LAJMI I FUNDIT:

Moska i përgjigjet Pentagonit për aeroplanët luftarakë

Moska i përgjigjet Pentagonit për aeroplanët luftarakë

Moska thotë se kishte dërguar aeroplanë ushtarakë për të penguar një pajisje luftarake amerikane që po i afrohej kufirit rus, meqë aeroplani amerikan e kishte fikur transmetuesin që nevojitet për identifikimin e aeroplanëve.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha sot përmes një deklarate se “të gjitha fluturimet e aeroplanëve rusë realizohen në pajtim me rregullativat ndërkombëtare për përdorim të hapësirave ajrore.”


Deklarata vjen një ditë pasi Pentagoni shprehu shqetësime lidhur me një varg incidentesh që përfshijnë pajisjet luftarake ruse, të cilat thuhet se “i janë afruar trafikut tjetër ajror e detar mjaftueshëm sa për të ngritur shqetësime në aspektin e sigurisë.”

Incidenti i fundit ndodhi dje, kur një aeroplan luftarak rus SU-27 pengoi një aeroplan zbulues të Forcës Ajrore amerikane, përderisa fluturonte në hapësirat ajrore ndërkombëtare mbi Detin Baltik.

CNN raportoi se aeroplani rus ishte afruar rreth 30 metra afër aeroplanit amerikan dhe kishte bërë një manovër rrotullimi.

Zëdhënësi i Pentagonit, Bill Urban, tha se “kjo pengesë e pasigurt dhe joprofesionale ajrore ka mundësi që të shkaktojë dëm serioz dhe të lëndojë të gjitha ekipet e përfshira në fluturime” dhe se “mund të shkaktojë tensione ndërmjet të dyja vendeve.”