LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Punës ka ekzekutuar gabimisht 1.4 milionë euro pagesa për pensione

Ministria e Punës ka ekzekutuar gabimisht 1.4 milionë euro pagesa për pensione

Përfitimet e pensioneve prej personave të vdekur, përfitimet e pensioneve të dyfishta dhe përfitimet e pensioneve nga persona që realizojnë të ardhura të tjera personale, gjatë vitit të kaluar, e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për një milion e 450 mijë e 430 euro.

Kjo ka ndodhur me gjithë faktin që vazhdimisht në Ministrinë që udhëhiqet nga Arban Abrashi i LDK-së, është proklamuar rritja e kontrolleve për përfituesit e skemave pensionale në Kosovë si dhe zbatimin e udhëzimit administrativ për paraqitje të pensionistëve në zyrat pensionale, që i obligon përfituesit të paraqiten personalisht çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, shkruan Koha Ditore.

Lidhur me këto pagesa joligjore, zëdhënësi i Ministrisë së Punës, Musa Demiri, ka thënë se ndaj të gjitha rasteve të evidentuara janë marrë masa.

Ai ka thënë se nuk e di saktë vlerën e mjeteve të kthyera pas evidentimit të rasteve por, sipas raportit të Auditorit, janë kthyer më shumë se 63 mijë euro të ekzekutuara gabimisht.