbi dhe merret disa herë me nacionalizmin e fqinjëve, me përmasat ireale të tij, me ngasjet luftënxitëse. Mendimet e Rolandit nuk mbeten kurrë një vegim.

Gjithashtu një e vërtetë tjetër është se Roland Spahiu, ky djalosh, por me mendime plaku nuk shëtit në humbëtirat rreth e qark, nuk rraset diku në një qosh dhe aty mbledh mendimet pikante të të tjerëve, jo. Ai hap rrugën, e pastron o nga dëbora, o largon ngricën prej saj, heq edhe shkëmbinj që kanë rënë papritur e pakujtuar, pastaj mbështetet diku i lodhur, mund të jetë kjo edhe një kafene fshati ndanë kësaj rruge dhe ashtu, gjysmë dremitur, ndez flakën në shpirt, përtyp mendime, sheh fillin e një mendimi të ri, sapodalë nga «furra» e nxehtë dhe vështron tej në largësi të paarritshme. Nuk degdiset nga rruga e tij, ndjen se mendimi i tij është shprehur dhe atij procesi të bukur i vë një emër, ashtu si i vjen dhe ashtu si e gjykon atë çast. Prandaj dhe krijimtaria është e bukur, pse është kaq e mundimshme. Ndryshe nuk do të kishte art dhe pëlqyeshmëri të tij.

Kushdo prej nesh që lexojmë mendimet e këtij djaloshi tashmë të pjekur mund t’i themi fjalë të ngrohta, madje mund ta mbulojmë pak se e ka zënë gjumi në karrige dhe aty ndoshta duke ëndërruar. Pa ëndërrim s’ka mendime. Falënderimi ynë ngrihet mbi thjeshtësinë e shkrimtarit, mbi lodhjen e tij, mbi ëndërrimin dhe lakmojmë të kuturisemi në ndjenjat dhe refleksionet që na sjell, mbuluar me heshtjen dhe mbështjellë me tharmin elegant të gjetjes. Ne e shohim entuziazmin e fshehur të Roland Spahiut dhe sikur na ngre pak nervat, na shtyn të mendojmë se përse na hidhet kështu degë më degë dhe befas futet në shtrofkën e tij. Aty, si në jetën e një eremiti, nuk vijnë gra të veshura me shije të hollë, aty nuk hyn jeta e velur dhe e ngopur, aty s’ka sensacione, aty fshihen ca feksje të mahnitshme, ca gurë të ndritshëm rubini, çajnë hyrjen  ca rreze misterioze drite dhe rrethuar nga ajri i vetmisë (vetmi tronditëse) që mbruhen si ide dhe hidhen pastaj në letër me nuhatje të hollë, me ndjesinë e fortë në luftën gjallë a vdekje.

Tronditja bëhet e afërt, e ndritshme, sikur vezullon, nganjëherë edhe e përftuar si plagë e freskët, paksa e mahisur dhe me buzët flakërimë, si të thuash djegur e përvëluar nga hija e brendshme e seriozitetit. S’ka gallatë aty. As mendime të stisura, por ujë i kulluar burimi për ta ruajtur pastaj në shishka të vogla e për t’ua dhënë njerëzve në nevojë, si shishka me ujë të bekuar. Le t’i pinë njerëzit, se ulin temperaturën, atë, temperaturën e rrezikshme, të brendshme e të fshehtë.

Mendimet e Roland Spahiut, përmbledhur në aforizmat e titulluara «Gjenocid i hirtë» ngrenë shqetësime dhe kësisoj duken si re të shqetësuara bojëhiri që enden sa andej-këtej, pa mundur të gjejnë dot një skutë të qetë në hapësirën e bukur e të madhe. Shqetësimi bojëhiri duhet i mahisur vende-vende, pak si plagë të kuqërremta, për syrin që i sheh duken si ato lungat që dalin aty-këtu në një fytyrë të trazuar nga lodhja e brishtë.

Ato duhen hequr patjetër se të shëmtojnë. Po më e mira do të qe që ato të liheshin pak ashtu, në pritje që të zinin qelb dhe pastaj të shtrydheshin fort derisa të largohej duke u shtrydhur gjithçka, madje duke zhdukur edhe shtratin e tyre. Lungat e mendimit. Lëngata e shpirtit. Drita vjen pas mundimit… Këtë ka bërë edhe Rolandi. Faqja e shqetësimit është e pastër. Ne na vijnë mendime të shqetësuara vërtet, por ama të pastra, të kulluara.

Aforizmat e Roland Spahiut kanë nerv, jo nervozizëm. Ato kanë tension dhe madje shprehen me tension, jo rrëmujshëm. Thjesht përshkruhen me qetësi, bile mund ta quash edhe qetësi magjike. Ato shprehin keqardhje për të vërtetat e tronditura keq, pikojnë lot ngadhënjimi, lëshojnë pe ndaj trishtimit, marrin në mbrojtje vuajtjen njerëzore, shprehin admirim për të bukurën dhe artin, shkencën, dritën, guximin, fatkeqësinë… I lexon ato mendime të kulluara dhe kurrë nuk të shkon mendja se i ka thurur një djalosh i brishtë, i cili gati thyhet para botës rrethuar nga uria, egërsia dhe madhështia e shtirur, nga potenca e mbivlerë, mashkulloriteti harbut dhe herë-herë edhe nga feminiteti i tepruar.

Kjo botë që po shemb vetveten ka përkujdesjen e kësaj dore të hollë, drithmëtare, lënguese dhe me fijet   e holla të kujdesit ildis mendime të tejdukshme se si ta ndreqë, si t’ia mbyllë plagët dhe të bëhet gjethe tatulle përmbi to. Ne do t’i kemi pranë vetes këto mendime dhe do të ecim gjer në fund të rrugës sonë të përbashkët njerëzore…

Xhevair Lleshi

Tiranë

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kalo në kategori