LAJMI I FUNDIT:

Nikolic i gatshëm ta paraqesë Platformën në Kuvendin e Kosovës

Nikolic i gatshëm ta paraqesë Platformën në Kuvendin e Kosovës

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikolic ka deklaruar se para 20 ditësh ia ka dërguar ftesë kryetares së Kosovës, Atifete Jahjaga për t’u takuar dhe për këtë e ka njoftuar përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton dhe komisarin për zgjerim, Stefan Fuele.

Nikolic ka thënë se ka pak rëndësi se ku do të mbahej ai takim, porse ndoshta duhet evituar Beogradin e Prishtinën.

“Sa më përket mua unë mund të shkoj në Prishtinë dhe atje në Kuvend t’ua ekspozoj Platformën. Nuk kam kurrfarë problemi për këtë” ka thënë Nikolic për gazetën “Politika".


“Me platformë dëshirojmë të ndërpritet praktika për të bërë marrëveshje parciale e të mos kemi obligime që të respektojmë ndonjërin nga dokumentet tona. Dua të bisedohet edhe për probleme parciale, por e di se interesat tona optimale janë që edhe parcialisht të ketë marrëveshje, por vetëm pasi të arrihet marrëveshje për çdo gjë”, ka thënë Nikolic, transmeton “Koha”.

Në pyetjen nëse është i pakënaqur me atë që ka arritur marrëveshje Dacic, Nikolic është përgjigjur: “Dacic nuk ka bërë asnjë marrëveshje, ai vetëm ka përmbushur atë për të cilën marrëveshje kanë bërë të tjerët”.

Në konstatimin se Dacic është marrë vesh për doganat dhe për “oficerët për lidhje”, Nikolic është përgjigjur “Jo, për doganat marrëveshje ka arritur Borko Stefanoviv. Ai ka arritur marrëveshjen, e kam letrën në arkiv sipas të cilës malli doganohet me ligje të Kosovës. Kjo është letra ë më së shumti na ngarkon. Detyra më e vështirë e Dacicit është se ai nuk ka tema të reja e unë me Platformë i çel hapësirë manovruese”. /Telegrafi/