LAJMI I FUNDIT:

Naftëtarët kërkojnë nga Prokuroria hetime në MTI

Naftëtarët kërkojnë nga Prokuroria hetime në MTI

Ndonëse janë të akredituar dy laboratorë për kontrollin e cilësisë së naftës, “Sierra Lab” dhe “Exfis La”, cilësinë e naftës në Kosovë po e kontrollon vetëm një laborator. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës po e akuzon Ministrinë e Tregtisë se ka krijuar monopol dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë çështje

Naftëtarët po duan që t’u kontrollohet cilësia e naftës më seriozisht e jo si është duke ndodhur aktualisht. Cilësia e derivateve po kontrollohet nga vetëm një laborator i autorizuar, ndonëse në Kosovë janë të akredituar edhe dy laboratorë të tjerë.


Ata nuk janë autorizuar ende nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të bëjnë kontrollin e cilësisë. Laboratorët “Sierra Lab” dhe “Exfis La” që nga muaji tetor i këtij viti po presin që të futen në tregun e kontrollit të cilësisë së naftës, ndërkohë këtë punë momentalisht po e kryen vetëm kompania “Kosova Lab”.

Sipas naftëtarëve, operimi në treg i vetëm një laboratori ka krijuar monopol dhe dyshojnë se cilësia është duke u kontrolluar vetëm për tre përlind e totalit të naftës që hyn në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka kërkuar nga Prokuroria që të shkojë në MTI dhe të bëjë një hetim detajisht se pse po operojnë vetëm me një laborator.

Por, në MTI kanë thënë se përcaktimi i cilësisë së karburanteve të naftës kontrollohet nga trupat e vlerësimit të konformitetit dhe laboratorit dhe se cilësia është në rregull. Por, Berjani pohon se trupat e konformitetit nuk bëjnë vlerësimin e cilësisë.

“Deri më tani është inskenuar se ka kontroll të cilësisë, në fakt nuk ka kontroll të cilësisë, dikush duhet të japë përgjegjësi pse nuk kontrollohet cilësia në kufi, ku as 3 për qind nuk kontrollohet. Dikujt nuk po i konvenon të ketë rregull në këtë sektor. Trupat inspektuese vetëm bëjnë lexim-përshkrimin e letrave dhe nuk bëjnë analiza laboratorike, pra nuk ka kontroll. Certifikata e Konformitetit është derivat, i cili buron nga Ligji i Konformitetit e jo nga Udhëzimet Administrative. Sistemi, i cili ka shtrirje në MTI, rregullon moskontrollin me Udhëzimet Administrative dhe kemi kërkuar disa herë nga Prokuroria e EULEX-it, si dhe Prokuroria e Shtetit që të fillojnë hetimet që nga licencimet e para të trupave inspektuese dhe të laboratorëve, po ashtu kërkojmë edhe tani”, ka thënë kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, i cili është edhe vetë tregtar i naftës.

Ai ka pohuar se ka falsifikime të shumta të certifikatave të konformitetit dhe, sipas tij, manipulimet që bëhen gjatë importit për këtë ka qenë dhe është në dijeni edhe kreu i MTI-së, porse deri më tani nuk ka vepruar për të parandaluar apo për të përmirësuar gjendjen e krijuar. /Zëri/Telegrafi/