LAJMI I FUNDIT:

Mesazh fundviti – t’i besojmë vetes dhe dashurisë!

Edhe 21 dhjetori i famshëm profetik për mundësinë e ndodhjes së kataklizmës apokaliptike të botës, të parashikuar sipas kalendarit të civilizimit të lasht Maja, erdhi dhe shkoi. Fatlumsisht nuk ndodhi asgjë e frikshme. Apo, më mirë të themi – nuk ndodhi asgjë “kotë e pritshme”. Edhe pas kësaj “fantom date”, bota (por edhe Kosova) vazhdoj të mbijetoj me të gjitha brengat dhe problemet e saja të zakonshme ekzistuese.

Meqë jemi, po ashtu, para festave të fundvitit, nga ajo më e keçja, shpejtë vëmendja e jonë do t’i kthehet argëtimit, shoqërimit, disponimit të mirë, urimeve dhe dëshirave më të mira, tryezave të begatshme, zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella; do t’i kthehet shpresës së zakonshme se ky vit i ri do të jetë shumë e shumë më i mirë se sa viti që po e lëmë pas. Dhe… çka të themi? Edhe frika e shkuar e panevojshme, por edhe shpresa e menjëhershme si optimizëm, janë dy emocione tona të natyrshme të gravuara thellë si instinkte në kodin tonë gjenetik.

Sido që të jetë, jeta vazhdon! Me vet aktin e kremtimit të Vitit të Ri, NE, në mënyrë simbolike i japim nderim vazhdimësisë së kohës, e cila, për çdo vit fillon të rrjedh. Edhe pse flitet se në vitin e ardhshëm do të kemi një krizë edhe më të ashpër ekonomike dhe politike, kjo nuk do të thotë asgjë. Sepse NE kaherë jemi të mësuar të “krizojmë”. Meqë, optimizmin e kemi si të vetmin karakteristikë pozitive kolektive që na rendit në vendin e parë të sondazheve ndërkombëtare si popull, me këtë fodullëk të superioritet tonë, mbase edhe këtë vit do të vazhdojmë të “optimizmojmë”.

Po ashtu, flitet se në vitin 2013 do të kemi zgjedhje. Ato lokale – sigurisht, por sikur mozomakeq po na shkojnë punët, era po i vije edhe atyre të jashtëzakonshme (parakohshme) kombëtare. Përsëri, nuk ka problem! Jemi mësuar ne edhe me këto zgjedhje. Sikur shumë të tjerat të pasluftës, edhe këto do t’i përballojmë me sukses. Ne po, por jo edhe disa parti që do të zhduken nga skena politike.

Meqë, do si do, disi e tejkaluam vitin 2012, çfarëdo qoftë edhe 2013 -ta, sigurisht do ta përballojmë me sukses! Andaj, gjithsesi atë duhet ta presim të gëzuar dhe të lumtur. Edhe këtë herë si gjithnjë me besim për një të ardhme më të mirë. Fundja, me BESUA është e vetmja gjë që na ka mbet ta bëjmë falas dhe nuk na kushton asgjë.

Pa dyshim! Edhe këtë vit duhet të vazhdojmë të besojmë, ama jo në Babadimër. Këtë t’ua lëmë fëmijëve. Mos t’i besojmë as politikanëve, sepse kështu bëhemi ne fëmijë.

Në një vend ku mediokriteti intelektual, (pa)drejtësia, korrupsioni, hajnia dhe kriminaliteti në përgjithësi, banojnë në një pallat, aty nuk ka politikë dhe politik/bërje të mirëfilltë. Andaj, fisnikërinë tonë sa më larg nga ky biçim politike shantazhuese, përmes së cilës, dikush (nga të huajt), për interesat e veta më të larta dhe kinse në emër të instalimit të demokracisë, eksperimentojnë me ne në çdo aspekt të jetës sonë; na mësojnë se çka është mirë e çka është keq; këndej apo andaj duhet të shkojmë; si të sillemi me të tjerët; ku dhe çka duhet ta ndryshojmë… Meqë të tjerët na mësojmë edhe çka është dashuria, mirësia, toleranca, mirëkuptimi…. në këto rrethana të krijuara, fitohet përshtypja thuajse edhe ndjenjat tona i takojnë (atyre) të tjerëve. Në këtë proces, sikurse na thonë -civilizues, neve na është ndaluar të mendojmë. Nga ne fare nuk kërkohet të mendojmë, por vetëm të mësojmë. Të mësojmë, të mësojmë dhe të trajnohemi. Hajt, hajt, hajt …kështu vazhdimisht e deri në automatizëm. Sepse, kur fillojmë të mendojmë me kokën tonë, atëherë bëhemi të lirë, e, ne, në të vërtetë, kurrsesi nuk guxojmë të bëhemi të lirë…

Nëse është ashtu, në çka pra duhet të besojmë?

