LAJMI I FUNDIT:

Mos i arrestoni, amnistoni!

Mos i arrestoni, amnistoni!

Një shtet pa mend. Nuk mund të jetë tjetër. Ndryshe nuk mund të shpjegohen veprimet e fundit me arrestimet e njëpasnjëshme të hoxhallarëve, praktikuesve të fesë islame, e atyre që shkuan e u kthyen nga luftërat në Lindjen e Mesme, e atyre që planifikonin ta bëjnë një gjë të tillë, e ekstremistëve e jo ekstremistëve.

Në psikologjinë e sjelljes dhe të personalitetit njihet si sjellje vetë-shkatërruese kur një individ bënë veprime kundër-produktive që i shkaktojnë atij apo asaj dëme të pandreqshme. Thjeshtë, kur një individ ka marrëdhënie të çuditshme me jetën dhe ekzistencën e tij apo të saj.


Politika e arrestimeve agresive dhe me publicitet bombastik, nuk mund të jetë tjetër përpos sjellje vetë-shkatërruese e shtetit. Qeveria e Kosovës e ka futur shtetin në marrëdhënie kundër-produktive me jetën dhe ekzistencën e tij. Shih çka bënë kjo qeveri me instrumentet e dobëta shtetërore:

Një qytetar i Kosovës i përfshirë në luftimet në Siri kthehet në Kosovë në vitin 2012. Ai ishte bërë pishman pas përfshirjes së tij në Siri. Kishte vendosur t’i braktisë luftimet e të kthehet në Kosovë. Duke i besuar institucioneve shtetërore, i afrohet Policisë së Kosovës për të dhënë të gjithë informacionin në lidhje me luftimet në Siri në mënyrë që shteti t’i shpëtojë edhe të tjerët. Ai dëshironte sërish të integrohet në shoqëri.

Për një kohë ai lihet "rehat" nga shteti. Rreth dy vite më vonë, ai gjendet në mesin e 40 të arrestuarve. Shteti as nuk e integroi e as nuk e ruajti, por e arrestoi. Shteti e tradhtoi. Ka shumë të tjerë që janë bërë pishman për përfshirjet e tyre në organizime ekstremiste. Por, ata nuk i besojnë më shtetit; ata ende qëndrojnë nën kthetrat e manipuluesve ekstremistë, sepse për ta, këta manipulues janë më të besueshëm se vetë shteti. Tek cili shtet të gjendet shpëtimin?

Të 40 të arrestuarit, dhe tash shumë të tjerë që u arrestuan e me gjasë që do të arrestohen, futen në qeli. Vend ky fantastik për thithjen e të konvertuarve të rinj. Nuk e kam këtu fjalën për të arrestuarit jo ekstremistë apo për konvertime në praktikimin e fesë islame. Fjalën e kam për të arrestuarit me besime ekstreme e të dhunshme dhe për konvertime në po këso bindje ekstremiste e kriminale që nuk kanë të bëjnë me islamin.

Në fakt kjo edhe po ndodh nëpër qelitë e Kosovës. Të burgosurit tjerë nuk janë tjetër pos të burgosur. Shpresa për ta është e vogël, e dëshpërimi i madh. Mysafirët e rinj për këta të burgosur paraqesin risi, sidomos risi në mendime. Besoj që nëse 10 nga 40-50 të arrestuarit përfundojnë të dënuar me burg, atëherë besoj që nga 10 ekstremistë do t’i kemi 100 të cilët së bashku mezi presin ta përfundojnë dënimin e të lirohen nga burgu. Ata nuk do ta duan shtetin; në fakt asnjë kriminel nuk e don shtetin. Por, nuk do ta duan edhe më shumë për faktin se ata e shohin që shteti i cili i ka burgosur është vet kriminal.

Secili që dyshohet për veprime kriminale duhet të hetohet e varësisht nga dëshmitë të arrestohet. Metoda megjithatë që ky shtet ka zgjedhur t’i udhëheqë këto arrestime është metodë që rrjedhë nga dobësia e tij për ta luftuar krimin aty ku është. E, gabimin më të madh shteti po e bën kur aksioneve të veta kundër derivateve të krimit të vërtetë po ua mëveshë edhe fenë, apo fyerje të ndryshme në baza fetare. Kjo vetëm se po i përshumëzon ekstremistët nga radhët e atyre të cilët janë praktikues të moderuar të fesë islame.

P.sh., me rastin e arrestimit medialo-bombastik të Shefqet Krasniqit, imamit të xhamisë së madhe në Prishtinë, një djalë i ri e praktikues i fesë islame, i cili gjithnjë irritohet nga keqpërdorimi i islamit për veprimet ekstremiste e kriminale, më shkruan: "Shpend, po na bëjnë të padrejtë. Tash edhe më shumë do të shkoj ta dëgjoj hoxhën Shefqet".

