LAJMI I FUNDIT:

Mustafa Kruja për shqiptarët: Kemi dy palë armiq – imperialistët e shteteve fqinje dhe tradhtarët tanë

Mustafa Kruja për shqiptarët: Kemi dy palë armiq – imperialistët e shteteve fqinje dhe tradhtarët tanë

Dy shkrime të hershme të Mustafa Krujës, botuar në gazetën “Kuvendi” dhe “Liria kombëtare”, trajtojnë temat edhe për sot aktuale: rreziqet që u kanosen shpesh popujve të vegjël në kohë trazirash…

Shkrimi i parë, “Shqipnìa në luftë” është botuar në gazetën “Kuvendi” më 15 Gusht 1918. Pasi bën një prezantim të gjendjes katastrofike ku ishte zhyt Shqipëria ngjatë Luftës së Parë Botërore, Kruja zbulon për lexuesit lajmin se një regjiment shqiptarësh po formohej në Amerikë, të cilin do ta sillnin të luftonte në Shqipëri, lajm që shkaktonte me të drejtë një revoltë të vetëshpjegueshme pasi do të vinte shqiptarët ballë-përballë njëri tjetrit nën grykën e pushkës.

Ndërsa, shkrimi i dytë “Te patundun deri n’fund!” është botuar në gazetën “Liria kombëtare” me 28 nëntor 1926 dhe trajton zhgënjimin e tij si një prej firmëtarëve të Pavarësisë, rrëzimin e ta gjithë ëndrrave të thurura për komb e shtet pas shpalljes së Pavarësisë më 1912. Pasi bën një përshkrim të tablosë së ngjarjeve 14-vjeçare në Shqipërinë e pas 1912-ës, Kruja bën thirrje se shpëtimi i kombit do të vinte vetëm pasi të zhdukeshin nga skena politikë tradhtarët e atdheut, që kishin vënë interesat personale mbi ato të vendit.


SHQIPNÌA NË LUFTË

Nuk jemi aspak antarë të luftës; si për parime e ideale ashtu edhe për interesa të drejta vetore jemi me gjithë shpirtë kundra saj. Por, megjith’këtê, po t’a kërkojë interesa e atdheut, edhe luftës i themi, e prap me zêmër e me shpirtë: “mirë se erdhe!”

Nuk âsht fjala aty. Duem të kthjellojmë nji fakt, ashtu si ç’na del parasŷshë, pa prekë fare në parime, theoríë, ideale e as dëshire. Shqipnía a âsht në luftë a në paqë? Po i lâmë stërhollimet e shkencës juridike qi e sqyrton punën de facto a de jure ; stërhollime sofistike qi na japin nji përgjegje me dy faqe. Por po pyesim vetëm de facto, do me thânë nj’ ashtu si po na e shohin punën sŷt e po na e ndëgjojnë veshët : si ç’âsht me të vërtetë. E at’herë pra Shqipnía gjindet në luftë, dash’ a pa dashë, qyshë kurë ka shkelë kâmb’ e huej mbi tê, duke e bâ me marrë pjesë prej çdo farë efektesh të luftës. Shbarkimi i ushtríve italiane në Vlorë e kalimi i Serbo-Malazezve nëpër tokën t’onë fatkeqe do të thirrshin, do e mos, edhe ushtrít e anmiqvet të tyne mbrêndë.

Me të vërtetë, Austro-Hungarët e Bullgarët nuk vonuen me i ndjekë, kâmbë më kâmbë, të mundëmit e tyne deri n’ Adriatik, ku hasën më nji tjetër fuqí mâ të fortë, me të cilën nuk mjaftoi nji pushkim i vogël si me të parët aty e këtu nëpër pyjet e sukat e Shqipnís; por u desh me bâ nji luftë të vërtetë me të tâna mjetet tokësore, detësore e ersore: luftë qi ka me mbaruë, pa dyshim, edhe ajo, vetëm me paqën e përgjithshëme.