Duhet të besojmë në VETEN tonë si mikun më të mirë. Me këtë besim ne lidhemi me forcën e pafundme të inteligjencës universale e cila do të na shpie kah mënyrat e reje të të mësuarit dhe menduarit. Atë të komunikimit ndër-personal intuitiv, hyjnorë. Aty pra, është çelësi i forcës tonë latente e cila mund të bëj të arrijmë çdo gjë që dëshirojmë. E, kur kjo të ndodh, tek atëherë do të bindemi se pikërisht në ne është diçka shumë më e fortë se sa pengesat ekzistuese që, në dukje, nuk po na lënë të bëhemi së bashku si një “grusht i fortë migjenian” me të cilin “do t’i biem mu në zemër malit që s’bënë zë…”

Gjithsesi duhet ta dimë se në jetën tonë ekzistojnë dy paradokse emocionale: indiferentizmi dhe dashuria. E para na shprehet si topitje emocionale, kotësi, mosveprim… Me vrasjen e tij, vdesin edhe dyshimet, lajthitjet, hamendësimet në ne…Thjesht, vdes frika. Kur të vdes frika, vetëm atëherë mund të na shpaloset ajo ana tjetër e paradoksit – DASHURIA, e cila shprehet si vullnet i fuqishëm për veprim të përhershëm kah e përsosura.

Dashuria, është cikël. Proces. Kur je i dashuruar – të lëndojnë; kur je i lënduar- fillon të urresh; kur urren – fillon të harrosh; kur fillon të harrosh – ndjen zbrazëtirë; kur ndjen zbrazëtirë … sërish fillon të dashurosh. Harmoni e përsosur, pa dyshim! E…çdo gjë harmonike, njëkohësisht është bukuri! Përsosmëri në vete. Është vetë Zoti në ne.

Ta njohim pra bukurinë, ta duan dhe t’i dorëzohemi asaj, tek atëherë jeta nuk është e mërzitshme. Tek atëherë ajo bëhet e bukura e vërtetë, e natyrshmja ekzistente, tek atëherë ngjan ngritja dhe zhvillimi kah e vërteta, kah e bukura e vërtetë që gjendet në ne, në qetësinë e visarit tonë të brendshëm… dhe kjo quhet – HYJNORJA!

Përjetimi i qenësishëm i së bukurës në vete është rruga që duhet të na shpie kah Zoti, kah falënderimi. Nëse me këto bindje e takojmë bukurinë dhe falënderimi për këtë rritet, atëherë na ngjan dorëzimi. Paraqitet DASHURIA.

Krejt në fund, për këto ditë festive, desha ta bëjë edhe një porosi. Një porosi të cilën mund ta merr çdokush si të do – pragmatizëm apo utopi: Nuk ekziston askush i keq në këtë planet. Për atë Jezusi tha :”Duaje të afërmin tënd sikurse vetveten”. Gjithkënd sikurse veten. Edhe atëherë kur e ngujuan, ai tha: ”Falu. Nuk din çka bëjnë”. Nuk i nëmi duke thënë:”Ata janë njerëz të këqij”, Jo, sepse ata jetonin në mosdije. Nuk ishin të dijshëm.

Fatkeqësisht, shumë e shumë njerëz te ne nuk janë të dijshëm…. Sigurisht ata edhe gjatë vitit të ri që po na vjen do të mbeten të tillë. Është kështu çdo kund, pa dyshim. Por, me këtë rast, të urojmë që ky soj njerëzish sa më pak të jenë në pushtet!

Gëzuar, pra, Viti i Ri 2013, me besimin e shtuar në vetvete dhe dashurinë që është në NE. Amen!