LAJMI I FUNDIT:

Në Jarinë nuk ka import të mallrave komerciale

Në Jarinë nuk ka import të mallrave komerciale

Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve ka filluar të zbatohet, por në vendkalimin kufitar në Jarinë aktualisht po behët vetëm evidencimi i mallrave që hyjnë në Kosovë, megjithëse këto mallra do të duhej të zhdoganoheshin në terminalin që gjendet në jug të Mitrovicës.

Të paktën kështu deklaroi njeri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb. “Policia, përveç evidencimit të mallit, po insiston ta doganojë në terminalin, në anën jugore. Serbët po e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë, duke pasur parasysh garancitë që i ka dhënë Qeveria e Serbisë, se për veriun e Kosovës nuk do të ketë pagesë të doganës”, tha Ivanoviq.

“Në vendkalimin, në Jarinë, në këtë moment, malli evidencohet. Pastaj, kamionët, nëse ata eventualisht vazhdojnë kah territori i Kosovës, plumbohen dhe dërgohen në terminal, me kërcënimin se do të hapet padia penale ndaj tyre, në qoftë se në afat prej 1 muaji, të ashtuquajturat obligime lidhur me pagesën e doganës dhe taksave tjera nuk plotësohen”, tha Ivanoviq.

Nga ana tjetër, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vendkalimin kufitar në Jarinë, që kur ka filluar zbatimi i marrëveshjes së IMB-së, nuk ka kalim të mallrave në vlerë të larë apo komerciale. “Në Jarinë nuk ka pasur import të mallrave komerciale, ka pasur futje të mallrave të konsumit ditor, siç është qumështi apo buka e ushqime të tjera, të cilat kanë vlera minimale, kurse në Merdare ka vazhduar importi normalisht si gjithmonë”, tha Stavileci.

Stavileci ka përsëritur se zhdoganimi i mallrave që hyjnë nga vendkalimet kufitari në Merdare bëhet në Podujeve, kurse i atyre në Jarinë bëhet në jug të Mitrovicës. “Pagesa e taksave bëhet në terminalet doganore saktësisht në terminalin e Mitrovicë, dhe saktësisht në Podujevë. Do të thotë në pikat hyrëse prej Jarinës në Mitrovicë dhe prej Merdares në Podujevë. Kjo ka qenë edhe më herët, po sidoqoftë deri me tani nuk kemi kalime të mallrave pa pagesë të taksave”, thekso n Stavileci.

Doganat e Kosovës është institucioni më i rëndësishme për mbledhjen e të hyrave buxhetore. Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro gjatë këtij viti.

Ndërkohë, që nga fillimi i këtij viti e deri më 5 dhjetor, ky institucion ka mbledhur 768 milionë euro për buxhetin e Kosovës. /Rel/Telegrafi/