LAJMI I FUNDIT:

Moody’s ulë vlerësimin kreditor për Turqinë

Moody’s ulë vlerësimin kreditor për Turqinë

Moody’s uli vlerësimin sovran të kreditit të Turqisë në kategorinë “mbeturinë”, duke theksuar shqetësimet mbi sundimin e ligjit dhe rreziqet nga një ekonomi në ngadalësim, një lëvizje që mund të frenojë miliarda dollarë investime.

Turqia varet nga flukset e investimeve për të financuar defiçitin e llogarisë korrente, që është më i lartë në grupin e 20-të, dhe për t’i shërbyer borxhit të jashtëm. Zhvlerësimi i kreditit mund të detyrojë që vendi të paguajë më shumë për të marrë hua në tregjet ndërkombëtare.


Kryeministri i vendit, Binali Yildirim, tha se lëvizja e fundit tregon se Moody’s nuk po tregohet i paanshëm dhe nuk është mbështetur vetëm në faktorët ekonomik. “Besojmë se po përpiqen të krijojnë një perceptim të caktuar mbi ekonominë e Turqisë”, thotë ai. Agjencia e vlerësimit të kreditit uli borxhin afatgjatë të emetuar nga qeveria turke në shkallë jo-investimi, apo Ba1 nga Baa3 që qëndronte.

Megjithatë, agjencia e mbajti perspektivën në të qëndrueshme, duke thënë se ekonomia elastike prej 720 miliardë dollarë e Turqisë, si dhe historiku i fortë fiskal, kompensojnë për presionet që vijnë nga bilanci i pagesave.

Zhvlerësimi erdhi pas një reduktimi me 2 shkallë poshtë gradës së investimeve nga Standard & Poor’s direkt pas trazirave të muajit Korrik. Fondet tradicionale të investimeve zakonisht kërkojnë që vendet të kenë të paktën 2 vlerësime në shkallë investimi nga agjencitë kryesore, që të investojnë. Vetëm agjencia Fitch Ratings e ka lënë Turqinë në shkallë investimi.

“Arsyet e zhvlerësimit janë, rritja e rreziqeve në lidhje me kërkesat e jashtëzakonshme për financim të jashtëm të vendit si dhe prej dobësimit të themeleve dikur mbështetëse të kreditit, veçanërisht fuqisë institucionale”, shkruan agjencia në deklaratën pas lëvizjes.

JP Morgan theksoi në muajin Korrik se investitorët mund të shesin rreth 10 miliardë dollarë tituj borxhi sovran dhe të korporatave të Turqisë, nëse vlerësimi shkon në nivelin “mbeturinë” nga 1 prej 3 gjigantëve të vlerësimit të kreditit. Turqisë i duhet të tërheqë 200 miliardë dollarë në vit për të financuar defiçitin e llogarisë korrente dhe t’i shërbejë borxhit në valutë të huaj. /Telegrafi/