LAJMI I FUNDIT:

Meseleja e njëqindtë – kur na citon Beogradi

Krijimtaria e mirëfilltë nuk njeh asnjë lloj bllokade. Kryeveprat e artit u mbijetuan epokave e shekujve, duke u bërë pjesë e trashëgimisë së njerëzimit, pa dallim race a gjinie. Shumë vepra të artit kulmor të cilave nuk iu dihet as autori, me përmbajtjen e tyre u bënë pasuri e njerëzimit, deri në ditët e sotme. Gjeniu i artit në asnjë epokë nuk ka pasur nevojë të brengoset për jetëgjatësinë e veprës së tij. Teoria e të shkruarit njeh edhe stilin e thjeshtë. Përdorimi i fjalëve të mëdha apo i një numri të madh fjalësh, shumë herë nuk ka nxjerrë kryevepra. Përkundrazi, shumë autorë, megjithëse kanë përdorur pak fjalë dhe kanë shkruar me një stil të thjesht, i kanë lenë trashëgimi njerëzimit kryevepra të patejkalueshme.

Fjalë të mëdha kur përdoren me vend i japin fuqi shkrimit, në të kundërtën ato dëshmojnë mangësitë e autorit.

“Një burrë kërkoi nga një plak i mençur që t’ia mësoi njëqind mesele. Ai kërkoi nga eruditi që ato mesele t’ia mësoi një nga një për t’i mbajtur mend më mirë. Plaku i urtë ia mësoi burrit të interesuar të 99 meseletë, ndërsa ky pasi priti edhe disa ditë të tjera, për të mësuar meselenë e njëqind me radhë, eruditi nuk po ia tregonte dot. Një ditë, burri i interesuar e ndali plakun dhe i tha: pse nuk më mëson edhe meselenë e njëqindtë?

– “E more burrë”, i tha plaku i urtë, “të është dashur vetë ta kuptosh atë. E njëqindta mesele tregon si t’i përdorësh 99 të tjerat. Kur mëson përdorimin me vend të meseleve që ke mësuar, ti ke kuptuar dhe mësuar meselenë e njëqindtë” .

Kudo në botë, kushdo që shkruan opinione, vështrime apo analiza për probleme të ndryshme shoqërore, i përmbahet vet njëfarë kodi etik. Çdo paraqitje publike do të duhej të ketë njëfarë etike. Nuk dihet që diku në një shtet të botës, mediat të jenë amnistuar tërësisht nga sanksionimi ligjor.
Të lirohesh nga ligji nuk do të thotë edhe të lirohesh nga përgjegjësia për fjalën publike. Duke shfrytëzuar shumë herë edhe mungesën e çfarëdo neni sanksionues (penalizues) për fyerje publike të kujtdo çoftë, ndodhë të shohim e lexojmë edhe aso shkrimesh të cilat nuk i kanë hije as vet autorëve të tyre.

Shumica e shqiptarëve e dinë mirë se ballafaqimi ynë me Serbinë do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Shtrohet pyetja se sa kemi përvojë në rrafshin politik kur ballafaqohemi me pushtuesin e deridjeshëm dhe përvojën e tij, e pse jo edhe miqësinë e vjetër serbo-sllave, me shumicën dërmuese të vendeve të sotme sovrane te Evropës. Si dikur moti, edhe sot kur mediat e Beogradit nuk rreshtin së shkruari kundër shqiptarëve, veçanërisht kundër Republikës së Kosovës, të ofrosh material propagandues kundër vetvetes, nuk është për lëvdatë.

Shumë herë edhe pa vetëdije, por edhe në mënyrën e njohur moti “për inat të resë, më vdektë djali”, mund të shohim jo pak shënime të pamatura të cilat qojnë ujë në mulli të propagandës serbe, e cila edhe katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës në Kosovë, vepron me të njëjtin intensitet, me synimin e vetëm: diskreditimin e Kosovës dhe të shqiptarëve para botës.

