LAJMI I FUNDIT:

Ngacmimet e studenteve nga profesorët – rasti i Rexhep Osmanit nuk është i vetmi në UP!

Ngacmimet e studenteve nga profesorët – rasti i Rexhep Osmanit nuk është i vetmi në UP!

Rasti i ish-ministrit të Arsimit, Rexhep Osmani, njëherit profesor në Fakultetin e Edukimit, i cili ishte raportuar për ngacmim seksual ndaj një studenteje, si duket nuk është i vetmi në Universitetin më të madh publik në Kosovë.

Burime të Telegrafit kanë konfirmuar se në menaxhmentin e kaluar të Universitetit të Prishtinës (UP), janë deponuar disa dhjetëra ankesa të studenteve, të cilat kanë pretenduar se janë ngacmuar ose kushtëzuar, në këmbim të notës, nga profesorët e tyre.


Megjithatë, letrat kanë qenë anonime, dhe ka qenë e vështirë të konfirmohen nga ana e menaxhmentit.

“Nuk ka pasur ndonjë incizim ose video. Thjesht ankesa të cilat është vështirë të verifikohen”, ka thënë ky burim i Telegrafit.

Sipas po të njëjtit burim, ankesat për ngacmim seksual në të shumtën e radhëve kanë qenë nga studentet e Fakultetit Filozofik, Juridik, Fakultetit i Shkencave Matematiko Natyrore (FSHMN), Bujqësisë, etj.

Dje, rektori i UP-së, Marjan Dema e ka suspenduar Osmanin, deri në zbardhjen e plotë të rastit nga organet e drejtësisë.

Ndryshe, të hënën profesori i Fakultetit të Edukimit, Rexhep Osmani, është denoncuar në policinë e Kosovës nga një studente për ngacmim seksual.

Por, Osmani në një prononcim për media kishte theksuar se ka qenë thjesht një përqafim me studenten, duke mohuar akuzat të cilat rëndojnë mbi të. /Telegrafi/