LAJMI I FUNDIT:

Mësimet e Lidhjes

Nëse ka një moment në historinë e Shqipërisë ku krahas luftës së përditshme politike, diplomatike e ushtarake lindi mendimi politik, filozofik e shoqëror, si edhe veprimtaria publicistike, letrare e shkencore, ajo ishte padyshim Lidhja e Prizrenit.

Plot 135 vite më parë, frymëzuar nga atdhetarizmi e nga karakteri përparimtar i rilindësve, jugorë e veriorë, myslimanë e të krishterë, i dhanë besën shoqi-shoqit për t’i kthyer shpresën vendit.

Megjithëse një pjesë e tyre radikalë (kërkonin menjëherë autonomi të vilajeteve ose edhe shpallje të pavarësisë në varësi të zhvillimeve); një syresh të moderuar (kërkonin një politikë më të butë në raport me Portën e Lartë); dhe pjesa tjetër sulltanistë (funksionarë shqiptarë të Portës së Lartë që kërkonin që çdo hap të ndërmerrej me pëlqimin e Bab-ı Ali), ata nuk u përçanë asnjëherë, por u mblodhën tok për hir të interesave madhore të vendit.

Sot, 135 vjet më pas, idealizma ka vdekur, pragmatizmi mbretëron. Këtë ditë historike të kombit tonë, jam i bindur që do ta kalojnë në mendje, mërmëritur nëpër buzë, dhe përdorur politikisht edhe paria jonë, edhe kryeministri, edhe kreu i opozitës, edhe zyrtarët, edhe ushtarët e tyre. Mirëpo, sot më duket se kjo ditë e rëndësishme politikisht, shpirtërisht e filozofikisht, nuk ka e nuk duket të ketë asnjë kuptim, asnjë vlerë, asnjë ndjesi, asnjë emocion atdhetarie.

Sepse, paria edhe njëherë po dëshmon se nuk e konsideron veten udhëheqësi për të zhvilluar e integruar Shqipërinë, por për ta shfrytëzuar atë si “burim” për të shtuar pasuritë. Sepse, për parinë, Shqipëria nuk është Atdheu i Lidhjes, por është “fabrika” e pasurimit klanor.

135 vjet më parë, Abdyl Frashëri ndërmerrte një mision diplomatik në kryeqytetet kryesore të Evropës Romë, në Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë e në Stamboll për të argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë që kishin kryer ndaj interesave legjitime të Shqipërisë. Ai nuk shoqërohej nga enturazhe me kamera për të fiksuar shtrëngimin e dorës më krerët përkatës, por Abdyli gojëmprehtë ligjëronte plot pasion për të drejtat dhe për prosperitetin e vendit të tij.

Nuk ka asgjë të keqe të shkosh e të takosh udhëheqës evropianë sot. Por, është e pakuptimtë se si përdoret ajo në funksion të ngushtë të përfitimeve personale politike. Ç’është më e rëndësishmja: a kanë sukses këto vizita? Pavarësisht zotësisë së “spin doctors” sot, më shumë efekt kanë pasur plisat e burrave shqiptarë para 135 vitesh. E si mund të të respektojë një lider tjetër kur nuk të respekton një lider shqiptar dhe anasjelltas?!

135 vjet më parë, Lidhja formulonte konceptin më të arrirë filozofik të kombit shqiptar. Në pranverën e vështirë të 1878 më i madhi i frashërlinjve shkruante se “kombi kish si përbërës gjuhën e territorin e përbashkët, historinë dhe jetën shpirtërore të përbashkët (të cilën ai e kërkonte jo në fenë e përbashkët, por në fushën e dokeve, të zakoneve, të tregimeve, të këngëve, të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta) dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar një shtet të përbashkët”.

A mund të ketë leksion më të madh për “nacionalistët” e ditëve të sotme sesa mësimet e Lidhjes? Ajo që rrekin të thonë politikanët tanë për të zgrapur ca vota më shumë nuk është asgjë tjetër veçse turbo-nacionalizëm, tallava e shpëlarë e klasës politike pa ide e vizion që na drejton.

Përse çirren pseudo-nacionalistët e të gjitha ngjyrave sot, dhe nuk dëgjojnë thirrjen e atyre burrave 135 vite të shkuara. Të sotmit flasin për Shqipëri të Madhe, bashkim. Të nesërmen zgjohen me ëndrra për integrim evropian. Të dikurshimit, ata të Lidhjes, nuk ndoqën rrugën e udhëheqësve nacionalistë të shteteve ballkanike, të cilët, për të përligjur aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve të tjera, ngritën të ashtuquajturin kriter historik, duke kërkuar Serbinë e Madhe si në kohën e Stefan Dushanit, Bullgarinë e Madhe si të Car Samuilit apo Greqinë e Madhe…

Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, “kishin mundësi të merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës ku banonin mbarë fiset ilire për të përligjur krijimin e një shteti të madh shqiptar”. Por, vetëm kriteri etnik, theksonte Abdyl Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme në Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të vërtetë ndërmjet kombeve të tij. Me këtë koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua kah lëvizjeve kulturore evropiane të shek. XIX duke na afruar më shumë me Evropën sesa ç’jemi realisht sot.

135 vite më parë, për hir të unitetit kombëtar, besëlidhësit u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës, kur ato binin ndesh me interesat kombëtare, kur u shërbenin sunduesit të huaj apo propagandave të shteteve fqinje (dhe ky është kuptimi i vetëm që duhet të marrin vargjet e Pashko Vasës: “Dhe mos shikoni Kisha e Xhamia, feja e Shqyptarit është shqiptaria”).

Sot, paradoksalisht, tempujt e feve po përdoren për fushatë. Premtimet e njërës palë dhe kritikat e tjetrës nuk janë aspak të shëndosha, por një grusht hi syve turmës prej tre milionë e kusur zgjedhësish (se si numri i zgjedhësve është më i madh se i shtetasve ky është një tjetër paradoks shqiptar, por jemi të detyruar ta citojmë si shifër zyrtare). Sot në vend që të kultivojmë trashëgiminë e lënë amanet nga ideologët e Lidhjes, ne po e minojmë atë duke ndërsyer komunitetet me njëri-tjetrin.

Sigurisht kjo ndodh edhe pasi 135 vite më parë lulëzonin në funksion të Lidhjes “Interpreti i Lindjes” i Samiut, apo “Zëri i Shqiptarit” i Anastas Kulluriotit e jo fletushkat pa vlerë të partive politike, me apo pa logon e tyre (se jo vetëm “ZP” dhe “RD” janë gazeta të partive politike, se ka edhe me logo të tjera që në një kazan hanë). Kur mendon vështirësinë për të gjetur mjetet financiare 135 vite më parë, apo censurën mbytëse, cicërimat në Twitter e statuset në Facebook sot tingëllojnë fishkëllima në pyllin e shkretuar të intelektualit shqiptar. Në fakt pemë ka, por jo fruta.

Dhe, për sa kohë të mungojnë frutat do të vazhdojmë të citojmë vargjet e këtij poeti anonim që në kohën e Lidhjes do të shkruante: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh/ në Shqipëri/ Sa kohë që ata kanë moshën rinore/ dhe shquhen për trimëri/ Sapo të vijë pranvera dhe tërfili/ të mbijë përsëri/ Karejfili i shqiptarit do të ushtojë/ prapë për liri!”.

Po, po, liri! Liri nga tanët, liri nga politika, liri nga vetja! Liri nga barra e lirisë që nuk kemi ditur ta mbajmë, ta kultivojmë si popujt e zhvilluar! Deri atëherë, jemi të robëruar…