LAJMI I FUNDIT:

Mitrovica shpall Ditët e Biznesit

Mitrovica shpall Ditët e Biznesit

Gjatë Javës së Biznesit që do të zgjasë 10 ditë, do të dëgjohen të gjitha bizneset, në veçanti kompanitë prodhuese, nëse kanë ndonjë kërkesë në mënyrë që Komuna e Mitrovicës t’u dalë në ndihmë

Komuna e Mitrovicës ka shpallur Ditët e Biznesit, në shënim të Ditës së Biznesit. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar të mërkurën, ndërsa do të vazhdojë t’i vizitojë edhe gjatë ditëve në vijim kompanitë prodhuese më të suksesshme në rajonin e komunës së Mitrovicës.

Fillimisht, kryetari Bahtiri, së bashku me bashkëpunëtorët dhe me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillimit Rural, Nasuf Aliu, kanë vizituar fabrikën e llaqeve “Bunjamini” dhe fabrikën e mobileve “Veli”, ku nga afër u njoftuan me punën, si dhe me vështirësitë me të cilat përballen, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë, në bazë të cilës do të shikohen mundësitë që komuna e Mitrovicës t’u dalë në ndihmë, për zhvillimin e mëtejmë të tyre, shkruan sot gazeta “Zëri”.

I pari i Mitrovicës tha se gjatë këtyre ditëve do të ketë shumë vizita nëpër kompanitë prodhues të komunës së Mitrovicës, duke shprehur gatishmërinë që t’u dalë në ndihmë të gjitha bizneseve në afirmimin e veprimtarisë së tyre.

“Komuna e Mitrovicës kërkon që të ngrihet cilësia e prodhimit dhe përkrahje më e madhe nga institucionet e larta qendrore që t’iu dalë në ndihmë prodhuesve vendorë, sepse duke përkrahur zhvillimin e bizneseve gjenerojmë vende të reja të punës dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha kryetari Bahtiri. /Telegrafi/