Sod lufta nuk ka në atdheun t’onë atê ngjyrë qi kish në fillesët: at’herë ish ndërmjet Austro-Hungarvet e Bullgarvet më njênën anë dhe Serbo-Malazezvet më tjetrën. Sod vêndin e këtyne të mbrapëmet e zânë Italianët; Bullgarët e Frêngjit mund të mos i numurojmë mbasi përbâjnë nga nji pjesë të vogël të secilës anë.

Pra lufta në Shqipní sod thuhet austro-italiane. A âsht’ me të vërtetë thjesht austro-italiane, edhe tue i lânë më nj’anë Frëngjit e Bullgarët? Jo! Ku po bâhet lufta? Në Shqipní! Cilat qytete e katunde po shkretohen prej kësaj lufte? Të Shqipnís! E díjmë fort mirë se do të gjindet kush me na u përgjegjë prej të huejsh se Shqipnía ishte e âsht vetvetiu nji shkretinë e s’ka ç’i bân e ç’i prish lufta!… Edhe na e díjmë qi vêndi i ynë s’âsht nji Belgjikë. Por na popullin t’onë e të Belgjit mundemi me e krahasue me dy njerëz, nga të cilët i pari âsht’ i zoti i sa milionave prej çdo farë nature dhe i dyti për shêmbëll ka vetëm pêndën e qevet e arat e tij edhe ksollën. Të parit po t’i digjet ndonjê pallat a t’i bâhet ndonjê milion dâm kurrgjâ e ligë nuk e ka gjetun, se ka tjera plot.

Por me iu djegë ksolla të dytit, me gjith’ ato dy fije rraqe qi ka mbrênda, ase të ketë rrezikun me i dalë duersh qetë, e ka gjetë gjith’ e zeza, âsht fikë. Do të thuhet se nuk âsht bâ luftë nëpër qytetet t’ona! U lutemi tepër miqvet dhe anmiqvet, të kenë mëshirë e arsye : nuk na e merr mêndja të ketë n’ Austrí e në Gjermaní ndonji qytet qi të ketë hangër bomba sa i mjeri Durrës shqiptar. Bomba me kuintala e me tonelata janë derdhë mbi tê e zjarme të rreptë, sa me u pà me 30 e 50 kilometra për së largu, janë shkaktue! Na nuk duem, as qi e sjellim ndër mênd fare t’u bâjmë qortimet veprimevet ushtarake të Aleatëvet. Nuk e kemi këtê fuqí as këtê kompetencë. Vetëm duem të themi nji të vërtetë për ata qi munden të kërkojnë me na mbyllë nji shtek për ditën në të cilën kanê me u këqyrë hesapet e gjithë botës e gjithë kombësívet qi kanë vuejtë më të kotë prej ksaj lufte.

E marrim lirí t’i shtojmë këtij kapitulli sall nji shënim të vogël : për me mêndue qi Shqiptarët nuk ndîejnë në zêmrat e tyne nji ankim mjaft të thellë e t’arsyeshëm kur shohin se falkojt’e Italís fluturojnë deri në zêmrën e anmikut mortar të saj, mun deri në Vienë, e s’bâjnë tjetër përveçse me lëshue teposhtë copa kartash ; ndjekin të tânë bregun e kundërt t’ Adriatikut tue hudhë bomba në Durrës e Shën Gjin të Shqipnís dhe prapë karta në Zara të Austrís ; duhet me i mbajtë a për njerëz të marrë e pa kurrfarë ndîesísh ase për sênde të sypërnatyrshme.

Shqipnía âsht në luftë ; bíjt’ e saj të veriut i pritën ushtrít austro-hungare e bullgare si dorën e Zotit, t’ardhme me u shpëtue jetën e nderën nga kthetrrat e anmikut të pashpirtë, i cili qyshë se i kish futun nën zgjedhë s’kish lânë mjet e mënyrë pa përdorë për me i stërfarë. Gjithashtu u përshëndetën me gëzim e brohorí Italianët e Frêngjit në Shqipnín e Poshtëme ku mizorít e Grekut kundra Shqiptarvet kishin kapërcye çdo farë kufîni qi njeh historía. Shqiptarët nuk u mjaftuen vetëm me nji tregim nderimi e sympathíe kundrejt shpëtimtarvet të tyne, por ngjeshën armët e formuen trupat e vet, qofshin të quejtun çeta a milisa, për me mos ua lânë thjesht të huejve primin e vêndit të tyne.