Këto ditë u pa se si Serbia shënon 17 marsin e vitit 2004, përvjetorin e trazirave në Kosovë. Fatkeqësisht, tek ne nuk u pa ndonjë shënim meritor për rrjedhën dhe origjinën e ngjarjeve të përmendura dhe pasojat e tyre. Pse të mos thuhet, jo vetëm një herë, se gjithë ajo që ndodhi në mars të vitit 2004 ishte produkt i shkollës serbe të krimit, kurth i propagandës serbe në të cilin ranë lehtë një masë jo e vogël njerëzish. Pse të mos përkujtohen edhe viktimat shqiptare? Pse të mos kujtohen të gjithë ata shqiptarë që u vranë atë ditë, pesë vjet pas lufte. Propaganda serbe do të duhej të merrte përgjigje me shifra e fakte konkrete.

Madje, shohim shkrime krejt inatesh personale. Shohim opinionistë që i japin të drejtë vetës të ftojnë mekanizma ndërkombëtar për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe një vjet pas heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Nëse sot shqiptarët më nuk janë shërbëtorë dhe as kanë nevojë të jenë “vojvodë” për të ruajtur me pushkë, direkt apo indirekt, po ato kisha e manastire ortodokse gjatë gjithë periudhës së pushtimit osman, pas gjithë katrahurës së fundit në Kosovë, në asnjë rast a situatë, ata nuk do të duhej të bien pre e provokimeve serbe dhe të ndërmarrin veprime që dëmtojnë imazhin e Kosovës.

Megjithëse ngjarjet e vitit 2004 kishin shumë indikacione të nxitjes nga shërbimet sekrete serbe dhe ishin krejt produkt i shkollës serbe të krimit, jo pak njerëz tanë, ranë lehtë në grackën e kurdisur.

Edhe pse Serbia tani nuk qeverisë Kosovën, përpjekjet e saja për destabilizimin e vendit tonë vazhdojnë sot, e do të vazhdojnë edhe nesër, me mënyra e metoda të reja dhe shumë më të sofistikuara. Zyrtarisht nuk u tha asnjëherë se sa shqiptarë u vranë dhe sa i kushtuan buxhetit të Kosovës shkatërrimet gjatë trazirave të marsit të vitit 2004, por dihet mirë se për rindërtimin e objekteve serbe të kultit të cilat u shkatërruan ato ditë, e të cilat ishin të vjetra dhe në prag të rrënimit të natyrshëm, u ndërtuan të reja nga buxheti i Kosovës për çka u derdhen me miliona euro.

Shumëçka dëshmon se sot 13 vjet pas luftës së fundit, propaganda serbe kundër Kosovës ka kaluar në kundërofensivë në tërë frontin, madje në fushën e informimit qëndron shumë para nesh, me synimin e vetëm: inkriminim e shqiptarëve.

Për habi, në një kohë, kur Kosova shënoi pesë vjetorin e Pavarësisë, Beogradi zyrtar citon shumë shënime, opinione e komentime të jo pak mediave tona, me përmbajtje të dëmshme për Kosovën, dhe dihet mirë se kur, dhe pse e bënë këtë Beogradi.

Megjithëse të privuar nga shkollimi, jo pak eruditë shqiptarë, edhe kur nuk dinin shkrim-lexim, kuptuan djallëzinë serbe. Qëndrimi i këtyre eruditëve shumë herë edhe u keqpërdor nga pushtuesi, mu pse traditat më të çmueshme shqiptare binin ndesh me idenë, se kundër pushtuesit duhet përdorë metoda të njëjta dhune si kundërpërgjigje. Të gjitha dëshmitë flasin se numri i atyre eruditëve që kundërshtuan me çmimin e jetës veprimet e ngjashme me ato të pushtuesit, ishte shumë më i madh se i atyre që preferonin reciprocitetin.

Beogradi me ëndje citon titujt e shkrimeve, si: “Kosova shtet i dështuar…”, “Kosova, ky shtet “toksik”, “Gestapo qeverisja”, “Deputetët dhe partitë politike që nuk e njohin Kosovën e pavarur”, “Pini ‘dobrojutro’”, “Kosova ka blerë shumë njohje”… e të ngjashme, të cilat jo vetëm që dëmtojnë imazhin e Kosovës, por nuk i bëjnë nder as vet autorëve të atyre shënimeve!