LAJMI I FUNDIT:

Në kërkim të atdhetarisë së vërtetë…

Në kërkim të atdhetarisë së vërtetë…

Besnik Dizdari

Po mendoja për një çast: Po sikur t’i teket Republikës së Kosovës që t’i vejë emrin “Nana Terezë” Aeroportit të Prishtinës, çka do të bënin “atdhetarët e vonuar” të Tiranës? Do të protestonin? Do ta quanin “eksod”, qoftë dhe të emrit? Qofsha i gabuar, po nuk ma merr mendja përse do të duhej t’i merrte leje Shqipërisë Republika e Kosovës për t’i vënë edhe ajo emrin “Nana Terezë” Aeroportit të Prishtinës.


E, ndoshta një lloj proteste mund të kishin të drejtë ta bënin vetëm fanatikët e Kongresit të Drejtshkrimit, se i duhej thënë jo Nanë, por Nënë, në tosknisht pra. Ndonëse e dimë fort mirë se vetë Gonxhe Bojaxhiu e ka thirrur gjithmonë nënën e vet jo “nënë”, por “nana Drande”. Kur dihet ndërkaq, se Agnes Gonxhe Bojaxhiu nuk ka lindur në Tiranë, por ka lindur më 26 gusht 1910 në qytetin e Shkupit, kur Shkupi ishte kryeqytet i Vilajetit të Kosovës, dhe me shumicë popullsie shqiptare.

Madje, ishte edhe ai një lloj epiqendre për kryengritjen shqiptare për pavarësi. Ka hyrë triumfues në Shkup Isa Beg Boletini. E do të ishte normale, madje, që Aeroporti i Prishtinës të quhej “Nana Terezë”. Ashtu siç nuk do të mund ta kundërshtonim që edhe Aeroporti i Shkupit të quhej po “Nana Terezë”. Kjo kur mendon se Shkupi është qyteti i lindjes së saj, ku dhe është bërë 18 vjeçe, e ku i jati i saj, Nikollë Bojaxhiu, ka qenë madje edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkupit. Mundet kështu, që pa i marrë leje Tiranës, edhe Shkupi, qoftë dhe për hir të shqiptarësisë së tij të hershme, mund ta quante aeroportin e tij po “Nana Terezë”.

Për të qenë të drejtë, logjika ta do se hanë fort diskutim këto punë. Ashtu siç mund të marrë po kësisoj diskutimi edhe ajo që ka provuar në librin e tij të çmueshëm Genc Leka, përkushtuar Gonxhe Bojaxhiut, kur përpiqet të vërtetojë se i jati i saj, Nikolla Bojaxhiu, ishte një farmacist nga qyteti i Shkodrës, mbështetur ky argument i tij te biografia Johana Hurley.

* * *

E vërteta pra është se shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu i përket tokës së përtej kufijve të Republikës së sotme të Shqipërisë. Çka nuk e cenon assesi deklarimin e vetë Nënë Terezës kur botërisht ka thënë: “Me gjak jam shqiptare”… Si dhe: “Sipas thirrjes sime i përkas botës” (“By blood, I am Albanian”.. Dhe” As to my calling, I belong to the world”). Kësisoj, sundimin mbi popullaritetin e saj botëror, nuk mund ta përvetojë vetëm Tirana jonë – “revolucionare”, e papërmbajtshme në gjoja nacionalizmin “e mirë” të saj. Madje, e papërmbajtshme deri aty saqë është çuar peshë për një futbollist 20- vjeçar me emrin Milot Rashica i Vaduz të Zvicrës apo Vittesse të Holandës, për formimin e të cilit Tirana apo Shqipëria nuk ka harxhuar asnjë ditë punë.

Dhe, i cili, përveç të tjerave, deri më sot ka luajtur vetëm dy ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, çka do të thotë se nuk është fjala për shqiptarët e Kosovës Lorik Cana, Armend Dallku e Debatik Curri, të cilët kanë luajtur nga plot 93, 64 dhe 44 ndeshje të këtilla. Rashica i ri është si të thuash, vetëm virtualisht lojtar i Kombëtares së Shqipërisë, teksa vëren se ka luajtur vetëm dy ndeshje miqësore: 29 minuta ndaj Luksemburgut dhe 45 minuta ndaj Katarit, që së bashku bëjnë 74 minuta, pra as 90 minuta lojë. Duket qartë se ky futbollist i talentuar nuk ka të bëjë me Kombëtaren e Shqipërisë të “EURO 2016”.

