LAJMI I FUNDIT:

Në zonën e Shkodrës 3500 hektarë nën ujë

Në zonën e Shkodrës 3500 hektarë nën ujë

Dalja nga shtrati e Liqenit të Shkodrës ka shkaktuar ripërmbytjen e pedonales, lagjes Livadh dhe Shtëpisë së Mushkonjave.

Gjithashtu e njëjta situatë paraqitet dhe në fshatin Obot ku prej javësh rezultojnë banesa të izoluara nga uji. Për shkak të reshjeve të shumta të shiut dhe shkarkimeve nga HEC-i i Vaut të Dejës, edhe ditën e sotme është rritur niveli i ujit duke sjellë izolimin e 270 banesave.

Niveli i ujit në fshatin Obot dhe Dajç ka arritur rreth 1 metër, raporton Shekulli.

Shkarkimet nga Vau i Dejës, vijojnë edhe sot me rreth 800 metër kub në sekondë, ndërsa uji ka bllokuar edhe rrugën që të çon në Velipojë.

Sipas specialistëve, kjo situatë është krijuar për shkak të reshjeve të shumta gjatë këtyre ditëve.

Shkarkimet e hidrocentraleve nga njëra anë dhe prurjet e lumenjve kanë bërë që niveli i ujërave të rritet shumë.

Gjithashtu sipas specialistëve kjo bën që niveli i ujit në Liqenin e Shkodrës të rritet shumë dhe të prekë pikat limit.

Shtim të sipërfaqes nën ujë ka edhe në zonat rreth qytetit të Shkodrës.

Shtabi i emergjencës pranë Prefekturës së Shkodrës pohon se situata është nën kontroll të plotë dhe janë marrë masat në bashkëpunim me njësitë vendore. Ndërkohë që vetë banorët e përmbytur deklarojnë të kundërtën. Ata pohojnë se po mbijetojnë dhe janë vetëm në dorë të zotit, pasi njerëzit nuk po kujtohen për ta.

Nga llogaritjet e fundit të bëra mësohet se rreth 500 hektarë tokë i janë shtuar sipërfaqes së përmbytur, duke arritur në total në 3500 hektarë. /Telegrafi/