LAJMI I FUNDIT:

“Ngrohja globale do ta shkatërrojë Statujën e Lirisë në Nju Jork”

“Ngrohja globale do ta shkatërrojë Statujën e Lirisë në Nju Jork”

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se Statuja e Lirisë në SHBA dhe shumë vende të tjera me rëndësi për trashëgiminë kulturore në botë mund të shkatërrohen nga ngrohja globale.

Statuja e Lirisë, e vendosur në Nju Jork ishte goditur fuqishëm nga uragani Sandy, duke shkaktuar dhjetëra milionë euro dëme. Uragane edhe më të fuqishme pritet të vijnë me ndryshimet klimatike dhe me rritjen e nivelit të oqeaneve.


Sipas një raporti të OKB-së, vende historike si arkipelagu i Orkneyt dhe koralet më të rëndësishme nënujore veçse janë duke ndjerë efektin e rritjes së temperaturave dhe çrregullimit klimatik që po vjen si pasojë e ngrohjes globale. Një trend i tillë, nëse vazhdon, mund të shkatërrojë tërësisht ato si dhe pjesë tjera të trashëgimisë botërore, transmeton KosovaPress.

Raporti i përpiluar nga Unioni i Shkencëtarëve të Brengosur (UCS), UNESCO dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) thekson se rreziku paraqet nevojë urgjente për të adresuar temperaturat në rritje për të mbrojtur pjesë të trashëgimisë botërore.

Studimi është bërë bazuar në observimet e 31 vendeve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në botë, në plot 29 vende të ndryshme të botës.

Sipas gjetjeve të këtij studimi, ndryshimet klimatike do të shkaktojnë ose – tashmë kanë shkaktuar – probleme për vendet më të mëdha dhe më me rëndësi për trashëgiminë botërore, siç janë ishujt e Galapagos, bazë e teorisë së Evolucionit të Charles Darvinit.