LAJMI I FUNDIT:

Ndryshojnë statistikat e papunësisë dhe varfërisë

Ndryshojnë statistikat e papunësisë dhe varfërisë

Regjistrimi i popullatës, e cila ka nxjerrë vetëm 1.8 milionë banorë në Kosovë dhe rreth 250 mijë banorë në Prishtinë, do t’i shkaktojë humbje vetëm komunës së Prishtinës që ka marrë miliona euro grante në emër të 700 mijë banorëve, por do ta hap kutinë e pandorës për qindra organizata për të bërë studime të reja për papunësinë, varfërinë, edukimin.

Deri tani është spekuluar se papunësia shkon deri në 50 për qind të popullatës së aftë për punë ndërsa varfëria ekstreme deri në 20 për qind të popullatës. Por shifrat e regjistrimit të popullatës, i nxjerrin lakuriq këto statistika të propaganduara me forcë nga organizatat e huaja dhe vendore.

Sipas regjistrimit të fundit që nuk ka mbaruar ende, Kosova ka një popullatë prej 1.8 milionë banorësh dhe nga kjo shifër rreth 200 mijë janë pensionistë. “ Merreni vetëm statistikat e papunësisë. Nëse kemi një popullatë prej 1.8 milionë dhe 200 mijë pensionistë , atëherë na del që në Kosovë nuk kemi më shumë se 200 mijë të papunë, apo shifra në asnjë mënyrë nuk do të kalojë 25 për qind të popullsisë së aftë për punë”, thotë një ekspert i ekonomisë, duke mos preferuar të citohet zyrtarisht për shkak se ende nuk janë dhënë shifra të sakta të regjistrimit të popullatës.


Sipas shifrave të Trustit, për momentin kontribute për pensione janë duke paguar mbi 350 mijë persona, aq sa llogariten se janë të punësuar zyrtarisht, ndërkaq, njohësit e ekonomisë thonë se minimumi , duke e llogaritur në raport me vendet e tjera në tranzicion, punësimi në të zezën, personat e vetpunësuar, ata në bujqësi, në ndërtimtari etj, numri i personave të punësuar shkon nga 600 deri në 700 mijë, raporton portali Qendra.

Në raport më popullatën e regjistruar në Kosovës, kjo shifër i ofrohet gjysmës së popullatës në total, por nuk shkon as në 25 për qind të popullsisë së aftë për punë kur të kemi parasysh dhe pjesën e madhe të popullsisë që është poshtë 18 vjetëve.

Kryetari i Bashkimi të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi thotë se nuk disponon ndonjë statistikë për numrin e të vetpunësuarve apo atyre që janë të punësuar në të zezën.

Ndërsa për kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, nëse rezultojnë shifra të vërteta atëherë kjo paraqet një përmbytje të madhe për të gjithë shoqërinë në Kosovës.“ Tani çdo gjë është diskutabile përfshirë shifrën e papunësisë, varfërisë, varfërisë ekstreme dhe çdo segment të jetës së qytetarëve të Kosovës”, tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu. /Telegrafi/