Kështu bânë të Veriut e kështu të Mesditës, të shtymë njêna palë prej mënís me Slavin dhe tjetra më Grekun. Por mâ në fund fati i qiti edhe përballë shoqi-shoqit. Megjithë këtê ata kudo qi kanë rà kanë qênë me mênde e zêmër të mbushme se gjaku i tyne âsht derdhë për me forcue të drejtat e kombsís shqiptare e t’atdheut shqiptar.

Le të dihet pra se Shqiptarët kanë bâ edhe mjaft sakrifice gjaku, e jo për tjetër por veç për shlirimin e kombsís së tyne nga çdo farë zgjedhe e huej e për sa të jetë jeta.

Në mos na rrêjshin lajmet qi po marrim nga burime të sakta, vëllaznit t’anë n’ Amerikë po bâhen gati të formojnë nji regjiment për me luftue nën flamurin kombtar për krahash me ushtrít e Besatarvet të Prêndímit. Kur të jetë puna me naltue flamurin kuq-e-zi përpara botës së qytetnueme nuk kemi veçse të përgëzohemi me bashkatdhetarët t’anë, kudo qi të jenë e me se do qi të mundohen për atê qëllim të shêjtë; sidomos kur të shohim se vêhet në lterin e sacrificit gjaku i lules së djelmnís s’onë, zêmra na mbushet me miratim për nisatorët e me shpresë për përtardhmen e atdheut.

Duem të besojmë se krênët e kësaj lêvizjeje të bukurmêndueme nuk do t’i kenë mbajtë larg sŷsh disa pika me rândësí kryesore të çâshtjes. Ku, në ç’ballë lufte do të luftojnë ushtarët t’anë t’ardhun prej Amerike? Pas mêndes s’onë atje, ku kombësía e flamuri shqiptar kanë nevojë mâ tepër të duken, të njihen e të konfermohen; atje, ku sheptiqisma drejt vjeftës e së drejtës s’onë tepron mâ shumë se kudo ; atje, me nji fjalë, nga âsht friga me i ardhë Shqipnís shuplaka mâ e rânda : në Francë, për krahnash me ushtarët e Uilsonit. Nuk duem të kemi pikë dyshimi se nji zâ i tmerrshëm qi na ka rà në vesh, pas të cilit regjimenti i ynë, a regjimentat t’anë të formuem n’Amerikë kanë me luftue në Shqipní! Rueina o Zot prej kobesh!… Kurrkund s’mund, s’lypset të vejë Shqiptari me luftue, ku ka gjasë me i dalë në grykët të pushkës nji vëlla i veti.

MAK.

Gazeta “Kuvêndi”, 15 Gusht 1918


TË PATUNDUN DERI NË FUND!

Kaluen 14 vjet qyshse kujtuem qi ândrra e jonë u bâ realitet. Ândrra e madhe, ândrra qi dominonte gjith’ekzistencën t’onë : Shqipnia! Por me i dhânë trup kësaj fantazíe qi na ndiqte kâmbë për kâmbë si nji hije e dytë, hijeja e shpirtit, kush kishte dhânë jetën, kush pasuninë, kush shëndetin, kush qetësinë, apo të gjitha njênën mbas tjetrës… secili nji flî, të vogël a të madhe, simbas nevojës së çâshtjes e kapacitetit të tij. Kujtuem se dita 28 Nânduer 1912 na kishte prue jo vetëm kënaqsinë supreme të kunorzimit të gjith’atyne flîve, por dhe sihariqin qi nuk do të kishte nevojë të sakrifikohej kush mâ aty e mbrapa për idealin e shênjtë qi na frymzonte. Ândërr mbi ândërr!…