Zhurma dhe revolta “atdhetare” nuk përligjet assesi edhe ngaqë Kombëtares i është larguar një lojtar që në të vërtetë ende nuk është bërë i Kombëtares. E edhe po të jetë bërë, vetëlargimi prapë është e drejta e tij.

Them se edhe Lorik Cana i 93 ndeshjeve me Shqipërinë, teksa ka deklaruar përfundimin, do të ishte diçka e bukur që të kalojë te Kosova, e, qoftë dhe në një ndeshje miqësore të dalë në fushë me fanellën e Kosovës, e për çka i dha futbollit të shqiptarëve, të ishte edhe kapiten i kësaj Kosove. Me siguri edhe për këtë në Shqipëri mendimtarët sipërfaqësorë do të revoltoheshin. Nuk ka pasur gjest më të bukur kur lojtari shqiptar nga Kosova i Kombëtares së Kroacisë, Ardian Kozniku – medalje bronzi (vendi i tretë) në Kampionatin Botëror 1998, erdhi dhe luajti një ndeshje me Kosovën, ndaj Shqipërisë madje, duke mbajtur shiritin e kapitenit. Gjithnjë jemi mbrapa me kësisoj kulture e atdhetarie të vërtetë!…

Jo asaj artificiale që i sulet Rashicës së ri të dalë prej futbollit të Zvicrës, pra jo të Shqipërisë, e të vetëm 74 minutave i Shqipërisë. A mund t’i ketë mbet hatri djaloshit që u kthye mbrapsht prej Kombëtares në grumbullimin për Francën? E pse të mos i mbetet hatri e të mos mërzitet një i ri që ëndërron Kupën e Evropës, në këtë rast atë “Franca 2016”, ndoshta e vetëm një herë në jetë? Them se pa e quajtur fyerje (zgjedhje e paqortueshme trajnerësh) një Rashicë, edhe për këtë fakt ka të drejtë ta lejë Kombëtaren e Shqipërisë. Në fund të fundit, ai parashikon se përderisa nuk jam në 23-shen e Shqipërisë, e jo më në 11-she, “nuk kam kohë me pritë”. Dhe… “mirë se të gjeta Kosovë apo Vushtrri”, ku Milot Rashica ka lindur 20 vjet më parë.

* * *

Gjithçka po mundohemi të marrim vesh e të kuptojmë ne gazetarët e vjetër, e qofshim të gabuar, por veç një gjë nuk po ia arrijmë: Si ka mundësi që nuk po e kupton ky brez që vjen mbas nesh se Kosova është shtet i pavarun dhe se quhet Republika e Kosovës? Le të mendojmë për një çast, nëse do të ndodhë që shorti i UEFA-s për Kampionatin Evropian, atë të vitit 2020, i përcakton Kosovën dhe Shqipërinë në një grup. Çka do të bëjmë? Nuk do ta pranojmë, sepse qenkemi një komb?

Nuk do të luajmë? Nuk do të kërkojmë kualifikimin njëra kundër tjetrës? Po sikur Kosova e një grupi tjetër dhe Shqipëria e një grupi tjetër kualifikohen për dy ndeshje të play-off-it, atëherë, simbas kësaj lloj “atdhetarie” fanatike të disa shqiptarëve të Shqipërisë, ato nuk do të luajnë? Do të protestojnë tek UEFA? Natyrisht që kurrsesi. Madje, Shqipëria ndaj Kosovës dhe anasjelltas do të luftojnë fort për të eliminuar njëra-tjetrën. Ky është sporti. Të gjithë kemi qenë fëmijë të një lagjeje kur luanim të ndarë në dy skuadra dhe copëtoheshim për ta fituar atë ndeshje rrugicash, madje edhe shamatoheshim e vriteshim për të fituar dhe të nesërmen shkonim së bashku në shkollë e qeshnim e luanim prapë.

Kjo “epikë” në miniaturë është kuptimi i vërtetë i sportit, për të cilin disa të paditur a “të ditur” të këtushëm, kanë një kuptim të skajshëm vetëm shtetëror apo etnik, politik a lokalist, si të thuash në shkallë kombëtare, përveçse vetjak, që shkon në të mirë të një klani të ngushtë të drejtimit të futbollit në Shqipëri, edhe pse ata mund të mos jenë pjesë e këtij klani. Dhe duan të na mbushin mendjen se sporti është vetëm ndjenjë kombëtare e sëmurë, fanatike, atdhetari artificiale, Shqipëria e madhe apo e vogël. E Kosova sadopak që të përmendet, aq më mirë është. Kapitenia është Shqipëria. Kryeqyteti është Tirana. Kombëtarja është kjo e Shqipërisë.

