LAJMI I FUNDIT:

Mustafa viziton bizneset në Viti, thotë se masat po japin efekte

Mustafa viziton bizneset në Viti, thotë se masat po japin efekte

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me disa prej ministrave të kabinetit të tij, ka vizituar disa biznese në komunën e Vitisë. Me këtë rast, Mustafa u shpreh se masat dhe politikat fiskale që i ka marrë qeveria e tij, po japin rezultate.

“Është aktiviteti më i qëlluar që po i vizitojmë kompanitë. Sipas pronarëve, masat e politikave që janë marrë ju kanë ndihmuar shumë bizneseve, por ka edhe kërkesa për eksport jashtë vendit. Jam këtu për t’i përkrahur bizneset”, u shpreh Mustafa, gjatë vizitës në kompaninë “Daka Term” në Pozheran.


Ai tha se këto vizita po i bën me qëllim që të shoh nga afër të arriturat e bizneseve dhe prodhimeve vendore krahas lehtësirave që i bën Qeveria.

“Ekzekutivi, edhe më tutje vazhdon të ketë qëllim, rritjen e numrit të punëtorëve dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend”, deklaroi ai.

Pronari i Fabrikës së Stiroporit “Daka Term”, Ibrahim Ostergllava, falenderoi kryeministrin për lehtësirat që iu kanë bërë bizneseve të tilla sa i përket heqjes së TVSH-së për blerjen e lëndës së parë, raporton Ekonomiaonline.

“Me heqjen e TVSh-së, ne do të kemi punë edhe më shumë, pasi që kemi lehtësim për ta shitur mallin si dhe mundësi më shumë për të eksportuar edhe në tregjet e jashtme”, tha Ostergllava.
Po ashtu, kryeministri që shoqërohej nga ministrat Ferid Agani, Arban Abrashi dhe Hykmete Bajrami, ka vizituar edhe Fabrikën për Protektimin e Gomave, si dhe fabrikën për prodhimin e stiroporit “Eurofisi”. Këtu është përuruar reparti për prodhimin e rrjetave fasaduese

Më pas, kryeministri me ministrat e tij dhe kryetarin e Vitisë, Sokol Haliti, vizituan edhe fabrikën për prodhimin e materialeve elektrike “Elektrostublla”. /Telegrafi/