Gëzimi i madh e i papritun qi na dhanë rasat na dehu aqë fort sa mos me na ramë ndër mênd historia e përlindjes së shumë popujve të tjerë si na e sidomos trashigimet e rrezikshme të mâ se katër shekujve dominatë të huej mbi kombin t’onë. Sikur t’i kishim mêndue këto, t’i kishim bâmë hesapet mâ të qarta me veten t’onë, nuk do t’a kishim, âsht e vërtetë, gjith’atê entusiasëm qi patëm atëherë ; por sigurisht nuk do të ndîejshim as gjith atê hidhnim kur realiteti, mbas pak kohë, nisi të na shfaqej lakuriq si një monstër me të tânë tmerrin e tij ! Nuk do të kishin dalë, për shêmbëll, prej gojës së nji plaku të thjeshtë nacjonalist këto fjalë dishprimi : “U bë Shqipëria që të pëlcasin shqipëtarët!” Fjalë plot kuptim për historjanin psikolog qi do t’i analizojë në kohën e vet.

Turqia humbi luftën me ballkanasit, humbi dhe vêndin. Nga viset e bjerra për tê ishte edhe Shqipnìa. Shqiptarët duelën para botës me flamurin e indipendencës në dorë tue u betue me zêmër se s’do t’a lëshojshin në tokë për së gjalli. Por cilët shqiptarë? Sa ishin ata? Vetëm nacjonalistët! Ajo pakicë idealistësh qi e kish ândrrue atê ditë si kulmin e lumnís së vet… Kurse mikrobët dhe ujqët qi n’errsinën e robnìs ishin ushqye me gjak të popullit t’onë shekuj me radhë, ata përgjojshin kohën e vet, çaset e dobsisë së nacjonalizmit qi desh dhe krijoi nji atdhe të lirë për popullin shqiptar, përgjojshin për me e mësye e me e mbytun këtê lirí qi porsa kishte arritë.

Mundësit e luftës ballkanike kundra Turqís do t’i shtroheshin verdiktit të Fuqivet të Mëdha dhe këto danë me njohtun indipendencën e Shqipnís. Pra për ne të mjerët, naivët e 1912-ës, s’kishte mbetun mâ asnji mur i pakapërxyeshëm ndërmjet nesh e idealit t’onë.

Po ç’gjau? Pa shkue shumë kohë u ndodhëm përpara aleancës së fuqivet të jashtme, qi e kishin pranue e njohtun Shqipnínë për shtet indipendent, me ujqët e mbrêndshëm për shkatrrimin e saj. A ka nevojë të merremi këtu me rolet e luejtuna në kurriz t’atdheut t’onë fatkeq nëpër personën e Fuad Toptanit të mallkuem? Janë ndodhí qi kanë lânë gjurma tepër të thella në shpirtin e ç’do shqiptari patriot për me u harrue kaqë shpejt. Nuk do të bâjmë fjalë as mbi të famshmin Arif Hiqmet, as për trumën e çmêndun me opiumin e fanatizmit në Shqipní të Mesme, as mbi republikën (!) e Mirditës. I kapërxejmë të gjitha këto e të tjera fakte historike shum’ a pak të rândësishme dhe arrijmë në faktet e idhta e të gjalla qi kemi paraŷsh sod:

Janë aktet e gjithë nji drame qi vazhdojnë kah 13 vjet e këndej në skenën shqiptare: lufta e nacjonalistavet për indipendencën e Shqipnís kundra aleancës së tradhtís së mbrêndshme me imperializmin e jashtëm. Luftë e ashpër qi na ka kushtue e do të na kushtojë gjak e mundim pa hesap. Dëshmorët qi do të napim mbas këndej në këtê fushë lufte mund t’a kalojnë edhe numrin e atyne qi kemi dhânë deri sod, në qoftë se nuk do të dijmë me ndjekun taktikën qi duhet. Shumëkush, i lodhun prej luftës së gjatë, i tmerruem prej gjith’asaj flîe të nacjonalizmit shqiptar qi i del parasŷsh si nji mynxyrë e pakundrueshme, ka fillue me pyetun:

– Ku dhe cili âsht fundi?…

Pyetje e pahijëshme! Kush i ka ngjeshun armët dhe ka hŷ nji herë në luftë për nji ideal duhet të ruejë deri në fund të paprekun gjithë besimin e vet për triumfin e atij ideali. Këtê besim duhet t’a kemi deri në shkallë të fanatizmit dhe ç’do dyshim t’a quejmë nji sakrilegjë. Përndryshe, dobsimi i këtij besimi mund t’arrijë deri në demoralizim dhe në kapitullim. Kurse nji ushtari qi kapitullon në shesh t’idealizmit atë çast i vdes krejt e shkuemja e tij, edhe në qoftë heroizëm fund e krye.