Nuk e di se sa e ka dëgjuar ky djalosh hoxhën Shefqet më herët, por ai dhe të tjerët nga tash do ta dëgjojnë edhe më shumë. Nuk e di se çka ka menduar shteti me arrestimin e tij medial, por një gjë është e qartë: që nga një i famshëm që ishte Shefqet Krasniqi para ditës së arrestimit të tij, u kthye në hero në ditën e arrestimit të tij. Që nga ajo ditë mendoj se Shefqet Krasniqi është kthyer në njeriun më me influencë në Republikën e Kosovës, më me influencë se Presidentja e shtetit gjithsesi, por ndoshta edhe më me influencë se Kryeministri i vendit.

Me Kushtetutën e Kosovës momentalisht nuk lejohet që Presidenti i vendit të zgjedhet me votë direkte popullore, por në rast se një gjë e tillë ndodh, nuk besoj se do t’i konvenonte dikujt tjetër më shumë se sa Shefqet Krasniqit – natyrisht nëse ai vendos nga vullneti i tij ta paraqes kandidaturën e tij për President vendi.

Arrestimet që ndodhën në mëngjesin e datës 17 shtator 2014, i gëzuan qarqet më ekstremiste e kriminale që më së paku kanë të bëjnë me islamin e thirren në islam. Në mesin e hoxhallarëve e praktikuesve të fesë islame që u arrestuan pati ekstremistë me mendime kriminale, me siguri, por pati edhe praktikues e lexues të islamit të cilët jo që nuk janë ekstremistë, por të cilët edhe i ndihmuan disa të rinjve të mos shkonin në Siri, e të cilët kërcënohen me jetë e sulmohen nga qarqe ekstremiste. Në mesin e këtyre hoxhallarëve pati të tillë që me leximin e ajeteve të caktuara kuranore në një moment të caktuara "kthjellën" të rinj që ato ditë ishin bërë gati të nisen për Aeroportin e Prishtinës për të marr rrugë për Siri.

Ekstremistët të cilët po keqpërdorin islamin për rekrutimin e të rinjve të dëshpëruar kosovarë vetëm se mund të falënderojnë aparatin shtetëror të Kosovës. Sepse, ata e donin pikërisht këtë, që këta hoxhallarë që po bëjnë çmos që islami të interpretohet si duhet e t’i ruajnë të rinjtë kosovarë për të mos shkuar në luftime boshe jashtë vendit, të mbyllen në qeli. Kështu që me këso arrestimesh po largohen kundërshtarët e ekstremistëve. Me siguri se këta ekstremistë që janë të lirë në Kosovë e disa të tjerë në Maqedoni e Shqipëri, mund të ngrehin një dolli së bashku me aparatin shtetëror të Kosovës. Nuk e di nëse Bajram Rexhepit, Shpend Maxhunit, Bashkim Smakës, apo shefave të tyre direkt e indirekt, iu është dërguar ndonjë SMS falënderimi nga këta ekstremistë të cilëve ua hoqën kundërshtarët. Mbetet të shihet.

Që nga arrestimi i grupit të parë të 40 vetave, xhemati nëpër xhamitë e Kosovës ka rënë për rreth 20 për qind, dhe numri i mjekrave po ashtu është zvogëluar. Sa keq. Tashmë i kemi 20 për qind të xhematit që nuk falen më nëpër xhamitë e Kosovës e që kryesisht kontrollohen nga BIK-u. Ata tashmë falen në izolim të pakontrolluar. Izolimi nuk mund t’i liberalizojë ata. Izolimi do t’i ekstremizojë ata.

Sa i përket mjekrave, tashmë në Kosovë nëse shihet dikush me mjekër e pantallona të shkurtuara lirshëm mund të dihet se janë praktikues të vërtetë të islamit. Nuk ka hapësirë të frikohesh nga botëkuptimet e tyre. Mirëpo, ekstremistët e vërtetë e të cilët e përdorin islamin për veprime kriminale tashmë sillen vërdallë duke rekrutuar pa mjekra apo me mjekra sa për adet të modës, e gjithsesi pa pantallona të shkurtuara, por me pantallona të lëshuara. Andaj të dukesh "kull" ka gjasa më pak të paragjykohesh e të arrestohesh. Na koftë për hajër edhe kjo.

Pra, ka shumë padrejtësi dhe mungesë të informacionit dhe inteligjencës së vërtetë. Problemi më i madh është se me këto veprime më së shumti po preket një shumicë e konsiderueshme e popullatës që janë praktikues të vërtetë të islamit. Ka terapi që mund t’i shkruhet shtetit për të dalë nga vetë-shkatërrimi në të cilin është futur.

