LAJMI I FUNDIT:

Nën akuzë ish-kryebashkiaku i New Orleans

Nën akuzë ish-kryebashkiaku i New Orleans

Ish-kryetari i bashkisë së New Orleansit, Ray Nagin, është inkriminuar me 21 akuza, mes të cilave shmangie taksash, marrje ryshfeti, dhe spastrim parash.

Nagin, aktualisht 56 vjeç dhe qytetar i parë nga viti 2002-2010, tërhoqi vëmendjen e hetuesve kur uragani “Katrina” goditi qytetin në vitin 2005.

Duke filluar nga viti 2004, Nagin merrte ryshfete, pranonte financimin e udhëtimeve dhe favorizime të tjera, në këmbim të tenderëve publikë, thanë prokurorët.


Të paktën katër bashkëpunëtorë të tij janë shpallur tashmë fajtor për akuza të ngjashme, njofton New Orleans Time, transmeton TCH.

“Nagin përdori postin e tij publik për të siguruar favore që u sillnin përfitime individëve që i siguronin atij ryshfete”, thuhet në aktpadinë e ngritur.

Sipas këtij dokumenti, Nagin pranoi mbi 160 mijë dollarë në formë ryshfeti nga biznesmeni Frank Fradella, i cili në këmbim siguroi miliona dollarë nga punët publike që u kryen në qytet pas uraganit, përfshirë këtu ndërtimet në aeroport dhe rrugë.

Nagin akuzohet gjithashtu se ka marrë financime prej të paktën 60 mijë dollarë nga një biznesmen tjetër, Rodney Williams, të cilit iu dhanë kontrata ndërtimi në qytet.

Fradella dhe Williams janë shpallur tashmë fajtorë në lidhje me rastin dhe pritet të dëshmojnë kundër ish-kryetarit të bashkisë, njofton NOT. /Telegrafi/