LAJMI I FUNDIT:

Më në fund lëshohet fabrika e ujit në Vushtrri

Më në fund lëshohet fabrika e ujit në Vushtrri

Është bërë përurimi i një ndër projekteve më të rëndësishme kapitale në komunën e Vushtrrisë, fabrika për përpunimin e ujit të pijshëm, projekt ky i cili ka kushtuar 8.5 milionë euro.

Mjetet për ndërtimin e fabrikës janë ndarë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, një pjesë e tyre edhe nga Komuna e Vushtrrisë. Fabrika e ujit do të sigurojë ujë të mjaftueshëm për banorët e Komunës së Vushtrrisë. Sipas projektit kjo fabrikë duhet të prodhojë 35o l/sec, por ekspertët ndërkombëtarë dhe vendor pohojnë se ajo ka kapacitet për prodhimin e ujit të pijshëm prej 470 /sec. Pas analizave të bëra nga institutet përkatëse, ka rezultuar se uji i kësaj fabrike është i cilësisë së lartë dhe mund të përdoret për pije nga qytetarët.


Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri Blerand Stavileci, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, përfaqësues të ujësjellës rajonal të Mitrovicës dhe personalitete tjera.

Duke përgëzuar donatorët dhe autoritetet komunale për punën e bërë në zgjidhjen e problemit të ujit në këtë pjesë të komunës së Vushtrrisë, Veseli theksoi se shumë investime që po bëhen në vend tregojnë qartë se gjërat në sektorin e ekonomisë janë duke lëvizur në drejtimin e duhur pozitiv, por se vendi ka nevojë për një dinamikë shumë më të shpejtë të zhvillimit ekonomik.

“Po ballafaqohemi me realitetin e varfërisë dhe papunësisë, me realitetin e një force të madhe punëtore që nuk ka treg të punës dhe kjo është sfida jonë më e madhe, nga e cila varen të gjitha proceset tjera. Kjo sfidë nuk mund të kapërcehet duke rritur burokracinë shtetërore. Nuk mund të kapërcehet duke fryrë sektorin publik joprodhues dhe duke rritur taksat mbi bizneset. Nuk mund të kapërcehet duke e bërë shtetin punëdhënësin kryesor”, tha ndër të tjera Veseli.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se me këtë investim shpreson që do të ketë ujë të bollshëm për qytetarët e Vushtrrisë. “Vushtrria ka vuajtur shumë për ujë të pijes, por me këtë investim shpresoj që do të ketë ujë të bollshëm për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë”, ka thënë Mulaku, duke i porositur qytetarët që ta ruajnë ujin e pijes dhe të paguajnë për ujin e shpenzuar.

I pari i Vushtrrisë po ashtu me këtë rast ka folur edhe për investimet të cilat aktualisht po kryhen në zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatra, por edhe instalimin e rrjetit të ri në disa lagje të qytetit.

Në anën tjetër, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministria kjo që ka ndarë shumicën e mjeteve investuese për këtë fabrikë, tha se objektiv kryesor i qeverisë është që të krijoj energji dhe ujë të mjaftueshëm. /Telegrafi/