Larg pra çdo dyshimi! Le të besojmë me të tânë forcën e shpirtit t’onë se fundi i luftës qi po vazhdojmë në nji front kah 13 vjet, âsht triumfi. Mund të jetë i afërt apo i largët. Por âsht i sigurtë. A pak beteja kemi fitue deri sod? A pak i fortë qe Esadi mbrênda e jashta? Tufan i vogël qe ay i Haxhi Qamilit me shokë? Po mrekullin e Vlonës? E trazimet e kufîjvet të Veriut e tjera ngatrresa e vështirsi si këto?

Nuk janë të gjitha beteja qi në fund të fundit kanë mbarue me triumfin e nacjonalizmit?

S’ka asnji arsye tue dyshue sadopak, edhe për fitimin e betejës kundër Ahmet Zogut. Në këtê mes, por, nji tjetër çâshtje duhet të na preokupojë. A duem qi kjo të jetë beteja decizive e cila t’i apë fund luftës nji herë e mirë? Ase pa shumë optimizëm, a pak së paku me iu sigurue popullit edhe vetes nji pushim të gjatë sa të shërohen plagët mâ të rrezikshme qi janë hapun? Qi duem, të gjithë pa asnji përjashtim, s’ka fjalë. Por, a do të dijmë vallë? Këtu âsht nyja gordjane.

Na kemi dy palë anmiq : imperialistët e shtetevet fqinje dhe tradhtorët e vêndit t’onë. Të parët nuk do të gëzojshin kurrë me i shtye popujt e vet në nji luftë të haptë kundra nesh. Ekuilibri ndërkombtar, interesat e kundërta ndërmjet shteteve, shoqnia e kombevet, friga e zgjânimit të luftës me konsekuenca qi s’mund të parashihen, mënera e shêmbllës ruse, të gjitha këto i ndalojnë nga nji hapë e tillë.

Taktika e tyne pra âsht e do të jetë gjithnji ajo qi ka qênë deri sod: me ble tradhtorët t’anë e me dorë të tyne me krijue ngatrresa, trazime, turbullime e lufta civile ; me na shkreditue kështu përpara opinionit të botës me na lodhun përmbrênda derisa t’i ulim qafën nji tirani të shitun qi t’a sundojë Shqipnín për hesap të tyne, edhe në qoftë se me këtê mënyrë nuk arrijnë në nji rezultat mâ direkt.

E ç’duhet të bâjmë na atëherë? Derisa popujt mâ të fortë – e mjerisht të gjithë janë mâ të fuqishëm se na – mos të jenë lodhun e mërzitun prej imperializmit të nji pakice njerzish qi spekulojnë mbi kurriz të tyne, për me i vûe në vêndin qi meritojnë, na s’kemi si shpëtojmë veçse tue eliminue atê element qi u shërben si vegël të huejve për dâm të vêndit të vet. Kështu do të kemi fitue luftën a pak së paku do t’a kemi sigurue fitimin definitiv të saj mâ me pak mundime, mâ me pak sakrifice. Aty e mbrapa për Shqipnin do të fillonte një tjetër periudhë, periudha konstruktive. Përndryshe do të kemi fitue vetëm nji betejë si ato të kaluemet dhe qysh’ atê minutë lypset të përgatitemi për tjera.

Prandej un po u them shokvet nacjonalistë : të patundun, deri në fund!

MUSTAFA KRUJA.

Gazeta “Liria kombëtare” 28 nëntor 1926 (sic.).