Dhe, kësisoj, Milot Rashica këtu duhet të rrijë edhe nëse nuk luan, edhe nëse Shqipëria e ka rrëmbyer jo prej futbollit të saj, por prej atij të Zvicrës, edhe nëse është shqiptar i Vushtrrisë së Kosovës, edhe nëse Kosova ka shtetin e saj, edhe nëse Kosova është anëtare UEFA-s dhe FIFA-s, edhe nëse Kosova më 5 shtator 2016 do të luajë për Kupën e Botës! Është vërtet interesante se si kemi mbërritur deri në këtë “logjikë” apo alogjikë. E pra, nëse jemi atdhetarë të mirë le të merremi me përparimin e Shqipërisë që bën vendnumëro. Le të merremi me 20 të vrarë prej makinave brenda vetëm dy javëve. Me pluhurin, me krimin, me drogën, me inatet, me moszhvillimin, me nivelin e ulët të jetesës, me varfërinë.

Nuk mund ta harroj kur kohë më parë, kolegu im nga Napoli, gazetari i mirënjohur Gianfranco Coppola i RAI-t, papritmas më pyeti: “Dizdari, sa është sot në Shqipëri pensioni i një intelektuali?”. Nuk e prisja këtë pyetje dhe u vuna paksa në vështirësi. Por, në fund të fundit u përgjigja: “170 euro në muaj, i dashur Gianfranco”, duke i kthyer 250.000 lekët e vjetër të muajit në euro. Gianfranco shtangu. Më mori përkrahu e desh të dinte si jetohej me kaq pak në Shqipëri… E tash, duke iu kthyer “sindromit Rashica”, prapë pyes edhe pse në retorikë: Si ka mundësi që gjithë këto gazeta, e sidomos televizione, nuk u morën njëherë për së mbari me ndjenjë atdhetarie për të përimtuar, opinionizuar, komentuar, shtjelluar, madje me emisione radhazi, pra, jo një herë të vetme sa për të kaluar radhën, se si jeton sot intelektuali shqiptar?

Madje, duke gjetur dhe përgjegjësit apo fajtorët, joatdhetarë përveç të tjerave, për këtë depersonalizim që i bëhet shtresës më peshuese të kombit. Teksa në vend të paraqitjes, shtruarjes mbi tryezën publike të mendimit, të shkakut dhe fajtorëve të kësaj prapambetjeje unikale (të vetme) në Evropë të Shqipërisë së sotme, sheh veç hare e buzëqeshje, veç eufori “udhëheqësish” si dikur. E në vend të gjithë kësaj, del se problemi qenka 20-vjeçari Milot Rashica i futbollit zviceran dhe i 74 minutave i Shqipërisë, i cili ka shkuar të luajë për Kosovën e tij.

Dhe qëndrojmë te Kosova. Te ajo të cilën me një fjalë goje e duam të bashkuar me Shqipërinë. Dhe këtë e duam vetëm përmes futbollit apo sportit. Mirëpo, ja që “na e prish muhabetin” e mrekullueshmja Majlinda Kelmendi e Pejës që “u nda” prej Shqipërisë e shkoi e ia dha medaljen e artë olimpike Kosovës së saj. Tradhtare si Rashica?… Ose: “Një kombëtare, një komb”, siç vazhdojnë të thonë me naivitet, ndonëse e dinë fort mirë se kjo tash për tash nuk mund të realizohet assesi. Qoftë dhe prej neneve të rrepta të FIFA-s.

* * *

A vërtet e duan kaq fort Kosovën?… Bëni një vëzhgim njëmujor, duke u marrë vetëm me televizionet shqiptare që janë të pafund. Nuk di nëse do të gjeni nja tre apo katër emisione, filma, përsiatje a tregime historike për Kosovën, për atdhetarinë e saj, bie fjala, aq të fuqishme në kryengritjet e vitit 1911-12, që dha pavarësinë e Shqipërisë, për kulturën e saj, për sportin e saj, për letërsinë e saj, për personalitetet e saj. Thuajse asgjë! Shkoj në Malin e Zi dhe gjej gjithë gazetat e Serbisë, qysh pa zbardhë dita. Shkoj në Maqedoni dhe prapë qysh në mëngjes gjej gjithë gazetat e Serbisë.