Nga seancat gjyqësore të rreth 40 të arrestuarve dhe informatat që lëshoheshin duket se ka shumë gjasa që të ketë prova për aktakuzat e ngritura vetëm për një numër të vogël të tyre. Shumica prej tyre me shumë gjasë do të duhet të lirohen, sepse shteti i dobët deshi ta tregojë fuqinë duke e mbushur listën e të arrestuarve në bazë të paragjykimeve e jo provave, në mënyrë që t’i kënaq bosët e ndryshëm, kinse po luftohet terrorizmi. Kjo u vërejt edhe me parapërgatitjet për bombë mediale rreth këtij aktiviteti. Nëse ata që do të lirohen paskan qenë ekstremistë dhe nuk u ka pëlqyer ky shtetet, tashmë nuk do t’u pëlqej edhe më shumë, por edhe nuk është se do të jenë më pak ekstremistë – në mos më shumë.

Shteti ka bërë shumë pak për integrimin e komunitetit dhe praktikuesve të islamit në Kosovë, që është shumicë e popullatës, e ka bërë shumë për integrimin e serbëve të Kosovës që është pakicë e popullatës. Kjo e dyta ishte e nevojshme, natyrisht, por se shumë pak u punua për të parën dhe tashmë problemet po shpalosen.

Në emër të integrimit të serbëve të veriut, shumë kriminelë që dogjën pikat kufitare, që vendosën granata nëpër shtëpi të shqiptarëve, që vranë, e që dëbuan popullatën nga ajo pjesë, e që bënë shumë akte tjera kriminale – akte që nuk u quajtën terroriste – u amnistuan. U amnistuan për t’u integruar.

Është evidente që besimi tek shteti është duke humbur nga praktikuesit e fesë islame, e veprimet e fundit të aparateve të ndryshme shtetërore vetëm se po e përforcojnë humbjen e këtij besimi. Arrestimi me etiketime në baza fetare, e jo në baza kriminale, si dhe arrestimi i hoxhallarëve që ishin kundër ekstremizmit, po e irritojnë edhe popullatën the praktikuesit e fesë islame që janë kundër ekstremizmit. Edhe ata po e humbin besimin tek shteti.

Në pamundësi që shteti i dobët t’i luftojë shkaqet e problemit të ekstremizmit, dhe padrejtësive të njëpasnjëshme në të cilat e ka futur vetën, veprimin më të mirë që mund ta marr në këto rrethana është amnistia e të arrestuarve kohëve të fundit. Nuk është zgjidhja më e mirë, por është shumë më e mirë se sa vazhdimi i arrestimeve, veprime të cilat po përmbajnë shumë padrejtësi në vete dhe vetëm se po e përshkallëzon, përshumëzon, dhe po i ndihmon ekstremizmit dhe ekstremistëve. Po të aprovohet një amnisti për këta persona, veprimet e të cilëve në bazë të evidencës janë eksponencialisht më pak të dëmshme se sa të kriminelëve që u amnistuan në veri e në jug të vendit, Presidentja e vendit ka shumë çka për të thënë në fjalimin e saj që do ta pësonte një amnisti të tillë.

Në leximin e saj, Presidentja duhet ta arsyetojë amnistinë në emër të padrejtësive dhe mos interesimit të shtetit për të rinjtë kosovarë që ranë në kthetrat e ekstremistëve. Presidentja duhet ta lexojë para popullatës periudhën për të cilën bëhet amnistia, dhe të thotë se të gjithë ata që shkuan në Lindjen e Mesme deri tek një datë e caktuar duhet të kthehen në Kosovë, dhe që nuk do të arrestohen, por do të trajtohen nga institucionet shtetërore, e do t’u sigurohet shkollim e jetë e dinjitetshme në vendin e tyre.

Ky së paku do të ishte hap i parë i kthimit të besimit ndaj shtetit edhe ashtu të dobët për t’u marr me këtë problem në mënyrën që ka vendosë të merret. Ky veprim po ashtu do ta legjitimonte çfarëdo veprimi tjetër të shtetit kundër prishësve të rendit kushtetues dhe ligjor të Kosovës pas skadimit të datës së amnistisë. Pas një amnistie besa edhe komuniteti jo ekstremist islam në Kosovë do t’i arsyetonte veprimet e shtetit pas skadimit të datës për amnisti, natyrisht nëse ato nuk vazhdojnë të bëhen në baza të etiketimeve fetare, e sidomos jo nën përgatitje mediale të kallëzimit të muskujve artificial shtetëror.

Përndryshe, nëse kjo nuk bëhet dhe vazhdohet me metodat që shteti ka zgjedhur, druaj që do të përforcohet ekstremizmi në Kosovë, dhe do të harrohen shumë kërcënues të vërtetë të shtetit të cilët edhe janë burim i ekstremizmit që tashmë kinse po luftohet me muskuj. Më duket se planifikuesit e këtyre metodave duhet ta ngrin kokën e të shohin se përballë vetit nuk e kanë aparatin e Pentagonit dhe se një gjë të tillë nuk po e luftojnë jashtë shtetit, por në palcën e tij.