Në Tiranë, kryeqytetin “mbarëkombëtar” të shqiptarëve, siç e quan shumëkush me pompozitet e vetëkënaqësi të ngushtë, nuk gjej asnjë gazetë të Kosovës. Ndonëse sot ka mijëra shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Tiranë e Shqipëri. Po ashtu, as në Prishtinë nuk gjej asnjë gazetë të Shqipërisë. Ndërkaq, në libraritë e Tiranës rrallë e tek shoh ndonjë libër që del në Kosovë. E pra janë të shqiptarëve dhe të shkruara në gjuhën shqipe. Shqiptarët që ua ka zënë pamjen 20-vjeçari Milot Rashica i Vushtrrisë dhe i futbollit të Zvicrës, e paskan mendjen veç te Kombëtarja e futbollit.

Çka do të thotë mos t’u shkojë ndër mend se e kanë mendjen te futbolli tanësor i Shqipërisë, te stadiumet e boshatisura të saj, te niveli i ultë apo tek aktet e dhunës së këtij futbolli, që nuk qenë të pakta as stinën që shkoi. E të mos e kenë mendjen as te trukimi i rezultateve që, për fat të keq, mbërriti deri te skuadra jonë më e mirë, që është Skënderbeu i Korçës. Janë marrë masat me kohë që kritika sportive brenda Shqipërisë të jetë krejt e butë ose të mos jetë aspak. Për shumë e shumë arsye të një oligarkie edhe “sportive”, që mbërrin deri në media, oligarki për të cilën nuk po besoj ende se mund të jetë formuar në Shqipëri, megjithatë. Ndonëse shejat kanë filluar të duken tashmë…

* * *

Ata e kanë mendjen te Milot Rashica, 20 vjeç djalë, me të cilin mbasi ai luajti vetëm 74 minuta në miqësore me Shqipërinë, e tash shkoi me Kosovën e tij, jehona e medias së Shqipërisë nuk ndal. Dhe sa hap televizionet, si vetvetiu deri në mërzi do të dalë emri i Rashicës. Kur vështirë të gjesh temat e mësipërme të problematikës tronditëse të jetës shqiptare në tanësi Nuk e kam menduar se do t’ia mbërrijë ta shoh Kosovën shtet të pavarun. E mbërrita. Tash them se do të vijë edhe koha që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen. Nuk e di se kur.

Tash për tash u gëzohem dy shteteve të kombësisë shqiptare, që janë Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Si të ishin dy kantonet e mëdha të një shteti shqiptar federal, siç e pat ëndërruar ta formonte Perandoria Habsburge. Mirëpo sot, Shqipëria dhe Kosova kanë shtetet e tyre të pavarun. Kanë qeveritë e tyre të veçanta. Kanë ndarjen administrative të tyre. Kanë qytetet e bashkitë e tyre. Pse jo, kanë dhe karakteristikat e larmishme të tyre, etnografike, dialektologjike në gjuhësi, bujqësore e industriale, historike e të ekonomisë në tanësi. E rëndësishme është ndërkohë, se në këto veçori “jondarëse” kanë të përbashkëtën e madhe: shqiptarinë.

Këto çka cilësova në thelb nuk janë ndarje kombi, janë ndarje shtetërore e paksa dhe të gjeografisë; që më në fund presim t’i kuptojmë si të tilla të gjithë shqiptarët kudo qofshin. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese Milot Rashicës së Vushtrrisë me Kosovën në Botërorin 2018. Po aq sa po këtë ia uroj edhe Shqipërisë. Pa pasur asnjë mëdyshje nëse edhe lojtarë të tjerë nga Kosova mund të ndjekin rrugën e Rashicës. Ashtu siç nuk më shkon kurrë ndër mend që një lojtar fort i talentuar nga Kosova të pengohej, nëse ai do të dëshironte të luante për Shqipërinë.

Do të isha i kënaqur nëse, në fund të fundit, e gjitha kjo përsiatje t’ia vlente të kuptohej si një thirrje më tepër për t’iu kthyer për së mbari asaj që kam tash gati nja dhjetë vjet që këmbëngul për Shqipërinë: kthimin te fuqizimi i futbollit të saj të mbrendshëm kombëtar. E, bukuria është se sot kombi shqiptar është ndër të rrallët që ka dy skuadra kombëtare në kampionatet euro-botërore.

Si pakkush në Botë. Sepse përveç nesh, ka dhe disa të tjerë kësisoj. Me një ndryshim: ata nuk bëzajnë, por luajnë, maten, forcohen qoftë edhe ashtu të veçuar siç mund të jenë. Besoj se ju kujtohet ndeshja Gjermania Perëndimore – Gjermania Lindore 0-1 për Kupën e Botës 1974? Dhe ishin dy sisteme kundërshtare. Jo si në Evropën e sotme. E pra nuk lëvizi boshti i tokës. Dhe sot ata janë një Gjermani e vetme…